1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kujt i takon nderi" shkakton protesta

Aida Cama28 Dhjetor 2007

Një film i saposhfaqur nga ARD në Gjermani ka shkaktuar protesta të alevitëve. Ata thonë se filmi ushqen stereotipet që myslimanët e tjerë kanë kundrejt alevitëve (ose bektashinjve)

"ARD duhet të kërkojë falje publike", thonë alevitët që protestojnë në Berlin
"ARD duhet të kërkojë falje publike", thonë alevitët që protestojnë në BerlinFotografi: AP Photo/Markus Schreiber

Regjizorja quhet Angelina Maccarone. Ajo ka shkruar edhe skenarin e filmit "Kujt i takon nderi", një nga filmat e serisë "Tatort", ndër më të dashurat e filmave kriminalistikë në Gjermani.

Skenë nga filmi "Kujt i takon nderi"Fotografi: ARD/NDR

Filmi "Kujt i takon nderi" u transmetua ditën e djelë në programin e parë televiziv gjerman ARD. Shfaqja e filmit u pasua nga protesta të mëdha të alevitëve në Gjermani. Fillimisht ishin përpjekur të pengonin shfaqjen e filmit. Por pas shfaqjes së tij, alevitët ngritën padi dhe çështjen e ka marrë në dorë policia, e cila është duke zhvilluar hetime.

Për çfarë bëhet fjalë në film?

Motra e një vajze të mbetur shtatzënë nga një incest, vritet sepse ndihmon zbardhjen e ngjarjes. Historia zhvillohet në një familje emigrante alevite nga Turqia. Alevitët ndjehen të fyer nga filmi, sepse ai "risjell në skenë paragjykimet që myslimanët sunitë kanë për alevitët". Alevitët janë më liberalë dhe i zhvillojnë ritualet fetare së bashku me gratë dhe fëmijët, prandaj myslimanët e tjerë ortodoksë i akuzojnë ata për incest. Këto paragjykime, thonë alevitët, janë përdorur nga Perandoria Osmane për të shtypur alevitët. Paragjykimet kanë zënë rrënjë në Turqi dhe historia jo e largët tregon se ku shpien ato. Më 23 dhjetor të vitit 1978, në provincën Marash të Turqisë qindra njerëz janë vranë, ndër të tjera edhe për shkak të akuzave për inceste.

Alevitët nuk janë mjaftuar vetëm me ngritjen e padisë. Ata protesuan dje para studiove të ARD-së në Berlin. "Njeriu ngre pyetjen, pse të shfaqet një film i tillë në datën 23 dhjetor?"- thotë një nga protestuesit. Kurse një tjetër: "Ne kemi vite që luftojmë për të zhdukur këto stereotipe. Dhe çfarë ndodh? Një film në Gjermani bën të kundërtën." Disa qindra në numër, ata duan që ARD të kërkojë falje publike. Në protestën e publikuar nga Federata e Alevitëve në Gjermani dhe Qendra Kulturore e Alevitëve në Berlin, thuhet se alevitët jetojnë ndër të tjera edhe në Shqipëri. Në grupin protestues nuk ndodhet asnjë shqiptar. Asnjë shqiptar nuk bën po ashtu pjesë në Federatën e Alevitëve të Gjermanisë. Megjithatë, mjafton që në Shqipëri jetojnë alevitë, dhe ata duhen përmendur.

Alevitët protestojnë para studios së ARD-së në Berlin, 27 dhjetor 2007Fotografi: AP Photo/Markus Schreiber

Protestat e alevitëve në Gjermani mund të interpretohen si protesta të myslimanëve, por në fakt ato drejtohen kundër stereotipeve që ushqehen nga mediat. Gjermanët me siguri nuk kanë përvojë me histori të tilla. "Dijeni duhet të ketë patur italiania Maccarone, si dhe disa nga turqit që kanë bashkëpunuar me të në film," thonë alevitët. Regjizorja Maccarone, gjendet krejt e papërgatitur t`i japë përgjigje kritikave. Ajo ka thënë për mediat se nuk ka patur dijeni për sfondin historik të paragjykimeve ndaj familjeve alevite. Përgjigjet e pyetjeve që janë ngritur do t`i japë policia e Berlinit, e cila është duke zhvilluar hetime "për nxitje urrejtjeje ndaj një grupi popullsie".

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW