Linda Vukaj hap "momentum"
9 Qershor 2008Fortografitë i ka varur në muret e Qendrës për Evropën Juglindore, në Grossberenstrase. Fotografitë janë "momentum", kështu quhet edhe ekspozita e saj. Fotografi momentesh jete burrash që marrin pjesë në maratonën e Berlinit, fytyrash në përpjekje për të fituar me vrap. Momente fëmijësh që shohin art, ose grupe vizitorësh që pushojnë në një bankë pasi kanë konsumuar art. Por edhe valle flamuresh, teka moti në natyrë, skena të jashtëzakonshme të erës, qiellit, të borës. Fotografitë të gjitha klasike, bardhë e zi, që duken si momente të shkëputura nga skena të mëdha teatrale.
"Murgeshat" në Kapri njëra nga ato. një moment i pazakontë, fotografi e jashtëzakonshme. Gjashtë murgesha veshur me të bardha, kapur dorë për dorë, fusin këmbët në ujët e detit, mbahen tek njera tjetra, të ndaluara të futen në ujë gëzohen që lagen pak, dhe qeshin. Erotika është aty, molla e ndaluar, qeshje dhe diçka djallëzore, demonesh, të gjashta sikur po kërcejnë "vallen e vdekjes", para se të vdesin edhe pak nga jeta. "Murgeshat" duket si vepër e një mjeshtri të madh, por jo, ajo është e Linda Vukaj e cila hap ekspozitën e saj të parë.
Mimoza Veliu, fotografe në Berlin : "Fotografitë e Lindës kanë qenë një befasi e sukseshme. I kam parë atë më parë në intenet, por është ndryshe t' i shohësh këtu. Kur i sheh ato e kupton se nuk kemi të bëjmë me shkrepje të apartatit fotografik, por kemi të bëjmë me art. Besoj se ajo do të arrijë të korrë suksese në këtë lëm."
Henri Cartier-Bresson është idhulli i Linda Vukajt. Dhe fotografitë ajo duket se i bën në gjurmët e mjeshtrit të madh.
Frank Henzel, fotograf që punon po ashtu me bardhë e zi: "Mua më pëlqyen më shumë fotografitë e njerëzve, fotografitë me natyrë, nuk do i fusja brenda "momentum". Ajo i vendos njerëzit në situatën në të cilën ata ndodhen, pret momentin kulminant, që të ndodh diçka dhe kur ky vjen ajo shkrep fotografinë. Një pjesë e fotografive janë shumë të arritura."
Është ky fillimi, por për fotografinë dhe Linda Vukaj do të dëgjojmë sërish.