1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Luftëtarët danezë të rezistencës" - Filmi gjermano - danez "Ditët e zemëratës"

Jörg Taszman4 Shtator 2008

Dy luftëtarë danezë të rezistencës janë figurat kryesore të filmit "Ditët e zemëratës" që po shfaqet në kinematë e Gjermanisë. Filmi një prodhim gjermano-danez ka ngjallur debate kontradiktore.

Skenë nga filmi "Ditët e zemëratës"Fotografi: WÜSTE Film, Erik Aavatsmark

Detyra e luftëtarëve të rezistencës është fillimisht që të likuidojnë kolaboratorët danezë, e këtë gjë e bënte me gjakftohtësinë më të madhe e shpesh herë pa mëshirë i riu i flaktë. Në vitin 1944 ai ishte 23 vjeç dhe meqënëse kishte flokë të kuqe atij i vunë nofkën "Flaka". Partneri i tij 10 vjet më i madh Citron në kohën e luftës kish punuar në fabrikat e Citroen-it. Filmi i Ole Christian Madsen nuk e glorifikon rezistencën. Udhëheqësit e rezistencës daneze që me vetëmohim vënë jetën në rrezik në ilegalitet në Suedi paraqiten me sy kritik. Për Mads Mikkelsen janë pikërisht këto aspekte të filmit interesant: “Gjatë luftës në Danimarkë ka pasur ndoshta 700 deri në 900 luftëtarë të rezistencës. Ndërkohë që 7000 danezë luftonin në Rusi për Gjermaninë. Këto shifra nuk qëndrojnë në asnjë lloj raporti me njëra-tjetrën. Shumë njerëz në vendin tonë e konsideronin të mirëseardhur Gjermaninë naziste. Madje ishin të shumtë ata, që edhe ideologjinë e konsideronin pozitive, nën moton më së fundi po ndodh diçka në Evropë, që po hap vende pune. Pas luftës papritur dolën 50 000 luftëtarë të rezistencës, nje ditë pas fundit të luftës. Ne kemi nevojë të jemi heronj dhe nuk duam të na shohin si tradhëtarë të vegjël dhe të frikësuar. ”


Në Danimakrë filmi "Ditët e zemëratës" ngjalli debate të zjarrrta dhe Mads Mikkelsen është i kënaqur për faktin që edhe të rinjtë si vajza e tij 15 vjeçare e kanë parë filmin dhe që kjo temë trajtohet sërish në orët e mësimit. Për aktorin ndërkohë më të njohur në Danimarkë, ky nuk është një film kundër gjermanëve: “Në fundin e viteve 60-të ishte shumë e vështirë të ishe gjerman. Por unë besoj, në këtë film nuk kemi të bëjmë aq me kohën e nazizmit, por me luftën në vetvete dhe asaj se çfarë bën lufta me njerëzit. Me këtë mund të identifikohen edhe gjermanët dhe për këtë ata nuk duhet ta ndjenë veten gjithmonë të akuzuar. Sepse kur shikon filma nga lufta, me siguri që mendon: "O Zot jemi ne këta?". Ndaj unë besoj, se ky film shtron të tjera pyetje. Unë shpresoj që edhe spektatorët gjermanë do të mendojnë kështu.”


“Ditët e zemëratës” është një film me aktorë të mirë. Rolet kryesore interpretohen prej artistëve të njohur danezë Thure Lindhart dhe Mads Mikkelsen. Në të interpretojnë edhe gjermanët Christian Berkel dhe Hanns Zischler. Ky është një nga filmat më kompleks dhe që ia vlen ta shohësh, ndër filmat, të cilët trajtojnë periudhën e sundimit nazist në Evropën e pushtuar. Produkti i bashkëpunimit danezo-gjerman është sa argëtuas aq edhe intrigues duke shtruar nga një anë pyetje dhe duke thyer mite. Kushdo që është i ineteresuar për historinë dhe për kinemanë e mirë, popullore dhe narrative e gjen veten tek filmi "Ditët e zemëratës".