LDK-ja shkarkoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci - Daci nuk pranon!
1 Mars 2006
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shkarkuar të mërkurën, papritmas, kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci dhe në vend të tij ka kandiduar nënkryetarin e LDK-së Kolë Berisha. Vendimi është bërë i ditur menjëherë pas mbledhjes nga nënkryetari i parë Eqrem Kreyziu. Kryeziu tha se Kryesia kishte marrë vendim pothuaj unanim për shkarkimin e Dacit, ku nga 19 anëtarë të kryesisë, 15 kishin votuar pro, kurse 4 ishin përmbajtur duke mos votuar as pro as kundër.
Unitetin e kryesisë Kryeziu e ka cilësuar si “gjest fenomenal të mirëkuptimit të të gjithëve”. Ai ngjarjen e ka vlerësuar si një test për demokracinë në rradhët e kësaj partie: “Pikërisht ky është një test. Për fat të keq tek ne dhe në Ballkan është bërë shprehi të thuhet ‘jetën e jap karrgën s’e jap’. Kështu nuk mund të shënohen pluse për shoqërinë ksovare”
Kryeziu, vlerësoi se kryeparlamentari Daci do ta pranojë verdiktin e kryesisë dhe ka cituar atë, t'i ketë thënë atij dhe një anëtari të kryesisë “se do të respektonte çdo vendim të kryesisë së partisë”. Mirëpo, pas publikimit të lajmit, kryetari i shkarkuar i Parlamentit ka deklaruar për opinion se “nuk do ta respektojë këtë vendim dhe se problemin do të kërkojë ta zgjidhë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.
Pritet që zgjedhja e Kolë Berishës krytar i ri i Parlamentit, të bëhet në seancën e rradhës, me 9 mars, nëse paraprakisht nuk thirret ndonjë seancë e jashtëzakonshme për shkak të rrethanave të krijuara edhe si rezultat i dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës.