Vrasje e "babait" tek Front National
25 Gusht 2015Në fund, mendon e bija, i ati kishte vetëm një synim: ai donte të bënte dëm. Dëm për partinë, dëm për të bijën, ndoshta edhe për veten. "Jean-Marie Le Pen duket se ka rënë në një strategji midis tokës së djegur dhe vetëvrasjes politike", deklaroi të mërkurën bija e tij Marine Le Pen - një ditë përpara se kryesia e partisë ekstremiste të djathtë Front National (FN) të përjashtonte themeluesin dhe kryetarin e nderit nga partia. Në mënyrë tejet ekstreme ishte shprehur ai kohët e fundit, në mënyrë kaq radikale, sa e teproi edhe për shokët e tij në politikë.
Dhomat e gazit në kampet naziste të përqendrimit kanë qenë vetëm "një detaj i luftës", pati deklaruar ai në fillim të këtij viti në një intervistë televizive. Disa muaj më parë ai pati tërhequr vëmendjen me deklarata antisemite për këngëtarin hebre, kritik ndaj tij, Patrick Bruel. "E dini çfarë, herën tjetër po mbushim njëherë sobën", tha ai - duke e pasur fjalën për sobat, ku nacionalsocialistët digjnin kufomat e viktimave të kampeve të përqendrimit. Edhe antipatinë e tij kundër kryeministrit francez të lindur në Spanjë, Manuel Valls, ai e shprehu pa rezervë: "Cila është lidhja që ka Valls me Francën?", tha ai. "A ka ndryshuar me të vërtetë ky migrant?" Valls e ka marrë në moshën 20 vjeçare nënshtetësinë franceze.
Për shumicën e ish-mbështetësve të tij, kupa u mbush përfundimisht kur 87 vjeçari doli në fillim të majit në mbledhjen vjetore të partisë në Paris i veshur me një pallto flakë të kuqe - si kontrast i fortë me blunë e lehtë, në të cilën e patën veshur tribunën strategët e partisë. Në një votim të brendshëm, 94 përqind e anëtarëve u shprehën pro heqjes së anëtarësisë së nderit, të cilën ia patën dhënë pak kohë më parë.
Njëkohësisht u anulua anëtarësia e tij në FN. Le Pen luftoi juridikisht kundër rezultatit: gjykata përkatëse i dha të drejtë. Tani kryesia e partisë e përjashtoi sërish nga partia. Dhe Le Peni do të mbrohet edhe njëherë me mjete juridike.
Ekstremizmi si recetë për sukses
"Toka e djegur", të cilën babai sipas mendimit të së bijës po e lë pas ishte për një kohë të gjatë terreni në të cilin u ushqye grupimi ekstremist i djathtë. "Duket sikur Jean-Marie Le Peni po kthehet në vijën politike të viteve 1970, kur kjo parti atëherë e parëndësishme ishte pikë takimi i të gjitha tendencave ekstremiste - duke përfshirë edhe bashkëpunëtorët e regjimit nazist", shkruan gazeta e përditshme "Liberation". Le Pen vazhdon të jetë i bindur se dënimi që i bëhej zakonisht partisë në atë kohë i jep asaj sot suksesin.
Dyshim për kthesën
Kryesia e sotme e partisë e sheh këtë ndryshe. Ajo do të ndjekë një kurs - për kushtet e saj- të moderuar dhe donte të shpëtonte nga drejtuesi i partisë. Para së gjithash, meqenëse Marine Le Pen kërkon që për dy vjet të hyjë në Pallatin Elize si Presidente. Në politikën e brendshme, muajt e fundit partia ka shënuar suksese, por nëse llogaria do të ecë në plan afatgjatë, kjo është e paqartë.
Në thelb Front National nuk ka ndryshuar, shprehet i bindur në gazetën Le Monde edhe politologu Sylvain Crépon. "Kjo parti vazhdon të mos jetë një parti si të tjerat, ajo vazhdon të jetë e drejtuar kundër sistemit, ajo është edhe më tej nacionaliste." Kjo parti nëse vjen në pushtet kërkon ta nxjerrë Francën nga eurozona. Ajo do ta shfrytëzonte peshën që do të fitonte në KS të OKB-së, ndër të tjera edhe për afrimin e dëshiruar me Rusinë. Të gjitha këto mendohet se do t'i frikësojnë zgjedhësit konservatorë, për t'ia dhënë votën FN.