1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Letërsia urë mirëkuptimi

Gaby Reucher12 Nëntor 2005

Panairi i pestë e librit për migrimin në Bon

Muzeu "Haus der Geschichte", Bon
Muzeu "Haus der Geschichte", BonFotografi: dpa

Botues dhe autorë që merren me trajtimin e temës së migrimit gjejnë në panairin e pestë të librit mbi migracionin në Bon një forum. Nga data 10 deri 13 nëntor në muzeun "Haus der Geschichte" në Bon ata mund t'ia prezantojnë veprat e tyre një publiku të gjerë. Panairi organizohet nga "Organizata Evangjeliste për Migrimin dhe Refugjatët" në Bon si dhe nga "Instituti i Bonit për Studime mbi Migrimin dhe Mësimin Ndërkulturor", shkurt BIM. Rreth 30 shtëpi botuese prezantohen me autorët e tyre dhe programi plotësohet me një numër leximesh, takimesh dhe tryezash diskutimi.

Historia e migrimit është pjesë e historisë gjermane

Historia e migrimit është pjesë e historisë gjermane, mendon Hedir Çelik, dhe gëzohet që panairi i pestë i librit mbi migrimin në Bon zhvillohet përsëri në muzeun "Haus der Geschichte". Këtu prezantohet ajo letërsi e cila në panairet e mëdha të librit në Frankfurt dhe Lajpcig zë një vend dytësor: letërsia mbi temat e mërgimit, migrimit dhe integrimit. Hedir Çelik është një prej anëtarëve themelues të Institutit të Bonit për Studime të Migrimit i cili këtë vit shënon dhjetëvjetorin e krijimit. Ai u themelua në një kohë kur ndërgjegjësimi mbi situatën problematike të migrantëve ishte i pranishëm. Hedir Çelik dëshironte të bashkonte teorinë me praktikën:
"Në atë kohë na mungonte një inisiativë që të mbështeste projektet e kërkimit dhe njëkohësisht të kryente punë praktike. Natyrisht që edhe atëherë egzistonin struktura universitare që merreshin me studime për migrimin të cilat janë edhe sot mjaft aktive. Por nuk kishte asnjë iniciativë që paralelisht të kryente punën plotësuese praktike."

Çfarë është Instituti i Bonit për Studime të Migrimit

Instituti i Bonit studion jo vetëm historinë dhe shkaqet e migrimit por me projekte të caktuara si p.sh. puna me të rinjtë përpiqet të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve aktuale. Letërsia luan në këtë kuadër një rol qëndror. Nga njëra anë librat që trajtojnë migrimin si temë specifike fiksojnë historinë e tij dhe përcjellin rezultatet e studimeve. Nga ana tjetër ajo shërben si një ventil për autorët që në poezi apo prozë përpunojnë përjetimet e tyre në atdheun e ri dhe të vjetër. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është që lexuesit përmes kësaj letërsie mund të kuptojnë më mirë situatën e migrantëve. Kështu prej pesë vitesh egziston projekti "Lexime shtegtare në shkolla" në kuadër të të cilit autorë që kanë migruar në Gjermani lexojnë në shkolla tekstet e tyre që shpesh janë autobiografike. Në diskutimet që pasojnë ata bisedojnë me nxënësit për tema të tilla si racizmi dhe atdheu gjë që ndihmon në rrëzimin e paragjykimeve. Kjo është edhe arsyeja përse në panairin e librit gjatë dy ditëve zhvillohen "Lexime për klasat e shkollave" mbi temën e migrimit.

Këtë vit në qendër është dhuna kundër grave

"Qëllimi ynë është natyrisht që përmes panairit të librit në Bon të parqesim para publikut të gjerë temën e migrimit,integrimit dhe problemet që lidhen me to, t'i diskutojmë dhe të përpiqemi për zgjidhje të përbashkëta", thotë Çelik.
Panairi ka një pikërëndesë të caktuar. Në të kaluarën p.sh.bëhej fjalë për integrimin apo barazinë e shanseve për të rinjtë. Këtë vit në qendër është dhuna kundër grave.
"Nuk mund të organizojmë një panair në të cilin të mos jenë të pranishëm zhvillimet aktuale. P.sh. këtë vit ashtu si dhe vitin e kaluar tema 'dhuna ndaj grave' ishte në qendër të letërsisë dhe për këtë arsye ne e tematizuam në një diskutim podiumi si dhe në një takim në kuadër të panairit të librit", thotë Çelik.
Programi i panairit me seanca leximi, diskutime dhe takime është shumë i pasur. Mbi temën e dhunës kundër grave p.sh. e ftuar në panair është Nura Abdi nga Somalia e cila lexon pjesë nga libri i saj "Lotë në rërë" si dhe referon në takimin mbi temën e dhunës kundër grave rreth praktikës së gjymtimit të gjenitaleve të femrave në atdheun e saj. "Mërgimi në Gjermani" është një tjetër temë e një aktiviteti në kuadër të panairit. Në të është i ftuar ndër të tjerë Jiri Grusa, president i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve PEN i cili dikur u dëbua dhe iu hoq nënshtetësia nga ish Bashkimi Sovjetik.
Panairi i librit në Bon kërkon të jetë edhe një forum për autorë jo shumë të njohur. Shtëpitë e mëdha botuese si p.sh. Beck kanë vërtet një seri librash mbi temën e migrimit por nga aspekti letrar kjo temë u mbetet botuesve të vegjël ose vetë autorëve. "Ky është një problem pasi letërsia mbi migrimin apo njerëzit me sfond migrator, kanë vështirësi të gjejnë botues. Shumë prej tyre kanë paragjykime dhe mendojnë se librat e tyre nuk shiten mirë. Shumë botues duan në fund të fund të bëjnë biznes dhe përmes panairit tonë ne synojmë të mbështesim shkrimtarë dhe autorë dhe t'u japim mundësinë që t'i paraqesin publikut librat dhe publikimet e tyre", thotë Hedir Çelik.