1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lavrov shikon rrezik real të një lufte botërore

26 Prill 2022

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov paralajmëron nga rreziku i shpërthimit të një lufte të tretë botërore. Ndërkohë në Moskë të martën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres takohet me presidentin Putin.

Lawrow sieht "reale Gefahr" eines dritten Weltkrieges
Fotografi: Attila Kisbenedek/AFP/Getty Images

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov e quan të mundur që lufta e Ukrainës të mund të shtrihet në një luftë botërore. "Rreziku është real, ai nuk duhet nënvlerësuar", deklaroi Lavrov në televizionin rus. I pyetur në një krahasim me situatën e krizës së Kubës, Lavrov tha, se "atëherë vërtet kishte pak rregulla, rregulla të shkruara". Por "rregullat e sjelljes" ishin shumë të qarta, në Moskë ishte e qartë, si sillet Uashingtoni dhe për Uashingtonin ishte e qartë, se si do të sillej Moska. Edhe sot ka pak rregulla, tha Lavrov duke iu referuar marrëveshjes për çarmatimin bërthamor, New Start. Por "në të njëjtën kohë praktikisht janë shkatërruar të gjitha instrumentat e tjera të kontrollit të çarmamit dhe mospërhapjes".

Gjatë krizës së Kubës ka pasur një kanal komunikimi, të cilit liderët e Bashkimit Sovjetik dhe SHBA i besonin, sipas Lavrov. Sot nuk e kemi një kanal të tillë dhe askush nuk përpiqet ta krijojë atë. Në krizën e Kubës në vitin 1962 SHBA dhe Bashkimi Sovjetik ndodheshin para një lufte atomare. New Start është e vetmja marrëveshja e madhe e mbetur mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që e kufizon arsenalin atomik të të dy vendeve në 800 sisteme mbajtëse dhe 1550 koka bërthamore.

Në lidhje me Ukrainën, Lavrov u shpreh me besim, se në fund të konfliktit do të ketë "nënshkrim të marrëveshjes". Rusia do t'i vazhdojë bisedimet me delegacionin ukrainas, tha Lavrov, duke shtuar se "vullneti i mirë ka kufij".

"Nuk do të arrijnë asgjë"

António GuterresFotografi: Bruce Cotler/ZUMA /picture alliance

Kurse sipas vlerësimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Rusia nuk do të ketë sukses me luftën sulmuese ndaj Ukrainës. Brenda dy muajsh forcat ruse kanë hedhur më shumë se 1100 raketa kundër Ukrainës, bomba të shumta dhe kanë përdorur artilerinë. Disa qytete e komuna ukrainase janë shkatërruar plotësisht, tha Zelensky në një mesazh me video të martën. "Por ata nuk kanë arritur asgjë. Ata nuk do të arrijnë asgjë."

Guterres në Moskë

Të martën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres pritet në Moskë nga presidenti, Vladimir Putin. Para udhëtimit u bë e ditur, se Kombet e Bashkuara shohin një shans për ndërmjetësim në luftën e Ukrainës. "Kemi ndjesinë se ka një moment për këtë rast dhe ky është momenti që duhet përdorur", tha zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq në Nju Jork. "Nëse ecim përpara, edhe em hapa të vegjël, kjo do të thotë shumë dhjetëra apo qindra mijëra vetë." Pas takimit me Putin, Guterres do të udhëtojë në Ukrainë, ku të enjten pritet të takohet më presidentin ukrainas, Voldymyr Zelensky.

 

la/ag