Lamtumirë rritje ekonomike në Evropë?
22 Prill 2013"Situata këtë vit është më e qetë, se vitin e kaluar", tha ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble në fund të takimit të pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore në Uashington.
Në fakt, shqetësimet për shpërbërjen e eurozonës janë pakësuar. Por konjuktura në Evropë mbetet e dobët dhe shumë vetë kjo i nervozon. FMN pret këtë vit një rënie të vogël të ekonomisë në eurozonë, kurse në vitin pasues një rritje të lehtë prej 1,1 përqind.
Shumë më tepër nuk mund të presësh nga Evropa vitet e ardhshme, thotë Schäuble. "Kuotat e rritjes së qendrueshme ekonomike të Evropës do të lëvizin në vitet e ardhshme në nivelin 1,5 përqind."
Schäuble tha, se stabiliteti është për evropianët më i rëndësishëm se rritja ekonomike. "Ai që e ka mendjen në rritje të lartë ekonomike në Evropë, ai i futet rrezikut që ta lërë disi pas dore zgjidhjen e problemeve të tij."
Por vende afrikane si Nigeria, si dhe SHBA kërkuan që të nxitet rritja ekonomike. "Shtimi i kërkesës në Evropë është vendimtar për ekonominë botërore", tha ministri i ri i Financave të SHBA, Jacob Lews, para Komisionit drejtues të FMN. Një Evropë me rritje më të fuqishme ekonomike, ishte argumenti i Lews, mund të ketë kërkesë më të madhe për produkte nga pjesë të tjera të botës, duke ndikuar kështu në rritjen ekonomike të përbotshme.
Tepër shumë para
Por varësia nga rrymat ndërkombëtare të parave, nga ana tjetër mund të kthehet në një problem në rritje. Interesat bankare në Japoni, në SHBA dhe në Evropë janë gati në nivelin zero, njëkohësisht, bankat e mëdha qendrore hedhin në treg, përmes programeve për blerjen e kredive mijëra miliarda dollarë në tregje, me shpresë se do të nxisin rritjen e ekonomisë botërore. Pasoja janë rryma gjigande parash në kërkim të fitimit - edhe në vendet në zhvillim dhe në ato në ekspansion ekonomik.
"Rreziqet e politikës monetare ultraekspansive, dalin gjithmonë e më në pah në diskutime", tha Jens Weidmann, Presidenti i Bankës Qendrore Gjermane. Si rreziqe Weidmann përmendi shmangie të kursit të këmbimit, flluska spekullimesh dhe borxhe shumë të mëdha. Veç kësaj, vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion ekonomik bëhen veçanërisht të varura, nëse rrymat e parave, p.sh. për shkak të rritjes së interesave bankare, papritur do të pushonin.
Zyrtarisht nuk ka grindje
Ministri gjerman i Financave theksoi disa herë se nuk ka mosmarrëveshje për ritmin e reformave. Reduktimi i deficiteve financiare është i nevojshëm dhe duhet vazhduar, ranë dakord pjesëmarrësit.
Shefja e FMN-së, Christine Lagarde pati thënë gjatë takimit të pranverës se Spanjës i duhet më shumë kohë për reformat e saj dhe në deklaratën përfundimtare u përmend një balancë midis nxitjes së konjukturës dhe kursit të reformave.
Autor: Andreas Becker/ Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica