1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kufij të hapur për kinezët e pasur

Sascha Brinkmann/Auron Dodi18 Shkurt 2014

Pasiguria juridike dhe ndotja ekstreme e mjedisit bëjnë që të pasurit më të mëdhenj të Kinës të dalin jashtë vendit. Atje bëhen përgatitje për klientelën e pasur - dhe ofrohen leje qëndrimi në këmbim të investimeve.

Fotografi: PETER PARKS/AFP/Getty Images

Në "socializmin me karakteristika kineze" mund të bësh pasuri - në formë legale dhe ilegale. Sipërmarrja konsultative "Boston Consulting Group" e vlerësoi vitin e kaluar numrin e milionerëve kinezë të dollarit në më shumë se një milion. Me këtë Kina zë vendin e tretë në listën e vendeve me më shumë milionerë. Tani, një sondazh midis rreth 400 milionerëve nxorri në pah se 65% e tyre dëshirojnë të largohen nga vendi, ku e kanë mbledhur pasurinë - të paktën ata përpiqen për një leje qendrimi në një shtet të tretë dhe preferojnë që përpara të dërgojnë familjet jashtë vendit. Në bazë të anketimit të sipërmarrjes së Shangait, Hurun, 30 përqind e të anketuarve madje e zotërojnë një leje të tillë qëndrimi. Çfarë bën që milionerët të marrin arratinë? Kristin Kupfer nga Mercator Institute of China Studies në Berlin përmend në bisedë me DW tri shkaqe kryesore: "Pasiguri juridike është njëra. Pastaj çështja për një ambjent shkollimi për fëmijët dhe kushtet shumë të këqia të mjedisit në Kinë."

Sipërmarrës kinez ndërtimi dhe milioner, Pan ShiyiFotografi: picture-alliance / dpa

Konkurencë për refugjatët e kapitalit

Në të gjithë botën ka nisur orientimi drejt refugjatëve të mirëqënies nga Kina: me programe të posaçme, me leje qëndrimi në këmbim të investimeve. Australia, SHBA por edhe disa shtete të BE janë futur në një konkurencë të vërtetë për klientelën me shumë para nga Kina. Që në vitin 2012, vendi i krizës i BE, Portugalia nisi programin e "Vizës së artë": blerja e një pasurie të patundshme në vlerën 500.000 euro shpërblehet që atëherë me një leje të përhershme qëndrimi. Vitin e fundit, më shumë se 90 përqind e atyre që paraqitën lutjen erdhën nga Kina ose Hongkongu.

Shtatorin e kaluar, vendi fqinjë Spanja nisi një program thuajse identik. Vendet e krizës, Greqia dhe Qipro japin të drejta qëndrimi që pas blerjes së pasurive të patundshme që nisin me 250.000 euro. Kurse Hungaria i tërheq investorët me një program, që ofron leje qendrimi në këmbim të investimeve prej të paktën 250.000 euro në një fond pesëvjeçar të shtetit. Edhe vetë Hollanda e pasur u bashkua me të tjerët: një leje qëndrimi këtu e merr pas një investimi prej 1,25 milionë eurosh në ekonominë lokale.

Milioneri kinez Chen GuangbiaoFotografi: picture-alliance/AP Photo

Shumë para në botën e jashtme investohen përmes Hongkongut, që shërben si urë. Në Kinë këtë zhvillim e shohin në mënyrë kritike. Profesor Zhou Xiaozheng në universitetin e Pekinit e përmbledh kështu këtë qëndrim " Ten Hsiao Pini ka thënë se një pjesë e njerëzve mund të pasurohet më përpara. Por kjo pasuri duhet të sigurohet me punë të ndershme. Por pasurinë, shumë prej të pasurve të mëdhenj e kanë siguruar me nepotizëm, shpërdorim të kapitalit shtetëror ose spekulime. Tani ata duan t'i sigurojnë paratë në botën e jashtme."