1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lavrov: Politika e SHBA -"problematike dhe e paskrupullt"

16 Janar 2018

Ndryshime në marrëveshjen me Iranin, krizë e Koresë së Veriut e sjellje në konfliktin e Sirisë - kritika e ministrit të Jashtëm rus ndaj politikës së jashtme amerikane nuk ka fund. Ai shprehet edhe për të ardhmen e tij.

Russland Sergei Lawrow bei seiner Pressekonferenz
Fotografi: Getty Images/AFP/Y. Kadobnov

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov gjeti fjalë të qarta në konferencën e tij vjetore të shtypit në adresë të SHBA. Ai e sulmoi ashpër Uashingtonin. Metodat e politikës së jashtme të SHBA Lavrovi i quajti "problematike dhe të paskrupullta". Kritika të qarta formuloi ai veçanërisht ndaj ultimatumit të Presidentit të SHBA Donald Trump për të ndërmarrë ndryshime në marrëveshjen atomike me Iranin. Deklaratat më të fundit të Trumpit nuk çojnë në "optimizëm ose stabilitet" në marrëveshjen e Iranit, tha Lavrovi. "Ne nuk do të mbështesim, atë që përpiqen të bëjnë SHBA, pikërisht që të ndryshohet formulimi i një marrëveshjeje dhe të futen në të gjëra, të cilat janë krejtësisht të papranueshme për Iranin", tha Lavrovi. 

Rusia do t'i bindë SHBA

Në lidhje me marrëveshjen atomike, Trumpi i la edhe më tej të shfuqizuara sanksionet e hequra të SHBA ndaj Iranit, por njëkohësisht kërkoi ashpërsimin e kushteve të vendosura Iranit. Duhet të mbyllen "boshllëqe shkatërrimtare", përndryshe Uashingtoni do të tërhiqet nga marrëveshja, deklaroi Trump.

Fotografi: Getty Images/AFP/Y. Kadobnov

Në këtë kuadër, kryediplomati rus paralajmëroi për pasoja negative që do të kishte te kriza e Koresë së Veriut një tërheqje nga marrëveshja atomike me Iranin. Nuk mund të spekulohet, që të lidhet me Kim Jong Un-in një marrëveshje e ngjashme si me Iranin, kur pikat për të cilat është rënë dakord me Iranin nuk respektohen. Kërcënimet nga Uashingtoni e kanë keqësuar në vitin 2017 gjendjen e tensionuar në pjesë të ndryshme të botës, tha Lavrovi.

Sipas tij, SHBA nuk e njohin "realitetin e një bote multipolare" dhe nuk i dëgjojnë pikëpamjet e fuqive të tjera botërore. "Ne do të përpiqemi edhe më tej t'i bindim SHBA, se Irani i plotëson detyrimet e tij", tha Lavrovi.

E ardhmja e Lavrovit mbetet e paqartë

Lavrovi është një mbështetje qendrore e politikës së jashtme të Presidentit Vladimir Putin. Lavrovi ndodhet në post që prej vitit 2004 dhe është në këtë mënyrë njëri nga anëtarët e qeverisë me vjetërsi më të madhe në detyrë. Në qarqet e ekspertëve të Moskës ka fjalë se diplomati 67 vjeçar mund të largohet pas zgjedhjeve presidenciale në mars dhe rizgjedhjes së pritshme të Putinit. Por për këtë Lavrovi nuk u shpreh. "Unë nuk jam mësuar të bëj gjë tjetër veçse të garantoj punën maksimale efektive të ministrisë sonë, dhe tani kjo është detyra ime më e rëndësishme", tha ai. 

AUD