1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liberalët gjermanë kundër premtimeve për Greqinë

(dpa, afp)/aud2 Shtator 2013

Partitë CDU/CSU po i përgatisin gjermanët që Greqisë do t'i jepen ndihma të tjera me miliarda euro. Ministri i Jashtëm Westerwelle, i FDP tani shkel frenën: grekët nuk duhet të inkurajohen që të mos i kryejnë reformat.

Fotografi: picture-alliance/dpa/Mohamed Messara

Në fillim reformat, pastaj para të tjera: ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle nuk pranon që Greqisë t'i vihen në mënyrë të përshpejtuar në dispozicion ndihma të reja financiare. "Ne në Evropë nuk duhet t'i kthehemi pa e zgjatur politikës së vjetër të borxheve", paralajmëron liberali në gazetën "Die Welt". Ai nuk rekomandon që të sinjalizohet gatishmëria për të dhënë paketa të reja ndihmash, përpara se të jenë vënë në jetë reformat e vështira në shtetet me borxhe. "Kjo me siguri që nuk do ta nxiste zellin për reforma në vendet e prekura".

Koalicioni në Berlin jo i të njëjtit mendim

Westerwelle (FDP) kritikon indirekt ministrin e Financave, Wolfgang Schäuble (CDU), i cili u shpreh në mënyrë të qartë për një paketë të tretë shpëtimi të ndihmave. Westerwelle kritikon me këtë indirekt ministrin e Financave, Wolfgang Schäuble (CDU), i cili së fundi u shpreh qartë për një paketë të tretë shpëtimi. Por me kusht që Athina t'i plotësojë kushtet që i janë vënë dhe të arrijë një suficit primar në buxhet. Për këtë paketë gjithsesi do të vendoset vetëm në vitin 2014. Deklarata e Schäubles shkaktoi dyshime dhe kritika edhe brenda koalicionit partiak në pushtet, të konservatorëve me liberalët.

Zgjatje afati?

Kryeministri i Hessenit, Volker Bouffier u shpreh para pak kohësh pro afateve më të gjata për kthimin e parave nga Athina. "Kthimin e kredive ne mund ta shtrijmë për një periudhë më të gjatë kohore, si për shembull për dhjetë vjet të tjera", i tha zëvendëskryetari i CDU-së gazetës "Handelsblatt".

Greqia është vendi i parë i Eurozonës që iu desh në vitin 2010 të kërkojë ndihma ndërkombëtare. Greqisë iu premtuan që atëherë ndihma në shumën 237 miliardë dollarë.

Troika e përbërë nga Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) do ta rivlerësojë këtë muaj edhe njëherë programin e reformave të Greqisë. Vetëm pak javë më parë, u korrigjua objektivi i këtij viti: nga 2,5 miliardë euro nga privatizimet në Greqi, tani priten vetëm 1,6 miliardë euro.