Kuba në kërkim të naftës
27 Shtator 2016Venezuela është në vështirësi ekonomike. Dhe kjo përbën problem edhe për Kubën. Sidomos për shkak të reduktimit të furnizimeve me naftë. Presidenti i Kubës, Raul Castro deklaroi se qeveria duhet të shkurtojnë shpenzimet dhe të kursejë energji. Zhurmë të madhe shkaktoi për këtë shkak lajmi i përhapur nga disa media në fund të korrikut, sipas së cilit kompania australiane MEO kishte zbuluar në zonën Motembo në veri të provincës Santa Clara rezerva të mëdha nafte, deri në 8.2 miliardë fuçi. Lajmi ngjalli shpresa të mëdha, jo vetëm në Kubë por edhe jashtë.
Pala kubane fillimisht as nuk e hodhi poshtë dhe as e pohoi këtë lajm. Por javën e kaluar zëvendësdrejtori i shoqërisë shtetërore të naftës CubaPetróleo (Cupet) Roberto Suárez Sotolongo, tha se fjala është për studime gjeologjike për identifikimin e burimeve të naftës dhe ende nuk ka të dhëna të sigurta për rezerva nafte.
E varur nga Venezuela
Kuba nxjerr rreth 45.000 fuçi naftë dhe tre milionë metra kub gaz në ditë. Por këto mbulojnë vetëm 48 për qind të kërkesës së Kubës për energji; pjesa tjetër duhet të importohet - deri tani kjo bëhet kryesisht nga Venezuela. Por Venezulea e ka ulur sasinë e eksporteve të naftës për në Kubë. Kuba e përdorte naftën që merrte nga Venezuela një pjesë për vete dhe një pjesë e shiste. Tani që importet nga Venezuela kanë rënë, Kubës i humbasin edhe të ardhura nga shitjet e naftës që importonte.
Nafta në Kubë nxirret në vijën bregdetare mes Havanës dhe Varaderos. Shfrytëzimi i kësaj zone ndodh prej 40 vjetësh. Por rezervat duket se po pakësohen dhe duhet shpuar edhe më thellë, por kjo është e shtrenjtë dhe jo shumë rentabël, tha drejtori i shpimeve i shoqërisë shtetërore të naftës CubaPetróle, Osvaldo López Corzo.
Rritje e kërkesës për energji
Osvaldo López Corzo tha se nevoja për energji vitet e ardhshme do të shtohet për shkak të rritjes së numrit të turistëve dhe të investimeve të huaja dhe zgjerimit të sektorit privat, ndryshimeve klimatike dhe shtimit të pajisjeve elektrike si ventilatorë dhe kondicionerë. Studimet gjeologjike tregojnë se në Kubë ka rezerva nafte. Por Kuba nuk mund t'i shfrytëzojë vetë ato për shkak se i mungon tekonologjia dhe kapitali. Investitorët e huaj nuk janë për momentin të interesuar për shkak të rënies së çmimit të naftës në botë.
Synimi afatgjatë energjitë e riciklueshme
Partia Komuniste e Kubës theksoi në kongresin e saj në prill se synimi afatgjatë është pavarësia energjetike. Për këtë synohet edhe shfrytëzimi i energjive të riciklueshme. Por deri sa të arrihet kjo Kuba po kërkon ndihmë nga Rusia. Sipas agjencisë së lajmeve Interfax presidenti Raúl Castro ka kërkuar nga ai rus Vladimir Putin që ta furnizojë Kubën me naftë. Në fillim të shtatorit u tha se edhe Algjeria do të eksportonte për herë të parë naftë për në Kubë. Por ky lajm nuk u vërtetua kurrë. Pra Kuba me sa duket do të vazhdojë të kërkojë për naftë.