1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A e ka Ballkani gati planin B për refugjatët?

Nemanja Rujevic24 Janar 2016

Vendet e Ballkanit po përgatiten për fundin e kulturës së mirëseardhjes në Gjermani e Austri. Sipas ekspertëve ato do të imitojnë fqinjët veriorë me justifikimin se nuk kishin zgjidhje tjetër e do të mbyllin kufijtë.

Flüchtlinge Grenze Mazedonien Serbien Balkan Route Winter Kälte
Refugjatë në kufirin mes Serbisë e MaqedonisëFotografi: Reuters/M.Djurica

Çfarë do të thotë konkretisht kufiri maksimal për refugjatët i miratuar së fundmi në Vjenë? Thjesht një vlerë orientimi, si pretendon Partia Socialdemokrate Austriake? Apo do t‘i vihet lloza kufirit jugor sapo të arrihet kufiri i planifikuar i 37.500 refugjatëve që kanë kërkuar azil? Në një kohë që Europa ende vret mendjen se si do të veprohet në të ardhmen, në itinerarin ballkanik ndjehen ndërkohë shqetësimet: Në Serbi, Maqedoni, Kroaci, Slloveni kanë filluar të skicohen skenarë apokaliptikë, sipas të cilëve shtetet që ndodhen nga kufiri i mbyllur i Austrisë do të jenë në pozicionin e një sanduiçi me vazhdimin e fluksit të pandalur nga Egjeu. Një kamp pritjeje për refugjatët - këtë nuk e do asnjë nga ish-Republikat jugosllave.

Kundër ligjit, por…

Që në momentin që Austria mbyll kufijtë, vendet e Ballkanit lejojnë të kalojnë vetëm ata migrantë që deklarojnë me shkrim se kërkojnë të aplikojnë për azil në Gjermani dhe Austri. „Kjo është kundër konventave ndërkombëtare, por ne do të veprojmë kështu“, deklaroi ministri i Brendshëm kroat, Ranko Ostojić në një konferencë shypi të enjten (21.01) Gjithçka varet tani nga Gjermania. Kroacia është një vend tranziti dhe nuk do të jetë një vend hotspot. Kriza duhet zgjidhur në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë”, thotë ministri i Brendshëm kroat. Se ç'nënkuptojnë rregulloret e reja u kuptua që të enjten (21.01), kur policia sllovene shoqëroi duzina imigrantësh që nuk kishin si destinacion Austrinë e Gjermaninë për të kërkuar azil.

Pavle Kilibarda nga Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut nuk është i habitur me këtë panik dhe mënyrë veprimi të shteteve ballkanike. Të gjitha këto shtete e dinë se rregulloret e reja janë në kundërshtim me konventën e Gjenevës. “Por vendet e Ballkanit orientohen nga vendet e mëdha të BE-së. Kur e thyejnë ato të drejtën ndërkombëtare, vendet ballkanike gjejnë kështu një justifikim praktik për të shkelur vetë konventën.”

Refugjatë në MaqedoniFotografi: Getty Images/M. Cardy

Të martën Maqedonia mbylli për 48 orë kufijtë me Greqinë me pretendimin se në Slloveni ka pasur një defekt hekurudhor, që Lubjana e hodhi poshtë menjëherë. Madje vetë kreu i qeverisë serbe, Aleksandar Vučić, përkrahësi më i fortë i politikës së mirëseardhjes të Merkelit në rajon, duket se po lëkundet. Serbia mund të kujdeset maksimumi për 5.000 refugjatë, ndryshe nuk e përballon dot ekonomia serbe. Plani B i Ballkanit do të tregojë po aq shpirtvogëlsi si i pari, thonë ekspertët. Nëse më parë migrantët lejoheshin thjesht të kalonin për në veri, tani ata do të shkojnë në ekstrem dhe do të mbyllin kufijtë.

Refugjatët të ndihmohen por...

Situata politike në këto vende e bën gjendjen edhe më delikate. Kryetari i opozitës sllovene, Janez Janša sulmon qeverinë liberale hapur. Mbyllja e kufijve në Austri do të thotë që refugjatët të qëndrojnë në Slloveni. Me këtë kërcënohet ekzistenca e vendit, thotë ish-kryeministri slloven. Në Kroaci koalicioni konservator, i sapoardhur në pushtet kërkon një politikë shumë më rigoroze kundër refugjatëve. Në Serbi e Maqedoni zhvillohen zgjedhje të parakohshme, ndoshta më 24 prill. Elitat politike do të dëgjojnë me shumë vëmendje opinionin public, mendon aktivisti për të drejtat e njeriut, Kilibarda. “Opinioni publik në Ballkan duket tolerant, refugjatët në gjendje mjerimi duhen ndihmuar thuhet, por ata nuk duhet të qëndrojnë këtu sepse ne vetë jemi të varfër.” Kilibarda beson se në rast ekstrem qytetarët do të mbështesnin ngritjen e një gardhi me gjemba në kufi se sa pritjen e refugjatëve. Kjo do të kishte një efekt domino në vendet ballkanike.

Refugjatët në pritje të uqshimit në MaqedoniFotografi: picture-alliance/AP Photo/T.Stavrakis

Parajsë për kontrabandistët

Sa shpejt mund të ndodhë kjo u tregua në nëntor, kur Sllovenia, Kroacia, Serbia e Maqedonia vendosën të lejojnë udhëtimin tranzit vetëm refugjatëve nga vendet e luftës. Sipas tyre vetëm qytetarët nga Siria, Iraku e Afganistani e plotësojnë këtë kusht. Eritreasit për shembull nuk e plotësojnë këtë kusht sipas tyre, megjithëse atyre në Gjermani praktikisht gjithmonë u njihet azili. Por kontrollet sipas një selektimi të tillë kanë korridoret e tyre të hapura. Jo vetëm që numri I të ardhurve nga Afrika veriore është rritur në mënyrë drastike, aktivisti Kilibarda raporton se ai e kolegët e tij kanë përditë nga marokenët e iranianët kërkesa për ndihmë ligjore. Fundjavën e shkuar policia serbe arrestoi pesë serbë që po kontrabandonin njerëz nga Tuqria, Somalia, Nigeria, India e Sri Lanka.

Opinionisti slloven Uroš Esih është pesimist. “Korridori humanitar do të kthehet brenda natës në një minierë ari për kontrabandistët. Kështu tek fortesa Europë do të hyjnë vetëm ata që kanë para për të paguar kontrabandistët,” shkruan ai për portalin "Večer". Kështu me kufirin maksimal të vendosur në Austri itinerari ballkanik nuk është më itinerar i zakonshëm për në Europë. Kontrabandistët që tani kanë filluar të fërkojnë duart.