1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftë informalitetit: Greqia fut pagën e siguracionin me "kupon" për imigrantët

17 Gusht 2011

Për gratë shtëpiake të imigracionit grek, por edhe burrat qe punojnë si bujq apo bahçevanë nga 1 Shtatori do të aplikohet pagesa me kupona që punëdhënësit do t'i blejnë pranë bankave dhe zyrave postare greke.

Pamje ilustruese - Në Greqi pastrueset kanë punuar gjithmonë në të zezë
Pamje ilustruese - Në Greqi pastrueset kanë punuar gjithmonë në të zezëFotografi: picture alliance/dpa

«Çdo e keqe ka edhe anën e saj të mirë” thotë një risi e lashtë greke, që rikonfirmohet me sa duket edhe nga grekët modernë. Kriza, e keqja në këtë rast, shndërron në nevojë jetike luftimin e evazionit fiskal dhe përmes legalizimit të “formave të veçanta të punës” si ato të ndihmës shtëpiake apo edhe punëve të përkohshme bujqësore, ku punojnë kryesisht imigrantët.

Puna në të zezë - plagë greke

Me vendimin e firmosur nga ministri grek i Punës Jorgos Kutrumanis për pagesën me kupon, ose me “ergosimo” siç quhet në greqisht, nga fillimi i muajit shtator, ka favore në sektorët e siguracionit social. Ky sektor ka qenë i privuar nga kontribucionet sociale, sepse “punohej në të zezë”, një plagë kronike kjo. Ky vendim shpreson ta shërojë atë kryesisht për imigrantët, në radhë të parë për gratë, që si ndihmëse shtëpiake kanë privilegjin e hidhur të kampionit të “punës në të zezë”.

“Unë jam dakord me këtë masë, por makar të bëhet mbarë, të aplikohet për të gjithë” i thotë DW Esmeralda Kalluci nga Gjirokastra që ka 14 vjet që punon nëpër shtëpi si pastruese, por një pullë siguracioni nuk e ka në librezën e saj. Jo, nëpër shtëpira në shumicën e rasteve nuk i sigurojnë gratë”, thotë Esmeralda si për të hequr dhe një ndjenjë faji nga vetja e saj në këtë “kompromis të imponuar” të punës së paligjshme me punëdhënësit e saj shtëpiakë.

Gratë imigrante që punojnë si shtëpiake skeptike

E dekurajuar nga përmasat e krizës, që i vuri drynin edhe tavernës që kishte i shoqi i saj, Gjergji, futbollisti i njohur i viteve 80-të të ekipit të “Luftëtarit”, Esmeralda nuk e fsheh skeptizicmin e saj për suksesin e kësaj mase të qeverisë që sipas saj “duhej marrë më parë”. “Këto bëhen nëpër ndërmarrje, nëpër shtëpira nuk besoj se do të aplikohet kjo metodë, të shkojmë nëpër banka. Duke ditur se shteti është në krizë dhe njerëzit kanë nevojë për punë, nuk do të paguajnë siguracionet, do të mundohen të të shfrytëzojnë. Eshtë punë e fshehur, punë e “pistë”, punë në të zezë kjo puna jonë”. “Punë e pistë si puna e pastrueses” nënkuptohet puna në të zezë, konsiderohet edhe ajo e burrave edhe grave që punojnë si bujq nëpër fusha apo si bahçevanë nëpër vila dhe kopshte private.

Agimi nga Memaliaj, siç prezantohet vetëm me emrin e tij, e sheh ndërkohë me optimizëm dhe si të favorshëm hyrjen e “pagesës me kupon” në jetën e imigracionit. “Shpresoj se tani imigrantët do t'i marrin 300 ditë që punojnë, se i punojnë, por siguracionin e marrin gjysëm për gjysëm, për 150 ditë që u duhen për dokumentet”. Për këtë, sipas tij, duhet të jenë të ndërgjegjësuar, të jenë kërkues edhe imigrantët. “Duhet të ndërgjegjësohen, ta kuptojnë edhe vetë se është në të mirën e tyre”.

Çeku që do të përmbajë kontribucionin social

Aspirata për të marrë secili “hakun që i takon”, siç duhet të ndodh në një marrëdhënie të shëndoshë pune, bashkekziston me shqetësimin e ligjshëm se “pjesa e kontribucionit social” që do të përmbahet në kupon do të hahet nga kuota e pagës për të cilën do të bihet në ujdi. E mirë është pagesa me kupona, me ergosimo, siç thonë grekët, por kam frikë se kjo do të më ulë ditën e punës” i thotë DW Xhulianja Tahiri nga Fieri që ka 18 vjet që punon si shtëpiake.

Kuponi do të jetë një lloj çeku që punëdhënësi do ta marrë në 600 pika të ndryshme në të gjithë vendin, pranë bankave dhe zyrave por edhe supermarketeve që do të aplikojnë edhe oferta bile për të tërhequr klientelë, por edhe nëpërmjet Internetit dhe do të përmbajë hakun e punës por edhe kontributin e punëdhënësit dhe punonjësit. Me thyerjen e tij do të hiqet automatikisht kuota e siguracionit social që i depozitohet arkës së siguracionit social të punonjësit (IKA, ETEAM apo OGA). Vendimi thotë se kuponi skadon 4 muaj pas nxjerrjes së tij dhe nuk mund të jetë më i vogël se 5 euro.

Për garancinë e procedurës dhe dokumentimin e kuponave do të mbahet “Arkiv kuponash” si për themelimin e së drejtës së pensionit po kështu edhe për përfitimet që do të kenë punëdhënësit. Për të stimuluar aplikimin e tij kontribucionet e siguracionit punëdhënës/punonjës nga 35.40% reduktohen në 20% (kuota e re e të dy palëve do të përcaktohet me vendim të Këshillit Drejtues të entit të siguracionit social IKA).

Një risi me pikëpyetje për suksesin e saj

Si çdo gjë e re edhe kuponi ose “ergosimo”, me çertifikatë lindjeje në kohën e krizës më të thellë të kohërave moderne të Greqisë, pranohet jo vetëm me optimizëm, por edhe me kritika dhe skepticizëm si ai i shprehur në DW nga gazetari i imigracionit Robert Goro: E konsideroj pak si komike, sepse druaj se pjesa më e madhe e punëdhënësve, por edhe e emigrantëve nuk kanë për ta aplikuar këtë mënyrë pagese që bëhet vetëm dhe vetëm për të luftuar evazionin fiskal."

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Lindita Arapi