1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush i kreu atentatet në Egjipt?

Peter Philipp25 Prill 2006

Pas sulmeve në Taba në vitin 2004 dhe në Sharm-el-Sheik te 2005 autoritetet egjiptiane mendojnë se atenatorët duhet të jenë nga radhët e popullsisë beduine në gadishullin e Sinait.

Sulm terrorist në Dahab, Egjipt
Sulm terrorist në Dahab, EgjiptFotografi: AP

Ka vite që raportet mes beduinëve dhe qeverisë në Kairo janë të tensionuara, sepse banorët e shkretëtirës janë sa të varfër dhe krenarë, dhe e ndjejnë veten të trajtuar si qytetarë të klasit të dytë. Kjo ndjenjë u përforcua edhe më tej, kur pas sulmeve të para u arrestuan dhe u morën në hetuesi mijëra beduinë. Gjithsesi dorasit deri më sot nuk janë gjetur.

Ndoshta përgjegjësit për këto atentate nuk janë nga radhët e kësaj popullsie, e cila akuzohet prej të gjithëve, sepse lufta kundër sistemit ka traditë në Egjipt. Nxitës të kësaj lufte janë në radhë të parë islamistët radikalë.

Që në vitin 1928 mësuesi i shkollës fillore, Hasan al-Banna, themeloi në Egjipt "Vëllazërinë myslimane", e cila predikonte vlerat islame dhe dënonte orientimin e vendit ndaj perëndimit dekadent. "Vëllazëria myslimane" filloi madje edhe luftën ndaj qeverisë, që e konsideronte si mbrojtëse të perëndimit.

Shteti egjiptian ju përgjigj me dhunë kësaj veprimtarie. Shumë vëllezër-myslimanë përfunduan burgjeve, u vranë ose u emigruan. Nga ana tjetër ka kohë që islamistët po përpiqen që të marrin pjesë në procesin politik të vendit, të paktën indirekt, sepse organizata e tyre është e ndaluar.

Por grupimet radikale në radhët e islamistëve nuk janë të gatshme të presin që të marrin pjesë në zgjedhje. Ndër ta bëjnë pjesë në radhë të parë të ashtuajtuarit afganë, të cilët në moshë të re u radhitën në krah të muxhahedinëve në luftë kundër pushtuesve sovjetikë në Afganistan. Aty ata mësuan që të përdornin armët dhe lëndër shpërthyese. Pas largimit të pushtuesve sovjetikëve, anëtarët e "brigadës ndërkombëtare arabe" u kthyen në vendet e tyre dhe filluan të luftojnë për përmbysjen e qeverive të tyre.

Ata që mbetën në Afganistan vazhduan të mbështetnin grupet ilegale në Algjeri dhe në Egjipt. Pas sulmeve të vitit 1997 në Luksor të Egjiptit, ku gjetën vdekjen rreth 60 turistë, pati arrestime masive dhe gjendja u qetësua. Por, mesa duket megjithë luftën dhe masat e qeverisë qelizat në Egjipt nuk janë shuar dhe mbajnë lidhje me "Al Kaidën", shefi idieologjik i së cilës, Ajman al-Zawahiri, është egjiptian, dhe i takon kampit radikal islamik të Egjiptit.

Për këtë atentatet dhe goditjet në gadishullin e Sinait duhet të jenë pasojë e ndërthurjes së disa faktorëve: opozitës radikale brenda vendit, beduinëve të pakënaqur dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Qëllimi i aksioneve terroriste nuk është goditja e izraelitëve, të cilët e frekuentojnë shumë këtë zonë. Qëllimi është që të tronditet turizimi në Egjipt, i cili i sjell vendit të ardhura në miliarda dhe bashkë me të edhe i qeverisë egjiptiane.

Gjithsesi sulme të tilla as do të arrijnë ta përmbysin qeverinë egjiptiane dhe as t'i bëjnë egjiptianët t'i kthejnë krahët qeverisë së tyre. Përkundrazi, egjiptianët do ta ndihmojnë qeverinë për t'iu kundërvënë grupeve terroriste.