1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush po i mbyll sytë para katastrofës në Irak?

Karsten Kyntop19 Prill 2007

Në Irak po zhvillohet një dramë e vërtetë refugjatësh, e cila deri tani në masë është injoruar prej bashkësisë ndërkombëtare.

Fotografi: AP


Gati katër milionë irakianë kanë ikur nga vendi i tyre, për shkak të frikës nga shpërthimet e përditshme. Pjesë më e madhe ka ikur në vendet fqinje: në Siri, Jordani dhe Liban. Janë këto vende mjaft të varfëra, ndërkohë që BE dhe SHBA kanë kthyer shikimin në anën tjetër. Suedia liberale është e vetmja e cila deri tani ka ofruar ndihma. Ndërkohë përfaqësuesit e OKB kanë vendosur të sensibilizojnë opinionin.

Iraku ngadalë po shkrihet. Më shumë se dy milionë irakianë kanë ikur jashtë vendit, ndërkohë që po aq gjenden në arrati brenda Irakut. Për çdo muaj numri i refugjatëve dhe të zhvendosurve shtohet për 40 deri në 50 mijë. Së shpejti një në pesë irakianë do të jetë refugjat. Eshtë ky një rast i pashembullt në historinë më të re, të paktën që prej vitit 1948. Bashkësia ndërkombëtare është zgjuar tepër vonë. Tani katër vjet pas ndërhyrjes së udhëhequr prej trupave amerikane në Irak, UNHCR-ja dhe organizatat tjera që merren me refugjatët, organizuan një konferencë ndërkombëtare për ndihmën e refugjatëve.

Zgjimi ishte tepër i vonë edhe për faktin që Qeveria irakiane dhe SHBA shpesh për qëllime politike e kanë prezantuar gjendjen ndryshe nga realiteti. Nuk mund ta alarmosh botën se ekziston një gjendje e rëndë humanitare, në qoftë se tërë kohën pohon se gjendja është në prag të një ndryshimi pozitiv. Edhe në kohën e Sadam Huseinit çdo ditë largoheshin njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe kërkonin strehim diku tjetër, brenda apo jashtë vendit. Pas rrëzimit të diktatorit, qindra mijëra njerëz me plot shpresë u kthyen në vendlindje dhe në shtëpitë e tyre. Por kaosi i shkaktuar pas ndërhyrjes amerikane dhe dhuna e pakontrolluar bënë që me qindra mijëra irakianë të lëshojnë shtëpitë e tyre.

Evropa deri tani kishte vetëm një përgjigje ndaj krizës së refugjatëve: vendet fqinje duhet të merren me këtë problem. Evropa nuk ishte ajo që merret me këtë problem, e të mos flasim për SHBA të cilat ndoshta edhe janë fajtori kryesor për këtë fatkeqësi. Ishin Jordania dhe Siria e varfër. Në Jordani janë strehuar 750.000 irakianë, që është një numër i jashtëzakonshëm, kur dihet se ky vend ka më pak se gjashtë milionë banorë. Sa për ilustrim: për të qenë zemërgjërë sa Jordania, Gjermania do të duhej të pranonte për shembull 12 milionë refugjatë. Gjermania në veçanti po luan një rol të gabuar, sepse gjatë vitit të kaluar u ka ofruar vendstrehim 189 irakianëve, ndërkohë që statusi i refugjatit nuk i është njohur më shumë se 4.200 irakianëve. Kjo nuk është njerëzore dhe është e tupshme. Disa ministra të brendshëm duan që të fillojnë sa më parë me largimin e tyre.

Pas konferencës ndërkombëtare të UNHCR-së në Gjenevë në Luksemburg do të mblidhen ministrat e brendshëm, të cilët do të diskutojnë për krizën e refugjatëve në Irak. Mbase kryesia gjermane e radhës e BE do të frymëzohet nga njerëzia dhe humanizmi i treguar në Siri dhe Jordani dhe do të angazhohet për një politikë më njerëzore ndaj refugjatëve irakianë.