Ligj për imigrimin apo dëbime më të shpejta?
2 Shkurt 2015Trajtimi i migrantëve që vijnë në Gjermani për arsye ekonomike apo politike vazhdon të jetë pjesë e debatit publik në Gjermani. Socialdemokratët dhe kristjandemokratët, të dyja parti në pushtet në Gjermani kanë qendrime të ndryshme për këtë çështje. Nëse socialdemokratët janë për ta legalizuar imigrimin ekonomik në Gjermani me anë të një ligji të posaçëm, kristjandemokratët kundërshtojnë. Konservatorët në federatë dhe në lande kërkojnë zbatimin edhe më rigoroz të rregullave që ekzistojnë.
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialdemokrat, Thomas Oppermann ka kërkuar në mënyrë të përsëritur muajt e fundit hartimin e një ligji për imigrimin në Gjermani. Këtë kërkesë ai e përsëriti në intervistën që i dha të dielën (01.02) gazetës "Bild am Sonntag". Oppermann-i kërkon ta rregullojë imigrimin në Gjermani me një sistem të ri pikësh.
Kërkohet sistem pikësh për të tërhequr migrantët
"Është me vend që nevoja për imigrantë nga vende jo anëtare të BE të rregullohet çdo vit nga e para. Për këtë na nevojitet një sistem i zhdërvjellët pikësh". Sipas Oppermann-it, sistemi i pikëve e rregullon thjesht ardhjen e të huajve. Kur në Gjermani vijnë shumë imigrantë nga BE, Gjermanisë i duhen më pak imigrantë nga jashtë BE. Sa më e madhe nevoja, aq më i ulët numri i pikëve që të nevojiten. Veç kësaj, socialdemokrati propozoi që çdo vit të përcaktohen ato profesione ku ka më shumë mungesa. Ata që kanë kualifikime për ato profesione, marrin veçanërisht shumë pikë.
Përfaqësuesi socialdemokrat u shpreh më tej kundër një kufizimi kohor të lejeve të qendrimit dhe të punës. "Ai që kërkon të tërheqë fuqi të mira punëtore, duhet t'u ofrojë atyre perspektivën që të rrinë për një kohë të gjatë në Gjermani." Ai përshëndeti në këtë rast tërheqjen në vendin e imigrimit edhe të familjeve të imigrantëve. "Natyrisht që migrantët sjellin me vete edhe familjet. Përndryshe ata as nuk do të vinin. Më shumë fëmijë i bëjnë mirë shoqërisë sonë në plakje."
Pakësimi i numrit të popullsisë në Gjermani, ku çdo vit vdesin rreth 200.000 vetë më shumë se sa lindin, po i preokupon vitet e fundit politikanët gjermanë. Studime të instituteve të migrimit kanë përcaktuar modelin kanadez të imigrimit, modelin tek i cili mund të orientohet Gjermania. Kanadaja tërheq me sistem përzgjedhjeje migrantë të kualifikuar. Por hapa konkretë për ndryshimin e bazës ligjore në Gjermani ende nuk janë ndërmarrë.
Gjermania rrezikon mirëqënien pa migrantë
"Në dhjetë vitet e ardhshme do të kemi 6,7 milionë punëmarrës më pak, për shkak të rudhjes së popullsisë. Pa migrantë ne nuk mund ta mbyllim këtë hendek dhe ecim drejt një katastrofe ekonomike", thotë Oppermann.
CDU dhe CSU, gjithashtu në pushtet në Gjermani janë më të rezervuara në këtë drejtim. Politikanë kristjandemokratë kanë deklaruar se nuk e shohin të nevojshëm për momentin një ligj për imigrimin. Ndër ta bën pjesë Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere (CDU), i cili mendon se rregullat ekzistuese mjaftojnë.
Por socialdemokratët si Oppermann-i vazhdojnë të këmbëngulin. Në fund "do të vendosë gjithsesi interesi ekonomik. Kur nuk je më në gjendje të paguash pensionet, sepse ka pak kontribues në arkën e pensioneve, atëherë edhe skeptikët më të mëdhenj do të kërkojnë imigrantë të kualifikuar", thotë Oppermann. Edhe partia liberale FDP, aktualisht e papërfaqësuar në Parlamentin federal, është shprehur pro një sistemi pikësh, si ai që ekziston në Kanada.
Paralelisht me këtë, konservatorët kanë përsëritur kërkesën e tyre për ta zgjeruar listën me të ashtuquajtura vende të reja të sigurta. Ministri i Brendshëm i landit të Bavarisë, Joachim Herrmann (CSU) kërkoi që në listën e vendeve të sigurta të përfshihen shtete të tjera ballkanike. Kjo do ta shpejtonte kthimin e tyre në atdhe.
Herrmann: Shqipëria dhe Kosova tek vendet e sigurta
Gazetës "Welt am Sonntag" Herrmann-i i tha se e sheh me vend përfshirjen e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi në listën e shteteve të sigurta. Kuota e pranimit të azilkërkuesve nga këto vende "është gati zero, meqenëse kërkesat për azil nga këto vende kanë kryesisht motive ekonomike", tha Herrmann.
Herrmanni kërkoi veç kësaj një kthim më të shpejtë në atdhe të azilkërkuesve të refuzuar nga shtetet e sigurta si Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia. Kthimi në atdhe duhet të bëhet po qe e mundur që në institucionin e pranimit të migrantëve. "Azilkërkues të tillë bllokojnë vende strehimi, të cilat neve na duhen për njerëz që janë vërtet të ndjekur politikisht", tha Herrmann.
Ministri Federal i Brendshëm, Thomas de Maiziere kërkoi ta përfshijë që vjet Shqipërinë dhe Kosovën në listën e shteteve të sigurta. Por kjo kërkesë e tij në fillim të vitit që shkoi u kundërshtua atëherë nga socialdemokratët.
Konservatorët kritikojnë keqpërdorimin që i bëhet sistemit të azilimit në Gjermani. Kurse socialdemokratët thonë se me një ligj migracioni, i cili do të rregullonte imigrimin ekonomik, do të shmangej edhe presioni për keqpërdorim të azilimit.
Sipas OECD-së, Gjermania është bërë që në vitin 2013 vendi i dytë në botë i preferuar nga migrantët, pas SHBA. 465.000 migrantët e rinj, me të cilët u shtua Gjermania në 2013-ën do të qendrojnë gjatë në Gjermani. Dy të tretat e imigrantëve të rinj vijnë nga shtete anëtare të Bashkimit Evropian.