1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur burrat kthehen në viktimë: “Isha si i paralizuar”

10 Nëntor 2020

Në rreth 20 përqind të rasteve të dhunës në familje, viktimat janë burra. Jo vetëm në Gjermani. Ndihmë për ta nuk ka pasur deri tani. Burrave vazhdon t'u mohohet fakti që janë të cënueshëm. Kjo gjë po ndryshon ngadalë.

Tami Weissenberg
Fotografi: Robert Richter/DW

Në fillim mendimi tipik ishte: "Unë jam shpëtimtari i saj,”, thotë Tami Weissenberg, kur tregon për njohjen me partneren e re. Ajo i tregoi për përjetimet e dhunës që kishte pasur në jetën e mëparshme. Për drurin që kishte ngrënë në marrëdhënien e mëparshme. Për të qënit fatkeqe. Kjo e preku Tami Weissenbergun. Ai do që ta ndihmojë këtë grua, ta shpëtojë. Dhe t'i tregonte asaj se burrat mund të jenë edhe ndryshe. Të kuptueshëm. Të kujdesshëm. Siç ishte ai. "Në atë kohë nuk e kuptoja që ky ishte grepi për të bërë për vete një njeri, të cilin mund ta instrumentalizosh,” tregon sot Weissenberg. Kështu ai hyn në një marrëdhënie që zgjati gjashtë vjet të këqija.

Tami Weissenberg është burrë i sigurt në vetvete. Ai është një njeri si një pemë, i madh, i qëndrueshëm. Njeri i punës. Ai e tregon historinë e tij me qetësi dhe duke reflektuar. Tami viktimë? Nëse dikush vihet përballë tij, as nuk mund ta imagjinojë një gjë të tillë. Po kjo ka të bëjë me klishetë tipike, që viktimat duhet të jenë të vogla, delikate dhe të dobëta. Sidomos kur kemi të bëjmë me viktimat burra.

 Varësia emocionale çelësi i dhunës

Tami dhe gruaja fillojnë të jetojnë bashkë. Ata afrohen më shumë. Ai e mbështet atë. Edhe financiarisht. Ai e ndihmon atë të jetojë një jetë të re, të mirë. Ky është shpërblimi që ai merr në lidhjen që ka. Pak nga pak ata fillojnë të përziejnë jetët e tyre, në banesë e përbashkët, numrin e përbashkët të llogarisë, të përditshmen e përbashkët. Ata kanë kohë që janë futur në varësi të njëri tjetrit kur ndodhi incidenti i parë. "Ndodhi kur ndodheshim për pushime dhe përfunduam në një hotel, që nuk i përputhej dëshirave të saj,” tregon Wissenberg, "dhe ajo nuk donte të paguante. Unë duhet ta ndihmoja me para dhe t'i thosha hotelxhiut që hoteli i tij ishte një kasolle e pisët. Unë nuk e bëra një gjë të tillë, sepse më vinte turp ta poshtëroja ashtu atë njeri. Kështu që unë hipa në makinë dhe e lashtë atë vetëm ta zgjidhte situatën. Kur u kthye, më qëlloi me shpullë dhe filloi të bërtiste. Unë i thashë vetes: "Nuk do guxosh më të mos e ndihmosh.”

Tami WeissenbergFotografi: Robert Richter/DW

"Unë ndihesha si shërbëtori i saj "

Shoqja e tij e justifikon shpërthimin: Ajo ka kaluar fëmijëri të vështirë. Pa dashuri. Pa raporte stabile sociale. Ai e pranon justifikimin. Dhe kështu me kalimin e viteve rritet varësia gjithnjë e më shumë: "Unë ndihesha si shërbëtori i saj, që duhet të bëja gjithnjë gjëra që t'i pëlqenin. Ky ishte prioriteti kryesor, t'i pëlqeja asaj. Çdo gjë ishte e paracaktuar, çfarë fruti donte ajo, si duhej të këputej, si duhej të servirej. Dhe kur gjërat nuk bëheshin si duhet, atëherë plaste sherri. Kështu që gjithnjë nxitja ishte që të bëja gjëra që t'i pëlqenin asaj, sepse kështu nuk prishej qetësia ime."

Por asaj nuk i pëlqenin gjërat. Ose të paktën nuk i pëlqenin mjaftueshëm. Dhe kërkesat e shoqes së tij rriteshin përditë. Edhe ekseset e dhunshme. Tami Weissenberg përfundon në spital me thyerje kockash dhe plagë. Megjithatë ai nuk mbrohet, nuk ia kthen mbrapsht goditjet. Gjithë ato vite ai shpreson se dikur ajo do e kuptojë që po vepron gabim.” Unë kam qenë gjithë kohën nën presion, duhet të funksionoja, të përmbushja kërkesat, të mos përsërisja gabimet. Isha tërë kohës i zënë. Nuk kisha kohë për vete, për të reflektuar për gjendjen time.” Edhe shpresa për të gjetur ndihmë u zhduk. Shoqja e tij kontrollon të gjitha kontaktet sociale. Njerëzit që mund të marrin vesh për dhunën, pengohen të vijnë, madje edhe njerëz të familjes.

Shoqëria nuk i sheh burrat e cënuar

Ai i ka punët si rreth 26 mijë burra që janë regjistruar viktima të dhunës brenda një viti në Gjermani. Kush e beson një burrë që thotë: "Më rreh gruaja?” Sepse shoqëria nuk e njeh burrin që nuk është dhunues, por është viktimë e dhunës. Këtë e dokumentojnë edhe studimet e bëra nga Elizabeth Bates në Universitin Cumbria në Britaninë e Madhe: "Në televizion dhe nëpër komedira dhuna kundër burrave shihet si mjet për të bërë humor. Ne mund të qeshim për dhunën e grave kundër burrave, por kjo është një gjë me pasoja. Ka një sërë gjërash që i pengojnë burrat që të kërkojnë ndihmë. Këtu hyn frika, se nuk i beson njeri. Dhe mënyra se si e trajojnë mediat dhunën e shton këtë frikë.”

Studimet e Bates tregojnë se për shkak të kësaj mënyre të trajtimit nga shoqëria, burrat shpesh nuk e përjetojnë dhunën si viktima. Ndërkohë kjo i kushton shumë burrave të prekur: "Ata i përshkruajnë problemet mentale dhe fizike që i shkaktohen shëndetit të tyre si pasojë e dhunës që kanë përjetuar”.

Spektri i dhunës është i madh. Më shpesh ndodh dhuna e lehtë: Si përshembull dhënia e një shtyrjeje nga gruaja. Një në gjashtë burra në Gjermani ka pranuar në një studim të bërë nga Ministria Federale për Familjen në vitin 2004, se është shtyrë një herë nga gruaja. Dhjetë përqind se ka marrë një shpullë të lehtë, "është qëlluar dhe i ka dhembur”, ose se partnerja e ka qëlluar me një send, që mund ta lëndonte. Shumë më tepër për dhunë fizike, burrat tregojnë për dhunë psiqike, se partneret i ndalojnë që të kenë kontakte sociale për shkak të xhelozisë. Që ato e kontrollojnë partnerin, e poshtërojnë ose e fyejnë, njofton një nga bashkëautorët e studimit, Ralf Puchert: "Në numër pothuajse të njëjtë me atë të grave, janë edhe burrat që thonë se kanë përjetuar një herë në jetë dhunë nga partneri, që fillon me një të shtyrë dhe përfundon me dhunë të rëndë. Burrat përjetojnë më rrallë se gratë dhunë të rëndë, por rastet kur ndodhin nuk janë të veçanta.”

Fotografi: picture-alliance/Chromorange/Bilderbox

Për Tami Weissenberg-un gjëja më e rëndë nuk ishin gjuatjet fizike. Dhuna psiqike ishte më e rëndë: "Një ditë ajo më doli përpara me robdëshambrë, e hoqi dhe doli lakuriq. Pastaj filloi të rrihte veten, ta gërricte duke thirrur: "Mjaft! Mos! Më dhemb shumë!” Unë ndodhesha para saj dhe nuk e kuptoja çfarë po ndodhte. Kur mbaroi partnerja veshi prapë robdëshambrin, morri çantën dhe nxori prej andej një apparat inçizimi të cilën e mbylli.  "Ky është shpëtimi im, ky aparat inçizimi,” i thotë ajo dhe largohet. Ajo e kërcënon se do i bëjë presion nëse flet në publik për dhunën. Tami Weissenberg është si i paralizuar:  "Nuk bëja dot asgjë. Kisha frikë se mos humbisja fytyrën në shoqëri, humbisja punën dhe se nuk e besonte njeri se unë isha viktimë dhe jo dhunues. Kur njerëzit kanë frikë, ata rrinë struken dhe izolohen.”

Dhuna kundër burrave: dukuri mbarëbotërore

Shifrat tregojnë se burrat përjetojnë përvoja të ngjashme në gjithë botën. Sipas statistikave zyrtare, 25 përqind e burrave në Meksikë janë viktimë të dhunës në familje. Në Kenia, Nigeri ose në Ganë, papunësia dhe varfëria janë shpesh arsye për të sulmuar partnerin. Dhe në gjithë botën mungojnë ofertat e specializuara të ndihmës. Në qytetet e mëdha ka shpesh zyra këshillimore për burrat, por ndihma nuk ekziston për shumë të prekur që jetojnë në zonat rurale.

Kjo është duke ndryshuar ngadalë. Në pranverë të 2020, në Gjermani u hap linja e parë telefonike në ndihmë të burrave. Ajo financohet nga dy landet më të mëdha gjermane, Bavaria dhe Landi i Vestfalisë Veriore- Renanisë. "Këtu tek ne burrat merren seriozisht dhe kjo ka të bëjë shumë,” tregon Andreas Haase nga qendra këshillimore man-o-mann e Bielefeldit, që ka linjën telefonike. "Burrat kërkojnë një vend ku të flasin dhe t'i dëgjojnë, duke mos patur ndjenjën se nuk merren seriozisht.”

Kërkesat janë të shumta. Dhjetëra burra marrin në telefon çdo javë dhe kërkojnë ndihmë. Ashtu si Tami Weissenberg, telefonuesit ndodhen në situacion nuk nuk gjejnë rrugëdalje: "Shumë burra, që marrin në telefon kanë frikë nga ndryshimet. Dhe mendojnë se po të largohen, gruaja do i ushtrojë edhe më shumë dhunë”. Shpesh burrat janë baballarë dhe kanë frikë se mos humbasin kontaktin me fëmijët, po të largohen nga një marrëdhënie e pashëndetshme.  "Shumë prej tyre nuk e shohin fare veten viktimë të dhunës,” tregon Andreas Haase: "Mes burrave përjetimi i dhunës "shihet me sy të mirë”. Pra, kur përjetojnë dhunë në rrugë ose në oborrin e shkollës, atëherë kjo shihet si gjë që ka të bëjë me djemtë. "

Heroizmi si përkufizim i burrërisë

Kështu burrat rriten në një shoqëri ku "heroizmi burrëror” shihet si element i rëndësishëm i burrërisë, analizon kriminologu britanik, Antony Whitehead, dhe shton se pasojat janë "që burrat që përjetojnë një konflikt ose ndodhen në rrezik, duhet të kapërcejnë frikën që i krijon situata në mënyrë që të mos bien në rolin e padëshirueshëm të mos qënit burrë.”

Studiues dhe terapistë për burrat kanë të njëjtin mendim kur thonë se burrat duhet të çlirohen nga ky burgim në imazhin tradicional burrëror dhe të mësojnë se nuk janë vetëm, por kanë shokë. Në linjën telefonike të Bielefeldit, gjëja e parë është që burrat duhet t'ia lejojnë vetes të tregojnë anën e viktimës. Shpesh kjo shkakton çlirim të madh. Për Andreas Haase në organizatën "man-o-mann" synimi është që "burrat të hyjnë në një process që i lejon më shumë hapësirë ku mund të perceptojnë më mirë ndjenjat e tyre.”

Elizabeth Bates, Universiteti CumbriaFotografi: Privat

Kjo ndjenjë e qartë se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më, ishte për Tami Weissenbergun si rrufe nga qielli: "Momenti i kthesës erdhi kur unë isha sëmurë me dhimbje fyti dhe duhej të kthehesha nga puna në shtëpi, por më parë duhet të shkoja në farmaci. Por kjo nuk ishte e mundur, sepse kthimi për në shtëpi ishte planifikuar me saktësi të madhe nga shoqja ime, dhe shoqërohej si gjithnjë nga një telefonatë. Kjo situatë më mori të gjitha fuqitë. Çfarë lloj situate është kjo? Kështu që unë nuk shkova më në shtëpi. Kurrë.”

Weissenbergu u çlirua vetë nga një marrëdhënie toksike. "Në atë kohë më mungonte jashtë mase një vend ku të flisja për frikërat dhe shqetësimet e mia, si burrë. Prandaj më vonë unë krijova një grup mbështetës. Dhe aty pashë se ka shumë burra që ndodhen në të njëjtën situatë, megjithëse në mënyra të ndryshme." Nga grupi mbështetës është krijuar ndërkohë shoqata "Weissenberg". Krah këshëllimeve për burrat në situatë krize, shoqata ofron hapësirë mbështetëse për burrat që kanë përjetuar dhunë. Vetë Weissenbergu jeton sot në një marrëdhënie të re.

Kontakti nuk është ndërprerë kurrë

Emri Tami, është pseudonim, nuk është emri i vërtetë. Ai është punonjës në një firmë të mesme dhe nuk do që të hakmerret ndaj ish-shoqes së tij. Ai nuk do që t'i tregojë fytyrën e vërtetë, apo ta akuzojë. Kur tregon historinë e tij, ai bën shumë shpjegime dhe e merr atë në mbrojtje edhe sot. Megjithë momentet e vështira, kontakti me ish-shoqen nuk është ndërprerë kurrë: "Ajo ka përjetuar vërtet shumë humbje dhe refuzime. Dhe ëndërra e saj ka qenë që ta kompesojë këtë duke pasur sa më shumë pronë materiale. Asaj i është dashur gjithnjë që të marrë admirim prej të tjerëve. Dhe kjo ishte kthyer në ves. Dhe frika se mos e humbiste këtë ishte e madhe. "

Për Weissenberg-un, debatet për dhunën në familje nuk kanë të bëjnë me ndarjen në burra dhe gra. Ai po ashtu si dhe të tjerët në qendrën këshillimore e dinë shumë mirë se gratë përjetojnë më shpesh dhunë në familje dhe se pasojat për to janë shumë më dramatike. Dhe ai thotë: Lëvizja feministe dhe lufta për të drejta të barabarta ishte ajo që bëri të mundur ndërgjegjësimin për dhunën kundër burrave. Sepse gratë shumë më tepër se burrat filluan të vinin në pikëpyetje imazhin që kanë rolet e gjinive. Për Weissenbergun kjo luftë nuk ka marrë fund.