1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arsimi për të rriturit në Maqedoni

26 Mars 2012

Ministria e Arsimit në Maqedoni bashkë me USAID-in po realizojnë projektin “Arsimim për të rritur” që i mundëson të moshuarve të pajisen me diplomën e arsimit të mesëm.

Fotografi: DW

Projekti “Arsimim për të rritur”që u mundëson personave në moshë madhore të kryejnë arsimin e mesëm po realizohet me sukses në tre komuna të Maqedonisë, Haraqinë, Qair dhe Prilep. Drejtoresha e Qendrës për arsimim professional dhe trajnimin, Lindita Qazimi, e cila mbikqyr realizimin e këtij projekti, thotë se numri i personave, të cilët pajisen me diplomë të shkollave të mesme, përmes shfrytëzimit të programit qeveritar për shkollim të të moshuarve, çdo ditë e më shumë vjen duke u rritur.

Arsimi i mesëm në Maqedoni është i detyrueshëm me ligj. Interesimi i kandidatëve është i madh, sepse janë një numër i madh të punësuarish që në këtë mënyrë ruajnë edhe vendet e tyre të punës. “Të pajisesh me diplomën e një shkolle të mesme, të cilën deri në atë moment nuk e ke pasur, mendoj se hap mundësi qoftë për punësim qoftë edhe për avancime në sfera të tjera të ndryshme“, shprehet Lindita Qazimi.

Arsimimi edhe në moshë të pjekur sjell avantazheFotografi: DW

Në komunën e Haraqinës, në fazën e parë të projektit janë përfshirë rreth 400 kandidatë. Për shkak të interesimit të madh në këtë komunë do të fillojë edhe faza e dytë e projektit. “Ata që më parë nuk kanë pasur mundësi të shkollohen, kanë pasur punë bujqësore, por edhe nuk kanë pasur mjete financiare të shkojnë në shkollë të mesme. Tani kur furnizohen me diploma të shkollës së mesme profesionale, ekonomike, dhe të tregtisë, në të ardhmen kjo do t'ju shërbejë për punësime të mëtejshme”, thotë Basri Bajrami kryetar i komunës së Haraqinës.

Shkollimi duhur mban edhe vendin e punës

Sipas përgjegjësit në Sektorin për arsim në komunën e Çairit, Nuhi Dardhishta, rreth 42% e banorëve të moshuar në këtë komunë nuk kanë të mbaruar shkollimin e mesëm. Projekti në fjalë është një shans i mirë që ata të pajisen me diplomën e shkollës së mesme. “Për herë të parë do të kërkojmë drejtimin ekonomik kurse menjëherë më pas do të aplikojmë edhe me drejtimin e gjimnazit, sepse këto dy drejtime kërkohen më shumë nga administrata komunale dhe shtetërore”.

Kandidatët që ndjekin këtë mënyrë shkollimi janë të kënaqur, sepse ajo ju mundëson ruajtjen e vendit të të punës edhe pajisjen me dilpomë. “Ka tre vite që jam e punësuar, po tani më duhet diploma e arsimit të mesëm. Është mirë që orari i mësimit mbahet në mbrëmje dhe nuk kam pengesa në punë”, shprehet Ibadete Selimi, që ndjek profilin e tregëtisë në shkollimin e mesëm. Projekti ”Arsimim për të rritur” është mbështetur financiarisht nga USAID.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi