1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Letërsia dhe kinematografia shiqtare humbasin një nga figurat më të rëndësishme të pesë dekadave të fundit

Eliana Xhani18 Shkurt 2006

Vath Koreshi në kujtimet mikut dhe bashkëskenaristit në shumë filma, Kujtim Çashku

Në fillim të muajit shkurt shkrimtari, skenaristi dhe publicisti i njohur Vath Koreshi u nda fizikisht nga familja dhe miqtë e tij. Autor i shumë vëllimeve me tregime, novela e romane si dhe një sërë skenarëve filmash të suksesshëm Vath Koreshi vazhdoi të krijonte deri në momentet e fundit.

Rregjisori i suksesshëm shqiptar Kujtim Çashku, i cili ka bashkëpunuar me Vath Koreshin në disa filma shumë të njohur për publikun si Balada e Kurbinit, Lotët e Kosovës dhe së fundi në filmin Syri Magjik, e kujton kështu bashkëpunimin e parë me Vath Koreshin në filmin Balada e Kurbinit. "Në njëfarë mënyre na është dashur të krijojmë një lloj intimiteti artistik për të arritur që të krijonim një gjuhë alegorike për t'i folur kohës. Filmi Balada e Kurbinit vendos ngjarjet në kohën e pushtimit otoman dhe kështu që vetvetiu duhet të gjenim elementë që duke folur në gjuhë alegorike t'i flisnim aktualitetit."

Alegoria ka qenë gjithnjë e pranishme në penën e Vath Koreshit. Kujtojmë këtu p.sh. fjalët e personazhit kryesor në filmin shumë të njohur Gjeneral Gramafoni, 'O popull sa krime bëhen në emrin tënd'. Ishte kjo thotë Çashku një nga rrugët që artisti nën një sistem totalitar gjente për të përcjellë mesazhet e tij.
Krijimtarinë letrare të Vath Koreshit pas periudhës totalitare Çashku e cilëson më të sukseshmen:"Pas sistemit totalitar në Shqipëri Vath Koreshi pa një shkëlqim të jashtëzakonshëm. Fakti që ai bashkëpunoi ngushtë me kinematografinë, e bën krejt të veçantë letërsinë e tij me karakter të rrallë për një shkrimtar. Krahas lëvrimit të letërsisë, të romanit, të tregimit, të novelës ai mbante në të njëjtën kohë edhe lidhjen e ngushtë me kinematografinë. Këtë dua ta nënvizoj sepse ndikonte pa dyshim kinematografia në letërsinë që zoti Koreshi bënte. Prandaj e quaj krejtësisht specifike letërsinë e tij, sidomos këtë të kohëve të fundit; po të shikosh dominohet nga një përshkrimi gati metafizik i peizazheve që ai sjell, i karaktereve që ai zhvillon, çka do të thotë krejtësisht një formësim i një letërsie disi më të panjohur më parë në letërsinë shqipe, me elementë të realizimit magjik."

Një tjetër bashkëpunim të sukseshëm të dy skenaristëve shënon filmi 'Lotët e Kosovë's i cili përcjell tek shikuesit dramën e shqiptareve të shpërngulur gjatë viteve të luftës në Kosovë. Çashku: "Vathi ishte mjaft i ndjeshëm në gjithçka që ndodhte në pjesën tjetër të shqiptarëve dhe kështu që vetvetiu gjithë ajo dyndje e 600.000 kosovarëve, të cilët erdhën në Shqipëri, ishte një moment mjaft emocional për të dhe kështu që në një ditë vendosëm që t'i përkushtojmë një film gjithë kësaj epoke gati biblike."

Si një nga bashkëthemeluesit dhe president nderi i shkollës së parë të filmit dhe multimedias në Shqipëri, Marubi, Vath Koreshi dha kontributin e tij dhe në formimin e brezit të ri të në kinematografinë shqiptare. "Vathi kishte një natyrë shumë sensibël ndaj gjeneratave të ardhshme, ndaj të rinjve. Mjaft nga shkrimtarët tanë, ata të cilët sot cilësohen përfaqësues të një baze vërtet solide në letërsinë shqipe janë përkrahur në hapat e tyre të parë nga Vath Koreshi gjatë kohës që ai ka qenë redaktor i gazetës Drita."

Bashkëpunimi i fundit kinematografik mes Koreshit dhe Çashkut është filmi 'Syri Magjik', një bashkëprodhim shqiptaro-gjerman, të cilin publiku shqiptar pati mundësi ta shihte si premierë nëntorin e kaluar. Filmi i cili shënon edhe krjimin e fundit kinematografik të Vath Koreshit fitoi çmimin 'Piramida e Argjendë' në festivalin e fundit të filmit në Kajro si dhe çmimin e kritikës. Çashku: "Në Kairo ne morëm Piramidën e Argjendë dhe skenari u cilësua si skenari më i mirë i festivalit, pastaj iu dha dhe çmimi i kritikës ndërkombëtare, kështu që filmi pati katër çmime në këtë festival dhe pa dyshim e quaj një gëzim të bukur përpara se sa të ndaheshim me zotin Koreshi, sepse ai e përjetoi këtë gëzim, këtë fryt të veprës së tij. Çdo ditë ndjej që jam në një dialog permanent me këtë krijues, i cili pa dyshim është një kolonë e rëndësishme në letërsinë shqipe, është në të njëjtën kohë kolonë mjaft e rëndësishme në kinematografi, pa të cilin do të thosha që kinematografia do të ishte e mangët."