1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
LetërsiGjermani

Heshtja e një vajze të ikur nga lufta

13 Tetor 2025

Me romanin e saj debutues „ë“ Jehona Kicaj i jep zë heshtjes – dhe tregon atë që zakonisht mbetet e pathënë

Portret i autores Jehona Kicaj, që shikon drejt kamerës. Veshje e errët, sfond gri
Jehona Kicaj, autorja e romanit ëFotografi: Carl Philipp Roth

Shkronja „ë“ nuk ekziston në gjermanisht. Në shqip ajo është shkronja më e shpeshtë, por në fund të fjalës, thuajse e padëgjueshme. Si zëri i figurës kryesore në romanin e Jehona Kicajt "ë". Gjuha e saj është e heshtur por e fuqishme. Quhet bruksizëm dhe është aq e fortë sa mund të shkatërrojë lëndën më të fortë të njeriut: zmaltin. Zakonisht ndodh kur mëson të ndrydhësh dhimbjen. „Të tregosh mungesën e fjalës përmes letërsisë është sfida më e madhe,“ thotë Jehona Kicaj në një intervistë për DW. „Këtë kam dashur të bëj në këtë roman.“

Heshtja e një vajze të ikur nga lufta

Personazhi kryesor është një vajzë që në vitin 1998 largohet nga Kosova me familjen e saj për t’u bashkuar me babanë, i cili punonte në Gjermani. Në atë kohë, në Kosovë ndodhnin masakra kundër popullsisë shqiptare, ndërsa në Gjermani diskutohej nëse vendi duhej të merrte pjesë në ndërhyrjen e NATO-s kundër Millosheviqit.

Kopertina e romanit debutues të Jehona Kicajt ë, botuar nga shtëpia botuese Wallstein, paraqet shkronjën minimaliste “ë” – simbol i asaj që nuk mund të thuhet, tema që përshkon librin.Fotografi: Wallstein Verlag

Në Gjermani përpiqet të gjejë miq, por sikur e ka gjuhën të lidhur. Nuk është vetëm gjuha e huaj që e ndan nga bashkëmoshatarët, por edhe kujtimet që ka sjellë me vete. Janë kujtime që njerëzit preferojnë t’i harrojnë. „Nuk po m’kujtohet“ – një nga fjalitë e shpeshta të së ëmës.

Vite më vonë, si e rritur, përpiqet të kuptojë heshtjen e asaj kohe. Kthehet në Kosovë, hap albumet e vjetra të fotografive, bisedon me Shpresën, kushërirën që e ka përjetuar luftën nga afër, ndjek një kurs për identifikimin e kufomave në varret masive, flet me një mik të studimeve, Eliasin, që ka dëgjuar për luftën vetëm nga televizori. Nga këto takime lind një rrëfim me shumë zëra – për ata që e kanë përjetuar luftën, kanë debatuar mbi të dhe ata që kanë heshtur.

Gjashtë romanet e përzgjedhur në listën e ngushtë të Çmimit Gjerman të Librit (Deutscher Buchpreis 2025). Ndër to është edhe romani ë i autores me prejardhje nga Kosova, Jehona Kicaj. Çmimi shpallet çdo vit në kuadër të Panairit të Librit në Frankfurt am Main.Fotografi: Pressewfoto Shortlist 2025 (Cover)/Christof Jakob

Krime jashtë imagjinatës njerëzore 

Jehona Kicaj ka lindur në vitin 1991 në Suharekë dhe ka ardhur në Gjermani kur ishte ende e vogël. Ajo thotë se vjen nga një familje punëtorësh; pasionin për letërsinë e ka zbuluar në orët e gjermanishtes. „Në shkollë kuptova se sa shumë mund të të ndryshojë letërsia,“ kujton ajo. Shkrimtari që e ka frymëzuar më shumë është Heinrich von Kleist. „Prej tij mësova se njerëzit mund të flasin edhe pa fjalë – me gjeste, me trup, me heshtje,“ thotë Kicaj.

Në romanin "ë" flasin edhe eshtrat e të zhvarrosurve nga varret masive të luftës së Kosovës. Jehona Kicaj kujton se hulumtimi për krimet e luftës ka qenë emocionalisht shumë i rëndë. „Disa ngjarje ishin tërësisht jashtë imagjinatës së një njeriu“, - kujton ajo Fakti që libri u nominua për çmimin më të rëndësishëm gjerman, Deutscher Buchpreis, e gëzon sidomos për shkak të faktit që tani më në fund ky kapitull i dhimbshëm po merr kaq shumë vëmendje.„Për këtë luftë flitet shumë pak – si në Kosovë, si në vendet ku sot jetojnë kosovarët që u larguan atëherë, si në Zvicër, në Austri, por edhe në Gjermani. or përvojat e asaj kohe jetojnë ende në njerëz – edhe tek brezi i fëmijëve të tyre“

Kosovë, Prishtinë 2023 | Vajzë gjatë përkujtimit të viktimave të zhdukura me forcëFotografi: Armend Nimani/AFP

Perspektiva e diasporës

Prandaj ajo e tregon luftën nga perspektiva e fëmijës së diasporës. Si botuese dhe bashkëthemeluese e shtëpisë botuese Resonar Verlag në Hanover, ajo edhe më parë është marrë me këtë temë – në një libër për gastarbeiterët dhe fëmijët e tyre.

Në "ë" shumë fjali janë lënë në shqip, madje në dialekt. Kush nuk e njeh gjuhën, pengohet për një çast. Por kjo është pikërisht ideja: edhe pse fjalia përkthehet, ajo në origjinal mbetet si një gur pengese dhe njëkohësisht një ftesë për të hyrë në një botë të panjohur.

Ndoshta nuk është rastësi që babai i personazhit kryesor nuk është refugjat lufte, por punëtor emigrant. Ai i përket asaj gjenerate që Gjermania e shihte për shumë vite vetëm si fuqi punëtore – njerëz që do të vinin, do të punonin dhe pastaj do të ktheheshin. Por ata qëndruan, krijuan familje, ndërtuan jetë të reja. Politika gjermane dikur e pranoi këtë gabim dhe u përpoq ta korrigjonte me refugjatët e luftës së Sirisë: atyre u ofroi kurse integrimi, për të kuptuar Gjermaninë. Por as këta nuk u pyetën për historitë që sjellin me vete. 

Romani "ë" e ndryshon drejtimin dhe tregon se integrimi nuk është një detyrim i njëanshëm por një përvojë e përbashkët. 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW