1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurti–Rama:Mini-Shengen ballkanik apo Makro-Shengen shqiptar

11 Shkurt 2020

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Tiranë: Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka nevojë për një shpejtësi të re.

Albanien | Kosovo | Kurti | Rama
Fotografi: DW/A. Ruci

Tirana ishte të martën ( 11.02.) stacioni i parë i vizitave zyrtare në rajon të Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës.  Në takimet brenda pak më shumë se pesë orëve të qëndrimit në Tiranë,  Albin Kurti , dha një mesazh konstant në takimet me autoritetet e larta: bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka nëvojë për një shpejtësi të re.

" Dëshiroj që në këtë dekadë të tretë të shekullit 21-të të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri, çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona. Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk janë çështje që presin, në asnjë fushë”,  tha kryemnistri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Në këtë prioritet ai përfshiu edhe mirënjohjen për mbështetjen konseguente që Shqipëria i ka dhënë Kosovës.

" Kosova nuk do t'ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por, po ashtu, as në paqe pa Shqipërinë. Prandaj, ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin 21-të të ecim bashkë, shpejt, fuqishëm”,  tha Kurti.

Ai konsideroi si fusha prioritare të bashkëpunimit ekonominë, arsimin, politikën e jashtme dhe ҫështjet e sigurisë.

Të njëjtën dëshirë bëri publike edhe kryeministri Rama .

“ Synojmë një shpejtësi të re në bashkëpunimin në të gjitha fushat , duke gjetur angazhim dhe  gatishmëri të plotë reciprokisht”,  theksoi ai në konferencën e përbashkët për shtyp.

Mini- Shengen Ballkanik,  Makro- Shengen shqiptar dhe Procsi i Berlinit

Por nëse në parim palët kanë gatishmëri reciproke për shpejtësinë e re të bashkëpunimit, ato kanë pikpamje të ndryshme për formatin. Si do të realizohet, përmes cilës rrugë dhe proces?

Kryeministri i Kosovës e sheh rrugën në një term të ri , në krijimin e Makro-Shengenit shqiptar, që do të bëjë të mundur "bashkëpunimin mes dy vendeve fqinjë me një shpejtësi të re”, theksoi ai në konferencën për shtyp

Por kryeministri i  Shqipërisë, Rama e sheh rrugën tek bashkëpunimi rajonal, tek procesi i krijimit të Mini-Shengenit Ballkanik sipas modelit  të Shengenit Europian.

 "Nuk ka Makro-Schengen shqiptar pa Mini-Shengen Ballkanik. Makro-Shengeni shqiptar është i lidhur ngushtësisht me Shengenin rajonal”, tha prerë dhe pa ekuivoke kryemnistri Rama.

Ai solli në vëmendje që " në vazhdën e Procesit të Berlinit na hapet rruga, e  mbyllur prej të gjitha viteve, për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, për të pasur lëvizje të lirë mes nesh, jo vetëm të mallrave, të kapitaleve, të shërbimeve, por dhe të njerëzve, çka deri dje ishte e paimagjinueshme për shkak të rezistencës, jo vetëm të Serbisë, por dhe të gjitha vendeve të tjera”,  tha Rama.

Ai vuri në dukje se "as Serbia e as vendet e tjera nuk na thonë dot tani që po bëjmë Shqipërinë e madhe, nëse heqim kufirin”.

Qëndrimi i kryeministrit Kurti ndaj projektit rajonal të krijimit të Mini-Shegenit ballkanik nuk është i papritur. Kosova nuk ka marrë pjesë në asnjë nga takimet e deritanishme për të realizuar këtë nismë rajonale, të përshëndetur nga BE-ja.

Vizita e kryeministrit Albin Kurti solli edhe rezultate konkrete.  Rama dhe Kurti kanë rënë dakord të ngrejnë një komision shtetëror të përbashkët,  të përbërë nga ministra dhe deputetë, që do të ndjekë ecurinë e marrëveshjeve dy palëshe dhe të nxisë ”vullnetin politik për ҫështje që nuk kanë ecur përpara”.