Liberalët me një kryetar të ri - por a kanë të ardhme?
9 Dhjetor 2013Në SHBA duhet të kesh mbushur të paktën 35 vjeç, për t'u bërë president i vendit. Në Gjermani kur i ke mbushur 40 vjeç mund t'i kesh dhënë fund karrierës politike. Kështu duket se do të vejë puna e Philipp Rösslerit. Zëvendëskancelari do ta humbasë këtë post pak para Krishtlindjeve, kur konservatorët dhe socialdemokratët, ashtu siç pritet do të formojnë koalicionin e tyre.
Postin e kryetarit të partisë, Rössleri e dorëzoi në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë. Siç kishte deklaruar pas zgjedhjeve parlamentare të 22 shtatorit, ai dha dorëheqjen nga kryesimi i partisë. Atëherë gjermanët dërguan në opozitën jashtëparlamentare një parti që ka qenë pjesë e Bundestagut që kur është themeluar ai, 64 vjet më parë. Me 4,8 përqind liberalët dështuan në mënyrë dramatike në kufirin e pesë përqindshit.
Bartësi i shpresës është 34 vjeç
Në këtë mënyrë Bundestagut i mungon një parti, e cila që prej themelimit të RFGJ u përfaqësua për 44 vjet në qeveri - më gjatë se çdo parti tjetër. FDP-ja qe e pranishme që më 1949 me Theodor Heussin, Presidentin e parë të Gjermanisë, ndërsa me Hans-Dietrich Genscherin, prej vitit 1974 deri më 1992, ajo kishte ministrin e jashtëm më me ndikim në botë. Ngjarje e shënuar e periudhës së tij në post ishte ribashkimi i Gjermanisë.
Ky vështrim i shkurtër pas bën të qartë se rënia e liberalizmit të organizuar në Gjermani është me të vërtetë një "kthesë historike". Këtë e tha kryetari i ri i FDP-së, i zgjedhur me 79 përqind të votave, Christian Lindner. Ai është 34 vjeç, por shumica e anëtarëve të FDP-së mendon se Lindneri është mjaft i pjekur për ta drejtuar partinë më mirë se Philipp Rössleri, gjashtë vjet më i madh. Ai tha në kongresin e partisë se nuk i kishte plotësuar shpresat e partisë, të cilat kishin qenë edhe shpresat e tij.
Mjeku Rössler nuk qe në gjendje ta shëronte FDP-në e sëmurë
Dy vjet e gjysmë qendroi mjeku në krye të FDP-së, por nuk e gjeti dot recetën e duhur për ta shëruar FDP-në e sëmurë prej kohësh. Vuajtjet e saj kishin nisur që para ardhjes në post të Rösslerit. Paraardhësi i tij në post, Guido Westerwelle e ngushtoi partinë duke i dhënë një profil liberal ekonomik. Pjesa më e madhe e ndoqi këtë kurs, sepse rezultatet në zgjedhje ishin të mira. Por këtu ata braktisën disa vlera tradicionale liberale. Para së gjithash në fushën e të drejtave të qytetarëve dhe të lirisë, FDP-ja u tregua vitet e fundit shumë e përmbajtur. Kjo në një kohë kur ajo mund të kish përfituar nga afera e përgjimeve të NSA-së dhe nga ligjet antiterror që ashpërsoheshin gjithnjë e më tepër. Por asaj i mungonte guximi që të dilte me besim në vetvete kundër frymës së përgjithshme. Zëra të veçantë paralajmërues, si të ministres së drejtësisë, Sabine Leutheusser Schnarrenberger nuk gjetën mbështetje në FDP.
Rinisje në opozitën jashtëparlamentare
Christian Lindneri e shpalli në kongres të përfunduar "punën e përmortshme" pas disfatës në zgjedhjet parlamentare. Megjithë disa gabime në koalicionin me konservatorët, objektivat mbetën të drejta, theksoi ai në kongres.
Por tani është fjala për rilindjen e liberalizmit që duket se ka vdekur.Viti elektoral 2014 do të jetë prova e parë e forcës. Fshehtas, disa liberalë shpresojnë që në Gjermani të ketë zgjedhje të parakohshme. Kjo shpresë ushqehet nga negociatat e vështira për koalicionin qeveritar midis CDU/CSU dhe SPD-së. Ende baza e SPD-së duhet të japë pëlqimin e saj për programin qeveritar. Por FDP-ja tani do të përqëndrohet në anët e saj të forta. Partia e tij përfaqëson një liberalizëm "që është në gjendje të mësojë", tha Lindneri vetëkritik në fjalimin e tij 75 minutësh.