1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liria e shtypit në Turqi në rrezik të madh

1 Prill 2011

Yonca Sik s'po mund të kuptojë si është e mundur që burri i saj Ahmeti, një gazetar kritik ndaj regjimit, ende është në burg. Ai është arrestuar në fillim të marsit dhe akuzohet për mbështetjen e terrorizmit.

Gazetarët në rrezikFotografi: picture-alliance/dpa

„Që prej 20 vitesh burri im përcjellë organizatën sekrete Ergenekon dhe njerëzit që fshihen pas saj. Ai ka kritikuar akuzat ndaj tyre, për të cilat shpesh nuk ofrohen dëshmi. Por se për çfarë fajësohet tamam, ende nuk e dimë. As avokati ynë nuk e di se cilat janë argumentet apo indiciet e aktauzës. Duket se ata ende po kërkojnë dëshmi kundër Ahmetit", thotë gruaja e tij Yonca Sik.

Gazetarët dhe botuesit në Turqi janë alarmuar

Si t'ia mbyllim "gojën" gazetarëve?Fotografi: Fotolia/parazit

Ata protestojnë në rrugë, në Stamboll dhe shumë qytete të tjera. Gazetat e pavarura kërcënohen, ndërsa televizionet kritike janë nën presion. Tani po ndiqen edhe autorët e librave, ankohet gazetari Ertugrul Mavioglu. Policia e ka bastisur edhe ate.

„Ata më kanë pyetur nëse i kam memorizuar të dhënat e manuskriptit të Ahmet Sik-it. Ata donin t'i kopjonin dhe t'i fshinin ato nga kompjuteri im. Urdhëri për marrjen e manuskriptit vlen për të gjithë ata, të cilëve Ahmeti ua ka dërguar me e-mail nga një kopje. Në mbarë botën! Ata që nuk e bëjnë këtë vullnetarisht, akuzohen për mbështetje terrorizmi", thotë ai.

Turqia në botë paraqitet ndryshe: si një vend kandidat për anëtarësim në BE me një ekonomi në rritje dhe me fuqi në politikën e jashtme. Por në vend mungojnë shumë gjëra, ankohen mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Juristët mund t'i interpretojnë ligjet si të duan

„Çfarë nënkuptohet me "propagandën terroriste"? Kjo duhet të definohet, që me ligjin kundër terrorit në Turqi nuk bëhet. Kjo u mundëson organeve juridike të na akuzojë të gjithëve", pohon ai. Për gazetarët puna e përditshme bëhet gjithnjë e më e vështirë. Bashkëpuntorët e gazetës së pavarur Taraf më nuk mund t'i numërojnë paditë kundër tyre. Por ata thonë se nuk do të frikësohen.

Redaktorët në burgjet e Turqisë.Fotografi: AP

„Nëse kur shkruan një koment mendon se nesër mund të vijë prokurori, me siguri që nuk është një gjë e mirë, por me këtë duhet të jetojmë... Të gjithë në Turqi tani e kanë kuptuar se në çfarë gjendje është liria e shtypit, sepse aktualisht në burg nuk janë një apo dy, por 64 gazetarë", shpjegon ai.

Të kërcënuar jo vetëm gazetarët

Por nuk janë të prekur vetëm gazetarët. Në Turqi përgjohen rreth 80.000 telefona, shumë prej tyre pa vendime të organeve juridike. Gjithnjë e më shumë flitet për një "shtet policor".

Yonca Sik e di që edhe telefoni i saj përgjohet, por ajo vazhdon të organizojë ndihmë për burrin e saj, i cili në burg trajtohet si një kriminel i rëndë. „Ai nuk guxon të dal madje as në oborr të burgut për shetitje. Guxon të flas vetëm me të burgosurit tjerë në dhomë. Kur e vizitoj unë, ne mund të flasim vetëm përmes telefonit. Vetëm rrallë mund të ulemi pranë një tavoline së bashku dhe mbahemi për duar - një orë“, pohon ajo.

Yonca Sik shpesh mendon se fjala është për një mosmarrëveshje të madhe, por shpresa e saj po humbet nga dita në ditë.

Autor: Gunnar Koehne/Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama