Lista Serbe merr pushtetin në katër komunat në veri
5 Dhjetor 2025
Në veritë Kosovës, në katër komunat e banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, nga data 5 dhjetor marrin detyrën kryetarët e rinj, që të gjithë nga Lista Serbe. Ata u zgjodhën që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, duke e rimarrë pushtetin lokal, nga kryetarët shqiptarë të cilët udhëhoqën me këto komuna që nga maji i vitit 2023.
Në nëntor të vitit 2022, përfaqësuesit e LS kishin dhënë dorëheqjen së bashku me të gjithë përfaqësuesit tjerë të institucioneve në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti. Përfaqësues të LS tash e pranojnë se kishin gabuar kur ishin larguar nga institucionet e Kosovës. Por vendimin për largim e kishin marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi, siç thonë, "gjendjen e vështirë” të serbëve në Kosovë. BE-ja pret që pushteti i ri lokal që udhëhiqet nga serbët të bashkëpunojë me institucionet qendrore dhe të veprojë sipas ligjit.
"BE-ja pret që autoritetet e sapozgjedhura komunale në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, t'i adresojnë në mënyrë konstruktive nevojat dhe kërkesat e popullsisë përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjin”, tha një zëdhënës i BE-së, duke shtuar se unioni pret "një tranzicion të rregullt të qeverisjes lokale në komunat veriore”.
Inaugurimi në përputhje me ligjin?
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, nga ana e tij, tha se "inaugurimi i kryetarëve serbë do të bëhet në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës”.
"MAPL ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, ekipe të cilat do të jenë të pranishme fizikisht në të gjitha mbledhjet për të siguruar respektimin e të gjitha procedurave kushtetuese dhe ligjore. Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t'i shpallë të paligjshme dhe jo legjitime seancat përkatëse”, ka thënë Ministri në detyrë i Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi. Sipas ligjit për vetëqeverisjen lokale, çdo vendim ose akt tjetër i komunës që nuk përputhet me Kushtetutën dhe ligjet mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës, në këtë rast MAPL ose institucioni tjetër përgjegjës i Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i listës Srpska, Zllatan Elek, parti kjo që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha një ditë më herët para seancave inauguruese se kryetarët e rinj të komunave në veri Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok, pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë gjatë kohës kur këto komuna u udhëhoqën nga kryetarët shqiptarë. Më parë gjatë fushatës, zyrtarë të kësaj partie kishin njoftuar se sapo ta marrin pushtetin në veri do të anulonin vendimet "jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë në këto komuna.
Banorët serbë të Kosovës në maj të vitit 2023 kundërshtonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat e veriut, ndonëse vetë serbët nuk morën pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që u organizuan në këto katër komuna.
U kundërshtua me forcë edhe vendosja në zyrat e tyre të kryetarëve shqiptarë dhe për pasojë pati përplasje mes serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, para ndërtesës së Komunës së Zveçanit, ku u lënduan më shumë se 100 persona nga të dyja palët.