1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Loja tragjike për Greqinë do të vazhdojë

9 Shkurt 2012

Në Athinë qeveria dhe partitë ranë dakord për modalitetet e faljes së borxheve dhe pranimin e programit të ri të kursimeve. Por Greqia nuk shpëton as me këto vendime, komenton Spiros Moskovou

Në foto, Spiros Moskovou
Në foto, Spiros MoskovouFotografi: DW

Pas bisedimeve prej disa javësh koalicioni i partnerëve nga halli, që qeveris në Greqi arriti në një rezultat. Nga njëra anë më së fundi u ra dakord me kreditorët privatë për modalitetet e faljes së borxheve. Nga ana tjetër është hartuar programi aktual i kursimeve, që u përgjigjet kërkesave të troikës së përbërë nga FMNA-ja, dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE).  Falja e borxheve dhe programi i kursimeve janë kushtet, që Greqisë t'i garantohet një paketë e dytë ndihme në vlerën e 130 miliardë eurove. Në rast të kundërt ky vend deri nga mesi i marsit mund të shkojë drejt falimentimit.

Por a është shpëtuar Greqia me këtë? Kurrësesi. Me këtë vendim ka marrë fund vetëm akti aktual i dramës. Vendi duket se qysh prej më shumë se dy vjetësh herë pas here është luhatur në prag të greminës dhe çdo herë katastrofa ka mundur të shmanget në çastin e fundit.  Nga njëra anë ky është rezultat i pavendosmërisë fillestare të BE-së, për ta trajtuar me vendosmëri problemin e Greqisë.  Por nga ana tjetër ky është edhe rezultat i paaftësisë së pashembullt të politikës greke për të konceptuar zgjidhje të arësyeshme. 

Ministri grek i financave Venizelos i stilizon publikisht bisedimet me troikën si një luftë e Herkulit me Hydrën, përbindëshi me shumë kokë nga mitologjia. Natyrisht që kjo nuk është rastësi, sepse një simbolikë e tillë është menduar për popullin e rraskapitur të zgjedhësve grekë, të cilëve dikur nga muajt e ardhshëm do t'u bëhet thirrje të shkojnë në kutitë e votimit. Por kjo në të vërtetë do të thotë shtrembërim i realitetit.

Në Greqi është paralizuar jo vetëm ekonomia, por i gjithë sistemi politik. Kriza ka nxjerrë në pah të gjitha dobësitë dhe paaftësinë e tij. Ky sistem, që ekziston prej kohësh dhe që kryesisht mbahet prej klientelizmit dhe korrupsionit, po lufton tani për mbijetesë.

Kjo është Hydra e vërtetë, që po i torturon grekët, dhe jo partnerët evropianë, të cilët me iniciativën e politikanëve dhe të shumë mediave paraqiten në publik me përçmim si kreditorë, që nuk lëshojnë pe. Partitë greke, e në radhë të parë partia socialiste PASOK e ajo konservatore Nea Dimokratia, që janë përgjegjëset kryesore për mjerimin e sotëm, po luajnë tani Pontius Pilatusin duke ua atribuuar "kreditorëve" ashpërsinë e programeve të kursimit.

Ky shtrembërim i realitetit nuk është ogur i mirë, as për paketën aktuale, as për atë pasuesen, e me siguri as edhe për paketën e ardhëshme të kursimeve. Partitë politike në Greqi nuk kanë asnjë bazë konsensusi për shkaqet dhe për rrugëdaljen e mundshme nga kriza e sotme. Kjo madje ka të bëjë me partitë, që aktualisht marrin pjesë në qeverinë e krijuar nga halli të Papademosit.  Edhe për këtë arësye masat e marra nuk japin efekt: ato perceptohen si diktat nga jashtë dhe nuk zbatohen në praktikë.

Një shembull i vogël: 31% e grekëve të aftë për punë janë nëpunës. Qeveria greke në dy vitet e fundit është zotuar, ta shkurtojë organikën në sektorin publik me rreth 15.000 vende pune deri në vitin 2015. Deri më tani nuk është bërë thuajse asgjë, veçse ritheksimit në paketën e re të kursimeve me troikën të këtij objektivi madhor.

Loja tragjike për Greqinë do të vazhdojë, pavarësisht lajmeve të mira nga Athina. Në dy vitet e fundit shumë shpesh komentatorët qëndrimin me mëdyshje të Berlinit për shpëtimin e eurozonës e kanë krahasuar me traumën e Republikës së Vajmarit, me inflacionin dhe papunësinë masive të asaj kohe. Në këtë kontekst të habit fakti, që populli i lashtë i grekëve nuk ka nxjerrë mësime prej historisë së vet.  Greqia ka falimentuar një herë, konkretisht në vitin 1893.  Taktika e qëndrimit në vendnumëro dhe mungesa e përgjegjësisë së partive greke asokohe bënë që në vitin 1897 financat e Athinës të vendosishin nën kontrollin rigoroz të fuqive të mëdha - ndër të cilat qysh atëherë bënin pjesë Gjermania dhe Franca. Planet për një komisioner të kursimeve, apo për një librezë kursimi për Greqinë, që tani për tani ende duken si të paarësyeshme, ndoshta së shpejti do të jenë të pashmangshme.

Autor: Spiros Moskovou

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora