Kuba do të lirojë të burgosur, pasi hapit të SHBA
15 Janar 2025Pas njoftimit të një përfaqësuesi të qeverisë amerikane për heqjen e Kubës nga lista amerikane e vendeve terroriste, Havana ka folur për lirimin e qindra të burgosurve. Presidenti Miguel Diaz-Canel njoftoi një vendim "për t'u dhënë liri 553 personave të dënuar siç duhet për krime të ndryshme", tha Ministria e Jashtme Kubane.
Sipas Ministrisë së Jashtme Kubane, lirimi do të bëhet gradualisht. Për momentin nuk dihen emrat e të burgosurve kubanë që do të lirohen.
Havana e mirëpriti njoftimin e SHBA për heqjen e listës terroriste si një hap në drejtimin e duhur. Megjithatë, bllokada e SHBA kundër vendit të tij mbetet në fuqi, tha ministri i Jashtëm Bruno Rodriguez, duke iu referuar embargos së madhe amerikane të vendosur ndaj shtetit komunist të Karaibeve që nga viti 1962.
Heqja nga lista amerikane e terrorizmit
Sipas një zyrtari qeveritar, presidenti amerikan Joe Biden kishte vendosur më parë të hiqte Kubën nga lista amerikane e shteteve sponsorizuese të terrorizmit. Siç tha përfaqësuesi i qeverisë në Uashington të martën, ky "gjest i vullnetit të mirë" duhet të ndihmojë negociatat për lirimin e një "numri të konsiderueshëm të të burgosurve politikë".
Shpresohet se lirimi të ndodhë përpara se Donald Trumpi, Partia Republikane e të cilit tradicionalisht mban një linjë të ashpër kundër autoriteteve në Kubën komuniste, të marrë detyrën të hënën e ardhshme.
Katër vjet më parë, Trump e vendosi Kubën në listën amerikane të vendeve që mbështesin terrorizmin, ku përfshihen edhe Siria, Irani dhe Koreja e Veriut. Pas marrjes së detyrës, ai mund ta ndryshojë menjëherë vendimin e Biden-it.
Dënime me burg për pjesëmarrje në protesta
Vendimi për lirimin e të burgosurve është pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kisha Katolike. Ai kryesisht ka të bëjë me personat e arrestuar gjatë protestave antiqeveritare të verës 2021 në Kubë.
Sipas shifrave zyrtare, rreth 500 persona janë dënuar në Kubë me burgim deri në 25 vjet për pjesëmarrjen e tyre në protestat e 11 dhe 12 korrikut 2021. Këto ishin demonstratat më të mëdha kundër qeverisë së Havanës që nga Revolucioni Kuban i vitit 1959.
aud (ag/tgsch)