1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuko: Nuk ka pasur pengesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Elert Ajazaj19 Shkurt 2009

Deri në samitin e NATO-s në prill, ku pritet që Shqipëria dhe Kroacia të bëhen anëtare me të drejta të plota, nevojitet ratifikimi prej të gjithë anëtarëve. Intervistë me ambasadorin shqiptar në NATO, Artur Kuko.

Logo e NATO-sFotografi: NATO

Javën e kaluar parlamenti slloven ratifikoi hyrjen e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO. Ndër vendet e mbetura për të ratifikuar, Sllovenia shihej si e vetmja pengesë serioze. Derisa për anëtarësimin e Shqipërisë vota ishte unanime, ajo për Kroacinë ishte 75 pro, 11 kundër, madje një grup nacionalist slloven po këmbëngul për mbajtjen e një referendumi, nëse i duhet dhënë mbështetja Kroacisë.



DW: Parlamenti slloven ratifikoi hyrjen e Shqipërisë në NATO. A ishte kjo pengesa e fundit?


Kuko: Nuk ka pasur pengesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ne gjykojmë që miratimi nga parlamenti slloven i protokolleve të hyrjes së Shqipërisë dhe të Kroacisë ishte një hap i natyrshëm, një hap që pason ftesën që ju bë vendeve tona për t´u anëtarësuar, negociatat që kryen vendet tona, nënshkrimin e protokolleve të hyrjes dhe fillimin e procesit të ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare. Pra edhe ratifikimi nga ana e Sllovenisë i protokolleve të hyrjes për Shqipërinë dhe Kroacinë është një hap i natyrshëm. Unë gjykoj që procesi i ratifikimit po ecën me shpejtësi optimale dhe besoj se do të jemi pjesëmarrës në samitin e Strasburg/Kel-it si anëtar me të drejta të plota i aleancës.


DW: A pritet një rritje domethënëse e pjesëmarrjes së Shqipërisë në misionet paqeruajtëse pas anëtarësimit? Kam parasysh këtu Afganistanin dhe kërkesat e amerikanëve për rritjen e rolit të aleatëve atje.


Kuko: Shqipëria ka qenë dhe është e pranishme në disa operacione paqeruajtëse nëpër botë, jo thjesht në Afganistan. Shqipëria ka qenë edhe në Irak, prej nga kontingjenti ynë është tërhequr tashmë. Një vijim logjik i zhvillimeve pozitive në atë vend, ku Shqipëria në mënyrë modeste, e përsëris në mënyrë modeste, mund të pretendojë pjesën e saj të suksesit. Ne jemi të pranishëm me forcat e Bashkimit Evropian në Çad, kemi qenë dhe jemi të pranishëm në Afganistan. Ne po shikojmë mundësinë e rritjes së pranisë sonë në kuadër të ISAF-it në Afganistan. Natyrisht që në momentin e duhur do të merrni lajme të tjera për sa i përket perspektivës së rritjes së pranisë sonë në Afganistan.


DW: A mund të ishte futur Shqipëria edhe e vetme në NATO, në rast se Sllovenia nuk do ta kishte ratifikuar anëtarësimin e Kroacisë?


Kuko: Gjykoj që anëtarësimi në aleancë është një proces që nuk duhet parë në terma egoistë. Nuk do të kisha qenë i kënaqur në qoftë se Kroacia do të kishte mbetur jashtë këtij procesi. Për fat të mirë edhe pyetja juaj është hipotetike. Gjykoj që të dyja vendet arritën të miratojnë protokollet e tyre të hyrjes nga parlamenti slloven është përgjigjja më e mirë ndaj kësaj pyetjeje.


DW: Si paraqitet procesi i ratifikimit me vendet që ende nuk e kanë ratifikuar?


Kuko:Në momentin aktual janë vetëm pak vende që nuk e kanë kaluar protokollin në parlament. Unë gjykoj që edhe këto vende do ta mbyllin këtë proces brenda javëve që vijnë. Nuk jam në gjendje t'u japë një datë të saktë, se kur mund të përfundojë procesi i ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare.


DW: Edhe një pyetje të fundit. Me krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës NATO-ja ka marrë përsipër aftësimin e trupës. Si e vlerësoni ju këtë hap për stabilitetin rajonal në tërësi dhe për fqinjët në veçanti?


Kuko: Unë gjykoj se ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës është një hap i nevojshëm dhe i domosdoshëm për konsolidimin e pavarësisë së shtetit të ri kosovar. Një shtet kosovar solid, i konsoliduar, me një ekonomi tregu në zhvillim, me institucione demokratike, ku nuk do të hezitoja të përfshija në një rol të posaçëm Forcën e Sigurisë së Kosovës, është në interes jo vetëm të banorëve të Kosovës, por edhe të të gjithë rajonit. Një Kosovë më stabël do të thotë një rajon më stabël. Ne urojmë që të gjitha vendet në rajon ta kuptojnë sa më shpejt këtë nocion. Është e tepërt të shtoj se kjo shkon veçanërisht në drejtim të Serbisë, që deri tani së paku ka refuzuar të njohë realitetet konkrete që janë krijuar në rajonin tonë.