1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Librat e shkollës në Maqedoni me gabime

10 Prill 2012

Në tekstet shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm në gjuhën shqipe në Maqedoni janë evidentuar një sërë gabimesh të natyrave të ndyshme që ndikojnë dukshëm në cilësinë e librit.

Në tekstet shkollore në gjuhën shqipe në Maqedoni janë evidentuar një sërë gabimesh
Në tekstet shkollore në gjuhën shqipe në Maqedoni janë evidentuar një sërë gabimeshFotografi: DW

Gabimet e shumta gjuhësore dhe shtrembërimet e fakteve historike në tekstet shkollore në gjuhën shqipe për arsimin fillor dhe të mesëm, janë arsyeja kryesore për hartimin e propozim Ligjit të ri për tekstet shkollore, që ka hyrë tani në procedurë parlamentare. Opozita shqiptare vlerëson, se nuk duhet lejuar që nxënësit në këtë grupmoshë të mësojnë nga libra në të cilat ka shumë të pavërteta shkencore, gjuhësore dhe historike. “Kërkojmë që këto tekste të hiqen urgjentisht nga përdorimi dhe deri atëherë nxënësit shqiptarë të mësojnë nga tekstet shkollore që përdoren në hapësirat mbarë shqiptare”, thotë deputetja e PDSH-së, Merale Ferati-Uzeiri.

Ministri i Arsimit, Pançe Kralev kërkon kohë për përmirësimin e teksteveFotografi: MIA

Propozimligji në fjalë nuk zgjidh problemet me tekstet shkollore sepse pushteti merret me pasojat e jo me shkaqet. Partia opozitare shqiptare RDK do të tentojë përmes amendamenteve të përmirësojë tekstin e propozimligjit për tekstet shkollore. “Të gjitha librat ku shkruhet për kulturën, për historinë e popujve, bashkësive etnike posaçërisht të shqiptarëve në Maqedoni të shkruhen nga autorë dhe koautorë shqiptarë. Propozimi tjetër është që të bëhet liberalizimi i përdorimit të librave, mos të kemi përdorim të librave si në monizëm”, shprehet deputeti Izet Zeqiri.

Ministri i Arsimit Pançe Kralev, i ka dhënë mbështetje të plotë propozimligjit të ri për tekstet shkollore, por sipas tij për pastrimin e teksteve nevojitet kohë, pasi vërejtjet duhet të shqyrtohen në detaje nga komisione të veçanta.“Janë paraqitur vërejtje për gabimet historike dhe gjuhësore në tekstet shkollore. Për të ardhur në konstatim se a janë fyese ose jo nevojitet një debatë më i gjërë”, thotë ministri Kralev.

Me propozimligjin e ri do të mënjanohen gabimet e bëra në të kaluarën në tekstet shkollore dhe do të ketë tekste më cilësore vlerësojnë deputetët e BDI-së. “Ministrit të arsimit i krijohet obligim ligjor që nga përdorimi të hiqen ato libra të cilat kanë probleme me aspektin përmbajtësor, gjegjësisht të cilat kanë përmbajtje ofenduese për të tjerët”, shprehet deputeti Talat Xhafari.

Klasë në ShkupFotografi: DW/Fatos Musliu

Opozita shpreh shqetësimin se edhe viti i ri shkollor do të mund të fillojë po me ato tekste të vjetra pasi në buxhet nuk janë parashikuar fonde për libra të rinj. “Derisa nuk janë paraparë mjete nga buxheti, 1 shtatori i vitit 2012 sërish do të vazhdojë me avazin e vjetër. Nëse nuk ka mjete në buxhet atëherë nuk do të ketë libra “, vlerëson deputeti Gazmend Aliu.

Shtimi i kohëzgjatjes së përdorimit të një libri shkollor nga 3 në 5 vjet është i palogjikshëm për shumicën e deputetëve, për shkak se librat e botuar së fundi janë të një cilësie mjaft të ulët andaj kërkohet që afati i përdorimit të librit shkollor të mos precizohet me ligj.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama