1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezolutë kundër dhunës seksuale në rajonet e krizave

24 Prill 2019

Me nismën gjermane Këshilli i Sigurimit të OKB kërkon me një rezolutë që komuniteti botëror të luftojë më ashpër dhunën seksuale në rajonet e krizave. SHBA detyruan reduktimin e tekstit duke kërcënuar me veto.

UN Sicherheitsrat Debatte Sexuelle Gewalt Guterres Clooney Murad Maas
Fotografi: Imago/photothek/T. Koehler

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pranoi të martën (23.04) një rezolutë kundë dhunës seksuale në konflikte. Për projektrezolutën votuan 13 vende. Rusia dhe Kina abstenuan. Qeveria gjermane përgatiti tekstin e rezolutës me synimin për ta bërë luftën kundër perdhunimeve në luftra më efektive dhe më të shpejtë.

Ministri gjerman Heiko Maas e quajti rezolutën "gur themeli". Megjithatë teksti u reduktua me presionin e bërë nga SHBA dhe vende të tjera. Ambasadori gjerman në OKB, Christoph Heusgen, tha se në përgjithësi është "shumë i lumtur" për rezolutën e aprovuar: "Ne nuk i arritëm të gjitha synimet tona, por ne arritëm shumë."

Aprovimi i rezolutës u parapri nga bisedime të ashpra për pjesë të caktuara të saj. Me presionin e bërë nga SHBA, Kina dhe Rusia nga rezoluta u hoqën pjesët që kërkonin krijimin e mekanizmave fiks ndërkombëtarë për përndjekjen e dhunës seksuale, si dhe krijimi i një grupi pune nga OKB që të merret me çështjen.

Këshilli i Sigurimit të OKB diskuton rezolutën kundër dhunës seksuale në konflikteFotografi: Getty Images/D. Angerer

Kritikat e Francës për SHBA

Përfaqësuesit e SHBA nuk donin po ashtu formulimet që kishin të bënin me shëndetin seksual dhe të drejtat e riprodhimit, sepse druhen se ato mund të kuptohen si nxitje e abortit. Meqenëse delegacioni amerikan kërcënoi me vendosjen e vetos, këto pjesë u hoqën nga rezoluta.

Në rezolutë merren parasysh edhe sanksione speciale që OKB mund të vendosë kundër dhunës seksuale në konfliktet e armatosura. Po ashtu shteteve të prekura iu kërkua kujdes më i madh për viktimat.

Ambasadori francez në OKB, François Delattre, kritikoi ashpër SHBA. "Qeveria franceze është "e tmerruar" nga qëndrimi i SHBA", tha ai duke thënë se është për të ardhur keq që në diskutimin e një rezolute për dhunën seksuale janë bërë kërcënime me vendosjen e vetos kundër saj.

Ministri gjerman i Jashtëm Heiko Maas drejton seancën në OKBFotografi: Getty Images/D. Angerer

Ministri gjerman i Jashtëm, Heiko Maas tha para aprovimit të rezolutës në një debat të hapur në Këshillin e Sigurimit, se mungesa e trajtimit juridik të dhunës seksuale ka nxitur deri tani një "kulturë të keqe të mungesës së dënimit". Po aq i rëndësishëm sa dënimi i autorëve është kujdesi për viktimat.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres tha se dhuna në shumë rajone krize të botës është taktikë lufte. "Pjesa më e madhe e krimeve nuk informohen, nuk hetohen dhe nuk dënohen kurrë nga gjykata," tha Guterres. Grupe të armatosura, ekstremistë dhe terroristë ushtrojnë nënshtrimin e grave dhe vajzave, për shembull nëpërmjet skllavërimit dhe martesës së detyruar.

Guterres i bëri thirrje të gjitha qeverive që të bëjnë më shumë për mbrojtjen e grave në zonat e krizës. Nëse gratë lidhen më shumë me politikën, ekonominë, jetën sociale si dhe misionet e bisedimet e paqes, atëherë arrihet të sigurohet që kjo temë të ketë më suhmë peshë. Kombet e Bashkuara e kanë dënuar tashmë dhunën në konflikte në disa rezoluta. Dhuna seksuale shihet nga e drejta ndërkombëtare si krim lufte.

Avokatja aktiviste për të drejtat e njeriut, Amal Clooney, që po ashtu mori pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit, theksoi kërkesën për përndjekjen me forcë të dhunës seksuale duke bërë paralele me procesin e Nurembergut kundër krimeve naziste. "Ky është momenti juaj i Nurembergut," tha ajo duke i drejtuar një apel Këshillit të Sigurimit. Shtetet anëtare duhet ta shfrytëzojnë shansin për "t'u pozicionuar në anën e duhur të historisë", tha ajo.

Amal Clooney dhe Nadia Murad në Këshillin e SigurimitFotografi: Reuters/C. Allegri

"Akte barbare"

Fjalën e morrën edhe mbajtësit e Çmimit Nobel të Paqes, Nadia Murad dhe Denis Mukwege. Mukwege kërkoi luftë më të vendosur kundër këtyre "akteve barbare". Të nevojshme janë jo vetëm mekanizmat e paralajmërimit dhe reagimet e shpejta, për të luftuar këtë krim, theksoi mjeku kongolez, që lufton për të drejtat e grave të përdhunuara. Murad, e cila është mbajtur e burgosur dhe përdhunuar nga luftëtarët e milicisë terroriste të "Shtetit Islamik" (IS) kërkoi që autorët të dërgohen në bankën e të akuzuarve në gjykatën ndërkombëtare.

Mbas aprovimit të rezolutës, shumë vende bënë deklarata mes të cilave edhe përfaqësuese nga Serbia. Përfaqësuesja e Serbisë foli për angazhimin e qeverisë së saj në luftimin e dhunës seksuale. Ajo nuk e zuri asnjëherë në gojë Kosovën.

Ambasadorja e Shqipërisë në misionin e OKB, Besiana Kadare i kërkoi Sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres të përfshijë Kosovën në raportin e dhunës seksuale në konflikte. Një delegacion grash nga Kosova, i kryesuar nga ish presidentja Ahtifete Jahjaga dhe Feride Rushiti morën po ashtu pjesë në aktivitetet e organizuara në OKB për shoqërinë civile.

 

 

AG