Kushtetuta serbe: Reagime nga Kosova
2 Tetor 2006
Parlamenti i Serbisë, miratoi kushtetutën e shtetit serb në të cilën Kosova përfshihet si pjesë e Serbisë edhe pse delegacioni nga Beogradi merr pjesë në të gjitha takimet shqiptaro-serbe për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se, parlamenti serb po vazhdon destruktivetin e tij në procesin negociator. Qeveria e Kosovës miratimin i kushtetues serbe e cilëson një akt të brendshëm të Serbisë që nuk do të ketë kurrfarë efektesh në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Arben Qirezi, është këshilltar i parë politik i Kryeministrit të Kosovës.
'Qeveria e Kosovës vendimin e Kuvendit të Serbisë e konsideron si çështje të brendshme të saj, sepse këto janë lojëra të brendshme politike të qeverisë serbe, të cilat nuk do të kenë kurrfarë ndikimi në procesin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës,' thotë Arben Qirezi.
Përfaqësues të opozitës në Kosovë, ndërkaq, thonë se, miratimi i kushtetutës së Serbisë ku Kosova përfshihet si pjesë e saj, është një akt politik dhunues, i cili dëshmon se Serbia edhe në të kaluarën por edhe tash është inkubator i konflikteve në Ballkan dhe mbi të gjitha dëshmon se lidershipi serb gjendet edhe më tutje aty ku ka qenë para 20 vjetësh.
Por nuk janë të një mendimi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Shefi i Grupit parlamentar nga "Lista serbe për Kosovë dhe Metohi", Rangjell Nojkiq, vendimin e kuvendit të Serbisë për kushtetutën e cilëson një akt legjitim.
Ndoshta, shqiptarët e Kosovës vendimin e kuvendit të Serbisë në momentin e zhvillimit të procesit negociator të Kosovës e konsiderojnë një lloj provokimi por, një gjë është e qartë se rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit edhe më tutje është në fuqi dhe se në Kuvendin e Serbisë ndodhi pikërisht kjo rezolutë, e cila e njeh të drejtën e tërësisë territoriale të Serbisë duke e përfshirë këtu edhe Kosovën. Prandaj vendimin e Kuvendit të Serbisë ne e shohim si një akt legjitim edhe kur është fjala për Kosovën, tha Rangjel Nojkiq. Sipas tij, për këtë ëështje mund të bisedohet vetëm pasi të përcaktohet statusi final i Kosovës, ndërsa deri atëherë këtë të drejtë Serbisë thotë ai, nuk mund t'ia mohojë askush në këtë mes as bashkësia shqiptare në Kosovë.