1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Letërsia femërore shqiptare përfaqësohet në panairin e librit në Frankfurt

Elert Ajazaj20 Tetor 2007

'Hap i mirë për t'i hapur portën kësaj lirike në Gjermani.' Në panairin e librit në Frankfurt u zhvillua një orë leximi në shqip dhe përkthimi në gjermanisht i poezive të tre autoreve shqiptare.

Panairi i Librit në Frankfurt
Panairi i Librit në FrankfurtFotografi: AP
undefined undefined

Organizuar nga fondacioni Robert Bosch dhe me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Gjermani, të programit kulturor zviceran në Shqipëri, të qendrës për art dhe teknologji mediatike në Karlsruhe si dhe të Deutsche Welle-s në kuadër të forumit Dialog në panairin e librit në Frankfurt u zhvillua një orë leximi në shqip dhe përkthimi në gjermanisht i poezive të tre autoreve shqiptare.

Ishte rastësi, por paraqitja e poezive të tre autoreve shqiptare në panairin e librit në Frankfurt: Ledia Dushi, Luljeta Lleshanaku dhe Luljeta Dano përkoi me kohën kur për të 11-ën herë Akademia Suedeze ia akordoi çmimin më të rëndësishëm letrar një femre, autores britanike Doris Lessing. Neviana Dosti, njëra prej dy manaxherëve për kulturën të fondacionit organizues Robert Bosch së bashku me Artan Begollin, përshkruan përzgjedhjen e temës, Interior Albania - poezia femërore shqipe:

'Që në fillim që mendova të zgjidhja konceptin për këtë aktivitet mendova të zgjidhja diçka të veçantë, por edhe diçka me të cilën mund të prezantohej Shqipëria më së miri; dhe ajo çfarë i kishte munguar publikut gjerman, apo dhe publikut ndërkombëtar këtu në panairin e librit në Frankfurt ishte edhe poezia e femrës shqiptare, e cila deri tani nuk është prezantuar të themi të paktën në Gjermani. Jam shumë e kënaqur edhe me aktivitetin, dhe të tre poetet mendoj se u prezantuan shumë mirë edhe në sajë të përkthimit të shkëlqyer të zonjës Zuzana Finger.'

Siç vuri në dukje autorja Luljeta Lleshanaku letërsia femërore shqiptare është një letërsi e vonshme, me Musine Kokalarin e njohur si autorja e parë shqiptare në fund të viteve tridhjetë. Për këtë arsye, thotë përkthyesja Zuzana Finger, kjo letërsi duket mjaft e freskët, e pakonsumuar dhe krijuese:

'Për mua ishte një ndjenjë e veçantë të përjetoja poetet në skenën letrare, sesi lexuan poezitë, reaguan ndaj publikut dhe folën për veprat e tyre. Për mendimin tim, tri poetet janë një përzgjedhje shumë e mirë për panairin, sepse secila përfaqëson një zë individual të poezisë bashkëkohore dhe lirikës femërore shqiptare. Shpresoj që ky të ketë qenë një hap i mirë për t'i hapur portën kësaj lirike në Gjermani.'

Këtu qëndron edhe një prej detyrave të përfaqësisë së shtetit shqiptar në Gjermani. Ja se si u shpreh ambasadori i Shqipërisë në Berlin, zoti Gazmend Turdiu:

'Unë erdha sot këtu me qëllimin kryesor për të qenë i pranishëm në një aktivitet me tre poetet tona, të cilat prezantuan para publikut gjerman disa nga veprat e tyre në gjuhën shqipe, të përkthyera edhe në gjermanisht. Ky aktivitet u organizua në kuadër të 20-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë. Mendoj që është detyrë e jona dhe si institucione, përfshirë dhe ambasadën këtu, që të bëjmë gjithçka është e mundur për të bërë të njohur sa më shumë kulturën tonë, letërsinë tonë në Gjermani, me fjalë të tjera për të paraqitur ato aspekte tonat, të Shqipërisë e popullit shqiptar, të cilat normalisht nuk i gjen në faqet e gazetave.'

Në mbyllje të veprimtarisë njëra prej poeteve, Luljeta Lleshanaku, dha këtë vlerësim për projektin në kuadër të panairit të librit të Frankfurtit:

'Më pëlqen të flas për atë çka ne pretendojmë që ne i ofruam kësaj audience, sado e kufizuar të ketë qenë. Njëherë duhet të jemi të vetëdijshëm që interesi për letërsinë shqipe në tregun evropian është akoma shumë i vogël. Domethënë, ndoshta duhet të mjaftohesh me një audiencë prej 20-30 vetësh, është deri diku e pranueshme. Unë them që koordinatorja e këtij projekti, Neviana Dosti, ofroi një koncept mjaft interesant, intrigues dhe joshës për audiencën. Duke e quajtur projektin Interior Albania ajo realisht kapi shumë bukur atë lloj gjykimi, apo paragjykimi, mënyrën sesi e gjithë bota e percepton letërsinë femërore si letërsi i interiorit, e brendshme, lirike, rozë, sentimentale.'