1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftë e pashembullt kundër korrupsionit në Rumani

Eberhard Nembach24 Maj 2006

Nevojitet ndryshimi i mentalitetit. Problemi i korrupsionit ka rrënjë më të thella, ai nuk mund të zgjidhet vetëm duke nxjerrë ligje të reja

Parlamenti, Bukuresht
Parlamenti, Bukuresht

Luftë pa kompromis

Korruptimi është ende i vetëkuptueshëm dhe i gjithëpranishëm në Rumani, por qeveria e re e koalicionit të djathtë dhe të qendrës i kanë shpallur atij luftë të hapur. Për zyrtarë dhe politikanë të korruptuar nuk ka më mëshirë, deklaron ish-aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ministrja e re e drejtësisë, Monika Makovei: "Nga njëra anë e luftojmë korrupsionin me metoda të kriminalistikës. Si masë parandaluese nga ana tjetër kemi futur prej vitit të shkuar deklarimin e detyrueshëm të pasurisë. Këto janë rregullat strikte në të gjithë Evropën. Pyetet në të gjitha rastet në mënyrë të hollësishme për llogaritë bankare, për prona, pjesëmarrje në firma. Madje edhe pjesëtarët e familjes duhet të deklarojnë hapur çdo gjë. Këto deklarime botohen në internet, së bashku me deklarimin e të ardhurave. Kështu secili mund të bëjë krahasime. Këto deklarata duhet t'i plotësojë, presidenti, të gjithë anëtarët e qeverisë, deputetët e parlamentit, të 100.000 punonjësit e administratës deri tek polici më i thjeshtë. Këtë e shohin gazetarët në internet, kështu doli edhe historia e teze Tamarës"

Ish-shefi i qeverisë socialiste rumune, Adrian Nastase mundi t'i shpjegonte shtëpitë e shumta luksoze vetëm me atë që ai kishte trashëguar 1. milion euro nga teze Tamara., Por tezja e tij në të vërtetë kishte vdekur e varfër në një pallatet parafabrikate rumune.

Ndërkohë janë akuzuar një numër i madh ish-ministrash, deputetë parlamenti. Për këtë luftë të pashembullt të Rumanisë kundër korrupsionit, qeveria rumune arriti të marrë, në raportin e fundit të KE-së nota shumë të mira. Korrupsioni nuk konsiderohet më si një pengesë për të hyrë në BE, ndryshe nga fqinja e Rumanisë, Bullgaria.

Korrupsioni ka rrënjë të thella

Problemi është në të vërtetë shumë më i thellë, dhe është i ndërthurur me kohën e ndryshimit të sistemit komunist dhe ish- punonjësit e të famshmit, Securitas, të cilët deri më sot dinë të fshihen mjaft mirë. Me këtë problem, Rumania do të përballohet edhe për një kohë të gjatë, vëren, kryeministri liberal, Kalin Popesku-Tariceanu, i cili rrjedh nga një familje antikomuniste: "Unë mendoj se edhe Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore kishte porbleme të njëjta. Unë jam i sigurtë, që Rumania nuk mund të jetë një vend i vërtetë demokratik, po qe se nuk largohen të gjithë ata që i përkisnin regjimit komunist. Ende ka komunistë të vjetër në pozicione të rëndësishme. Po qe se nuk vjen një gjeneratë e re në pozicione kyçe, pra njerëz, të cilët nuk kanë patur asnjë lloj lidhjeje me kohën e komunizimit, ne nuk mund të flasim për një vend të vërtetë demokratik evropian."

Komisioni i BE-së i ka dhënë kryeministrit rumun edhe një detyrë të rëndësishme për këtë vit: Duhet që të krijohet sa më shpejt një administratë efikase, e cila do të mund të administrojë subvencionet nga Brukseli, kjo është është kërkesa nga BE-ja.

Në fund të fundit, Rumania synon të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2007. Vetë Rumania ka interes, sepse fondet që përpihen nga rrugët korruptive, nuk mbërrijnë aty ku është më e nevojshme, në fshatrat dhe qytetet rumune.