Luftë kundër korrupsionit në Kosovë
20 Prill 2006
Në Kosovë kanë nisur të ndërmerren masa kundër korrupsionit dhe sipas vlerësimeve të auditorëve të përgjithshëm kjo dukuri është e shtrirë pothuaj në të gjitha institucionet e Kosovës. Auditorët e përgjithshëm janë duke vazhduar kontrollin në të gjitha institucionet e Kosovës dhe deri tash, ata kanë hasur në keqpërdorime të shumta financiare që janë bërë brenda institucioneve qendrore por edhe atyre lokale. Për këtë fakt është themeluar edhe agjencioni për luftimin e korrupsionit, agjenci, kjo e cila thuhet se do të jetë e pavarur. Ulpiana Lama është zëdhënëse e qeverisë: Për çështjen e korrupsionit po merren një seri masash të natyrës parandaluese. Për këtë shkak është themeluar agjencia kundër korrupsionit, e cila do të jetë një agjensi e pavarur në të cilën nuk do të ndërhyhet nga qeveria", thotë zëdhënësja Lama.
Zyrtar të SHPK-së, kanë njoftuar se me urdhër të prokurorit ata kanë arrestuar dy persona të përfshirë në korrupsion punonjës në agjencinë e regjistrimit të bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ministri Bujar Dugolli, personat në fjalë menjëherë i ka larguar nga puna: "Me këto raste do të merret policia. Unë kam larguar nga puna personat në fjalë ndërsa me ta tash do të merren policia dhe gjyqësia. Askush nuk do të jetë mbi ligjin", thotë ministri Dugolli.
Në raportin e parë të auditorëve të përgjithshëm keqpërdorimet më të mëdha financiare janë hetuar në Ministrinë për Komunitetet dhe Kthim e udhëhequr nga Sllavisha Petkoviq dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Këtu bëhet fjalë për miliona euro. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i ka dhënë afat ministrit Petkoviq deri më një maj që të argumentojë të hollat e shpenzuara, në të kundërten ai do të përballet me ndjekje penale. Nga ana tjetër, opozita në Kosovë vazhdon të sulmojë qeverinë e Kosovës për keqmenaxhim duke e cilësuar atë qeveri të dështuar.
Hajredin Kuqi i cili është udhëheqës i kabinetit për qeverisje të mirë, i PDK-së, në opozitë, thotë së Kosovës i nevojitet një qeveri më bazë gjithpërfshirëse: "Edhe pas konstatimeve të auditorëve për shkelje konkrete, qeveria pret vendime politike për të ndërmarrë hapa ndëshkues. Prandaj ne kërkojmë që në Kosovë të formohet një qeveri me bazë gjithpërfshirëse", thotë Kuqi.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar është i shtrirë pothuaj në të gjitha nivelet në Kosovë. Kjo pohohet edhe nga raportuesi i Komitetit për Çështje Politike në Këshillin e Evropës, Lordi Rasell Jonson. Ai është duke përgatitur një raport për Kosovën, të cilin do t'ia prezantojë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Sidoqoftë, autoritetet në Kosovë thonë se, janë duke pritur raportet përfundimtare të auditorëve të përgjithshëm dhe nëse ka fakte të mjaftueshme për keqëperdorime financiare, përballjes me ligjin thonë ata nuk do t'i shpëtojë askush.