190810 D Bildungsmonitor
21 Gusht 2010Instituti i Ekonomisë gjermane harton çdo vit një monitorim
Në Berlin këtë javë nxënësit përgatisin çantat e shkollave. Pas gjashtë javësh pa mësim, pushimet e verës i afrohen fundit. Të hënën (23.08.) ai fillon sërish, serioziteti i të mësuarit. Si problematike është me të vërtetë gjendja e arsimit në Berlin, këtë e tregon monitori i arsimit të vitit 2010. Në këtë studim të hartuar nga Instituti i Ekonomisë gjermane, me porosi të Iniciativës Ekonomia e Re e Tregut (INSM), prapa së cilës qendrojnë shoqata ekonomike, kryeqyteti gjerman zë vendin e fundit nga 16 vende, siç thotë Hubertus Pellengar, drejtor i INSM:
"Një pjesë relativisht e madhe e nxënësve të Berlinit nuk plotëson standardet minimale, për shembull në lexim dhe nuk e arrin pjekurinë e nevojshme për shkollim. Veçanërisht ndër të rinjtë e huaj, kuota e ndërprerjes së shkollës është veçanërisht e lartë, shumë e lartë. Berlini ka veç kësaj edhe dobësi në shkollimin profesional."
Berlini dhe Bremeni paraqiten dobët në integrim
Në Berlin, gati 20% e të rinjve të huaj largohen nga shkolla pa e përfunduar atë, vetëm Bremeni ka në këtë drejtim rezultate më të dobëta. Nxënës me origjinë emigranti megjithatë nuk e kanë të lehtë as në landet e tjera të Gjermanisë. Në temën e integrimit e gjithë Gjermania ka mbetur në klasë, thotë Hans-Peter Klës, Drejtor i Institutit të Ekonomisë gjermane:
"Ne e dimë nga të gjithë indikatorët, se vazhdon të ekzistojnë dallime të mëdha përsa i përket mundësivë për akses në arsim, në tregun e punës, në karrierë, në të ardhura, nëse je me origjinë emigranti, apo jo. Ky është vendi, ku duhet punuar, edhe nga pikëpamja e ekonomisë. Kjo është shumë e rëndësishme."
Ekonomia s'ia lejon dot vetes të mos punësojë të rinjtë e huaj
Një në tre fëmijë nën moshën pesë vjeç në Gjermani sot është me origjinë emigranti, kjo në një kohë, kur numri i përgjithshëm i popullsisë është në rënie. Ekonomia nuk do të jetë më në gjendje ta përballojë heqjen dorë nga punësimi i të rinjve me origjinë të huaj. Por e parë me sy ekonomik, ka rëndësi edhe ajo që mësojnë sot dhe nesër nxënësit gjermanë. Ekonomia ka nevojë për më shumë inxhinierë dhe këtu aftësitë në histori, sport, ose muzikë luajnë pak rol. Ai që dëshiron të ketë rezultate të mira në monitorimin e arsimit, duhet të vendosë pikërëndesa të tjera, bën të qartë Hubertus Pellengahr:
"Saksonia dhe Tyringia zënë vendet e para ndër të tjera edhe sepse kanë ndërmarrë përpjekje të suksesshme në të ashtuquajturat shkencat MINT, pra në matematikë, informatikë, shkenca natyrore dhe teknikë."
Autor: Sabine Kinkartz / Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica