1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Larg konvencionales - filmi pas viteve '60

14 Janar 2012

Vitet 1960- të sollën një ndryshim rrënjësor në kinemanë gjermane. Një brez i ri autorësh filmi u shfaq në skenë, duke e bërë çdo gjë ndryshe.

Skenë nga filmi "dito" i rregjisorit Rainer Werner Fassbinder
Skenë nga filmi "dito" i regjisorit Rainer Werner FassbinderFotografi: EUROVIDEO

Kriza ekonomike dhe artistike e filmit komercial shtroi në vitet 1960 rrugën për një brez të ri autorësh filmi: Rainer Werner Fassbinder, Werner Herzog, Alexander Kluge dhe Wim Wenders i dhanë me veprat e tyre ngjyrat filmit të ri gjerman.

Nga Franca ata morën idenë e autorëve të filmave të Nouvelle Vague, shumë u ndikuan nga lëvizjet studentore. Nga ky moment regjisorë si Werner Schroeter, Jean-Marie Straub dhe Hans-Jürgen Syberberg filluan t`i shkruanin vetë skenarët e filmave duke u përpjekur që me një gjuhë të re vizuale të zëvendësonin filmin konvencional.

Skenë nga filmi "Despair" i regjisorit Rainer Werner FassbinderFotografi: EUROVIDEO

Privatja është politike

Temat e autorëve të Filmit të ri gjerman erdhën kryesisht nga jeta e përditshme, me to u treguan historitë e njeriut të zakonshëm ose u përshkruan problemet e partneritetit si përshembull në filmin e Ulrich Schamonis "Gjëja" (1966) ose "Vaktet" (1967) të Edgar Reitz. Seksualiteti u tematizua shpesh. Aktorët nuk u zgjodhën më si bukuri të qeta, por si fytyra me karaktere. Autorët e filmit të ri gjerman hoqën dorë nga përsosmëria teknike dhe punuan më shumë me aktorë amatorë. Werner Herzog mori për "Shenja jete", filmin e tij të parë me tirazh të gjatë, Çmimin Federal të Filmit në vitin 1968.

Shkrimtari dhe regjisori gjerman Rainer Werner FaßbinderFotografi: AP

Ajo që bashkoi regjizorë kaq të ndryshëm si Volker Schlöndorff, Rudolf Thome dhe Peter Fleischmann nuk ishte stili i përbashkët, por rigoroziteti me të cilin ata refuzuan të përdornin nocionet tradicionale të filmit si fabrikë ëndërrash: "Amerikanët kanë kolonializuar vetë ndërgjegjen tonë", thotë Wim Wenders në filmin e tij artistik "Në rrjedhën e kohës" (1976).

Tema e urrejtjes ndaj të huajve

Në melodramën e tij "Frika ha shpirtin" (1973) Rainer Werner Fassbinder tregon për një marrëdhënie dashurore gjermano- marokane, për urrejtjen ndaj të huajve dhe mekanizmat e  shtypjes sociale. Autorë filmash si Helke Sander, Helma Sanders-Brahms dhe Margarethe von Trotta vunë në pyetje rolin e gruas në familje dhe në shoqëri. Në kinemanë e filmit të ri gjerman, Gjermania federale u shfaq si një vend në ndryshim, vend i pakënaqësisë ndaj sistemit të vlerave të etërve, që ishin përgjegjës për nacionalsocializmin dhe vrasjet milionëshe të hebrejve.

Përpunimi i së kaluarës në kinema - filmi"Lili Marleen" nga Rainer Werner Fassbinder

E kaluara nacionalsocialiste në kinema

Regjisorë si Alexander Kluge, Edgar Reitz dhe kryesisht Rainer Werner Fassbinder shtruan çështjen e të kaluarës nacionalsocialiste dhe të pasojave të saj mbi Republikën Federale, Fassbinder në melodramën e tij "Martesa e Maria Braun" (1978) dhe "Lili Marleen" (1980).

Sot Fassbinder vlerësohet si përfaqësues i rëndësishëm i Kinemasë së re Gjermane. Qoftë sepse ai ka qenë më produktiv se çdo regjisor tjetër, duke inskenuar në 17 vjet mbi 50 filma, pjesë teatrale dhe seri televizive, por edhe sepse ai është nga përfaqësuesit më kapriçozë të Kinemasë së re Gjermane duke zgjuar me punimet e tij Gjermaninë nga gjumi i "bukuroshes së fjetur".

Karakteristikat kryesore të Volker Schlöndorff-it ishin përshtatjet në film të letërsisë: "Nderi i humbur i Katharina Blum" (1975, sipas tregimit të mbajtësit të Çmimit Nobel Heinrich Böll) mbi gazetarinë sensacionale të gazetës Bild dhe "Daullja prej llamarine" (1979, sipas romanit me të njëjtin titull të mbajtësit të Çmimit Nobel, Günter Grass) mbushën arkat e kinemave. Mjeshtërinë e tyre, ashtu si Schlöndorff, regjisorët e Filmit të Ri Gjerman e mësuan jashtë vendit, ose e mblodhën përvojën e tyre me këtë medium në mënyrë autodidakte, duke filluar të xhironin filma të shkurtër pa patur shumë njohuri teknike.

Skenë nga filmi "Daullja prej llamarine"

Anarki në kinema

Si për shembull Herbert Achternbusch, i cili theu me filmat e tij tabu shoqërore. Achternbusch sulmoi Kishën Katolike duke sulmuar me skena provokante qëllimisht pa shije pikëpamjet e saj hipokrite mbi shoqërinë. Heroi i tij në filmin "Comanche" (1979) është një komansh, i cili gjendet në koma. Por duke patur ende aftësinë për të ëndërruar. Në film një mjek merr nëpërmjet antenave dhe ekraneve ëndërrat nga koka e tij dhe ia shet televizionit. Antena e vendosur në kapakun e kokës së pacientit i ngjan një pende të një indiani. Ëndërrimtari u kthye në simbol të një artisti, i cili i përkiste një fisi të zhdukur.

Me sukes në festivale

Asnjë kinematografi tjetër nuk ka qenë aq e suksesshme sa ajo gjermane, nëse sheh çmimet e festivaleve, që filmi i ri gjerman ka marrë nga fundi i viteve 1960-të deri në fillim të viteve 1980. Dhe Republika Federale e ndihmoi këtë zhvillim me ligjin për promovimin e filmit, i cili u fut në fuqi më 1 janar 1968 dhe ka efekt të qëndrueshëm edhe sot. 

Autor: Michael Marek / Aida Cama

Redaktoi: E. Xhani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW