1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250209 Lettland Krise

Jan Pallokat25 Shkurt 2009

Kriza aktuale e ekonomisë botërore po i prek të gjithë: edhe shtetet me zhvillim në Evropën Qendrore dhe Lindore. Por nuk është vetëm kriza: edhe konsumi i shfrenuar dhe rritja e tepruar e pagave kanë influencuar.

Pjesa e vjetër e kryeqytetit të Letonisë, Riga, me katedralen dhe lumin Daugava
Pjesa e vjetër e kryeqytetit të Letonisë, Riga, me katedralen dhe lumin DaugavaFotografi: picture-alliance / Bildagentur Huber

Opera Kombëtare është krenaria e qytetit në Riga, një godinë madhështore në skaj të zonës së qytetit të vjetër, e ndërtuar në kohën e Lidhjes së Hansa-s. Opera gëzon prestigj ndërrajonal dhe prej saj kanë dalë talente të baletit dhe të kantos, që sot janë aktivë në Perëndim. E megjithatë, qysh prej disa javësh në qytet dëgjohen tinguj jo të këndshëm. Komisari i kursimeve bën thirrje për të marrë masat.

„Opera nuk bën përjashtim. Buxheti ynë është shkurtuar, ashtu si edhe në të gjitha institucionet. Ne përpiqemi t´ia dalim me këto që kemi. Nga buxheti i përgjithshëm ne kemi humbur 10%. Si rrjedhojë, e kemi anulluar ballon e sivjetme në opera, kemi anulluar Valkyrien, që do të vihej në skenë në fund të majit. Përveç kësaj ka edhe disa direktiva të qarta prej ministrisë për shkurtimin e 5,5% të personelit, pra duhen shkurtuar rreth 32 vende pune. E këto janë shumë.“

Kështu shprehet drejtoresha e operas, Selga Laizane. Nëse duhet kursyer në pishtarin e jetës kulturore të Letonisë, atëherë mund ta përfytyrosh lehtë se si është gjendja në sektorë të tjerë. Në ndërrimin e viteve vendi ndodhej të prag të falimentimit. Letonia u trondit prej rrezikimit për falimentim të bankës letoneze Parex. BE-ja dhe FMN-ja dhanë një kredi emergjence prej dhjetë miliardësh. Kushti ishte: kursime, kursime, kursime. Pagat në sektorin publik duhet të ulen me 15%, kjo ishte direktiva. Por këto janë shifra. Problemet që pasojnë për njerëzit i njeh mirë Aldis Misevics nga Sindikata e Shërbimeve Publike:

„Çmimet rriten në mënyrë marramendëse. Pagat ulen tmerësisht. Kjo është e rrezikshme. Në degën e kulturës: gjithçka duhet të optimalizohet dhe të racionalizohet... E po mirë, sot kemi krizën, pas një viti le të shpresojmë të mos e kemi më. Por çfarë bëjnë njerëzit? A do të mbeten ata vallë në Letoni?“

Si mund të arrihej deri këtu? Përpara pak vjetësh Letonia ishte kampionia evropiane e rritjes ekonomike, ndonëse kjo nisi nga një nivel shumë i ulët. Punonjës të zellshëm, që nuk kushtonin shumë, një vend me rregull dhe në aspektin kulturor shumë afër Perëndimit. E gjithë zona e Balltikut joshte për investime, kryesisht nga Suedia dhe Finlanda. Por dikur, shumë përpara falimentimit të bankës Parex cikli ekonomik mori superxhiro: pagat dhe inflaconi rriteshin reciprokisht, në tregun e pasurive të patundshme të Rigës u krijua një flluskë spekulimesh. Christoph Rosenberg, Drejtor i sektorit të Evropës Lindore në FMN:

„Rritja ekonomike ishte shumë e fuqishme dhe kjo u nxit prej faktorëve bazë. Anëtarësimi në BE dha një shtysë, që ne në FMN nuk e prisnim. Faktorëve bazë, që janë sistemi ligjor i BE-së, aksesi në treg, iu shtua edhe angazhimi i banakve të huaja dhe aksesi në kreditë e lira."

Bankat suedeze e nxitën edhe më shumë bumin në Balltik duke kontribuuar në mënyrë të padukshme në prishjen e ekujlibrit. Eksporti dhe prodhimi humbën kuptimin, spekulimet në sektorin e pasurive të patundshme nxitën papritur konsumin duke u shndërruar në promotorë të ekonomisë. Makina të shtrenjta me kredi, veshje luksoze, shtëpi të mëdha. Letonezët po arrinin një nivel të lartë jetesese, ndonëse ekonomia nuk e kish arritur këtë nivel. A janë bankat fajtore? Vetëm pjesërisht, mendon ekonomisti Morten Hansen.

„Bankat mund t´i bësh përgjegjëse për dhënien lehtshëm të kredive. Por duhen parë edhe njerëzit. Ata duhet të mendojnë: nëse vërtetë janë në gjendje ta shlyejnë kredinë. A është realiste, që paga do të rritet çdo vit me 32%? Edhe qeveria duhet kritikuar, madje shumë. Në vitet e bumit pati një superxhiro të vertetë. Shumë thonin se duhej vendosur frena, por askush nuk e bëri këtë."

Përkundrazi: politikanët preferonin ta theksonin përfytyrimin për një ripërtëritje të shpejtë dhe arritjen e nivelit të Perëndimit. Derisa ekonomia e tullumbacit plasi, skeptikët konsideroheshin si grindavecë të mërzitshëm. Arritja e nivelit të Perëndimit tashmë duhet harruar, sot letonezët duhet të shohin se si ta rimëkëmbin ekonominë. Tremujorin e fundit ekonomia ra me mbi 10%. Një rreze shprese mbetet: Opera letoneze në janar pati rritje të spektatorëve, sepse letonezët tani e kalojnë kohën e lirë brenda vendit. Biznesi i preferuar më parë me udhëtimet charter në Mesdhe, këtë vit shënon minus dhe pritet që kuota e rënies në këtë sektor të arrijë deri në 90%.