1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lajçak: Të shfrytëzohet potenciali i propozimit të BE-së

20 Janar 2023

Pesë emisarët ndërkombëtarë të kryesuar nga ndërmjetësi Mirosllav Lajçak qëndruan të premten në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga Prishtina ata udhëtuan për në Beograd.

Kosovo Ministertreffen
Fotografi: Office of the Prime Minister of Kosovo

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit në Prishtinë u shpreh, se ai dhe emisarët e tjerë që e shoqëronin kanë pritur mirëkuptim më të madh rreth mundësive që ofron propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirosllav Lajçak, së bashku me të ngarkuarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dërguarit e Francës dhe Gjermanisë, këshilltarët Emmanuel Bonne dhe Jens Plettner, si dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë,  takuan të premten paradite kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në një takim të gjatë me dyer të mbyllura. 

Fotografi: Office of the Prime Minister of Kosovo

Herët për deklarata dramatike

Lajçak tha se qëllimi i takimit me kryeministrin Kurti, ishte diskutimi i propozimit për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, të cilin ia kishin prezantuar Kurtit në shtator si dhe më vonë në muajin dhjetor të vitit të shkuar. "Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike sepse siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur kuptim më të mirë të mundësive që ky propozim i ofron. Shpresoj të mbërrijmë atje, tek mirëkuptimi i plotë si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak.

Sipas tij "Bashkimi  Evropian dhe SHBA-ja, janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, dhe  këtë sipas tij "e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takim”.

Presioni ndaj Prishtinës rritet

Politikanët në Prishtinë janë shprehur më herët se propozimi i BE-së, apo plani ‘franko-gjerman' paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë. Kurse Beogradi zyrtar nuk e shikon planin të favorshëm për Serbinë. Në tekstin e planit Franko-Gjerman  pjesë të të cilit  kanë publikuar mediet në Prishtinë, thuhet se palët janë të vetëdijshme se pacënueshmëria e kufijve dhe integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kushtet themelore për paqen. Plani gjithashtu, parasheh njohjen e simboleve shtetërore dhe një marrëveshje të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Fotografi: Office of the Prime Minister of Kosovo

Autoritetet e Prishtinës kohët e fundit janë nën presion që të nisin punën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës i dalë nga një marrëveshje  vitit 2013. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti refuzon formimin e Asociacionit duke arsyetuar, se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se qeveria nuk mund të krijojë Asociacion njëetnik. Serbia, në anën tjetër e kushtëzon normalizimin e mëtejshme të raporteve me Kosovën pikërisht me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kryeministri Kurti, megjithatë së fundmi nuk e ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të diskutohet në kuadër të një marrëveshjeje finale për normalizimin e raporteve, por përjashton mundësinë që Asociacioni të jetë njëetnik.