1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libani me president të ri

Peter Philipp26 Maj 2008

Zgjedhja e presidentit të ri të shtetit pas 19 përpjekjesh të dështuara nuk përbën arsye për eufori, por sigurisht për gëzim dhe jo vetëm për libanezët.

Tetë muajt e fundit nuk ishin gjendje pezull vetëm në procesin e kërkuar sipas kushtetutës, ato pasqyrojnë edhe krizën politike sa vjen e më shumë pa rrugëdalje të vendit, e cila veçanërisht kohën e fundit kërcënonte të degjeneronte në krizë të armatosur - në një luftë të re civile, siç e përjetoi Libani prej 1975 deri në 1990, dhe besonte se e kishte tejkaluar.

Zgjedhja e presidentit - hapi i parë për daljen nga kriza

Zgjedhja e komandandtit të përgjithshëm të deritanishëm të ushtrisë libaneze, Mishel Sulejman, i jep njëherë fund kësaj. Por ajo është vetëm hapi i parë i rëndësishëm në rrugën e mundimshme për daljen nga kriza, për të cilën u morën vesh javën e kaluar në Doha grupet rivalizuese libaneze pas ndërmjetësimit të Lidhjes Arabe dhe para së gjithash të Katarit. Ka marrëveshje për hapa të tjerë që duhet të hidhen doemos, sepse në rast të kundërt mund të përsëritet ajo që ngjau kohët e fundit. Dhe rrugëdalja nga kriza nuk varet në radhë të parë prej personit të presidentit apo prej zotësisë së tij negociuese, por prej gatishmërisë së palëve për t'iu rikthyer arsyes.

Vend për punë jo për eufori

Kështu, fillimisht duhet formuar një qeveri e re dhe këtu do të duhet të ulen në tryezën e përbashkët të kabinetit përfaqësues të qeverisë së deritanishme Siniora, me orientim perëndimor, dhe përkrahës të opozitës pro Sirisë dhe pro Iranit. Një detyrë jo e lehtë pasi opozita e drejtuar nga Hisbollahu dhe nga ish-gjenerali i krishterë Mishel Aoun e nxinte koalicionin aktual qeveritar të përbërë nga të krishterë, sunitë dhe druzë dhe i bënte thirrje për dorëheqje.

Është 'demokraci e stilit libanez' kur grupe kaq kundërthënëse duan të formojnë tani përsëri një qeveri të përbashkët. Edhe fakti që opozita e deritanishme, megjithëse në pakicë, merr një minoritet bllokues në kabinet: me 11 nga 30 ministrat ajo mund të pengojë vendime të rëndësishme që kërkojnë një shumicë prej dy të tretash. Në Liban po krijohet sërish një sistem proporcional, 'për hir të asaj paqeje', por me rrezikun e një konflikti që mund të rishpërthejë.

Sepse qeveria e Bejrutit duhet të marrë një sërë vendimesh të rëndësishme për ta çuar vendin përpara. Kështu herët e vonë duhet trajtuar pyetja se si mund ta ushtrojë kontrollin mbi tërë territorin e shtetit qeveria qendrore. Thënë shkoqur: Si mund të çarmatoset 'Hisbollahu'? Si milicia e vetme ajo vazhdon të mbajë edhe sot armë, sepse qeveria nuk ka dashur të grindet me të dhe as ushtria nën drejtimin e komandantit të përgjithshëm të deritanishëm Suleiman nuk është përzier. Arsyeja për këtë ishte jo aq asnjëanësia e çmuar shpesh e kreut të shtetit të zgjedhur tani, sesa përfundimi se ushtria mund të shkatërrohej sikur të përziej në një konflikt të tillë brendalibanez.

Kështu zgjedhja e një presidenti të ri të jep shpresë, por për eufori nuk ka arsye.