Legalizimi i banesave do të ndihmonte banorët e zonave informale në Shkodër
8 Shkurt 2011
E ndërtuar gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, lagjia More e Shkodrës që njihet me emrin Marlula, e ngritur në periferi të qytetit, është një nga zonat informale që pret të legalizohet. Qindra shtëpi janë ndërtuar gjatë kësaj periudhe në këtë zonë, shumica e të cilave përdhese, ndërsa disa të tjera mjaft luksoze.
Shtatëdhjet e dy vjeçari Gjergj Kola, i ardhur nga Dukagjini është vendosur këtu dhjetë vite më parë. Ai thotë se banorët e kësaj zone, megjithëse të ardhur nga disa rrethe veriore të vëndit, bëjnë përpjekje që të jetojnë në komunitet. Por, sipas tij, shumica e familjeve përballen me vështirësit e përditshme për jetesën: “ Këto banorë kanë ardhur nga të gjitha anët, prej Shalet, Shoshit, Dushmanit, Shllakut e Puket dhe janë bashku këtu. Me shumë halle dhe pa punë”.
Ndërsa gjashtëdhjetë e dy vjeçarja Lina Mani, që ka zbritur nga fshati Dushman, është e zhgënjyer me përpjekjet e pakta që po bëhen për urbanizimin e brëndshëm të lagjes: “Kishim dashtë punë. Kërkojmë me na godit rrugat, pasi jena të mbytun në ujë. Aty ku jetoj unë nuk ka si bahet ma keq “.
Mes tyre është edhe shtatdhjetvjeçarja Terezina Stomniçi e cila vazhdon të punojë, duke ndihmuar me të ardhurat që fiton, familjen e saj”: “Jena largue prej Shalet mbas 40-vjetësh. Kenaa ra në Shkodër tash 10-vjet. Vështirësi të mëdha. Kam një djalë me disa fëmijë e duhet me i rritë. Edhe pse jam 70-vjeç, vazhdoj ala me punue “.
Të vendosur prej më shumë se një dekade, shumica e të ardhurve po bëjnë përpjekje për t'u integruar në jetën e qytetit. Shumë prej tyre thonë se shtëpitë në fshatrat ku jetonin më parë i kanë lënë në mëshirën e fatit: “Shtëpitë tona që kena lanë atje janë shëmbë e shkatërru. Nuk kena me çfarë me shku, pasi rruga e makinës kushton shtrenjtë. Tokat tona janë larg për me shku dhe ban dy ditë me ecë në kambë “.
Ndërkohë që Nënkryetari i Bashkisë Shkodër Ritvan Troshani, thotë se zonat informale janë të përfshira në projektet e zhvillimit, ku një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të investimeve, është planifikuar pikërisht për këto zona: “Patjetër që ky kontigjent njerëzish konsiderohet pjesë e qytetit, prandaj janë përfshirë me të njëjtën metodikë investimesh ashtu si lagjet e tjera. Këto vitet e fundit ka një fluks investimesh, të cilat janë shtrirë edhe në këto zona “.
Por përveçëse përfshirjes në projektet e zhvillimit nga strukturat shtetërore, banorët e zonave informale në Shkodër shpresojnë se përshpejtimi i proçesit të legalizimit të banesave do të ndihmonte për integrimin e tyre në jetën e përditshme të qytetit.
Autor: Leka Plani
Redaktoi: Aida Cama