1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta I Botërore dhe Shqipëria

Pandeli Pani14 Shkurt 2014

Jo Ballkani, por e gjithë Evropa ishte në vitin 1914 një fuçi e madhe baruti, në të cilën qenë futur shumë fitilë, një prej të cilëve ishte Shqipëria, thotë historiani Michael Schmidt-Neke.

Fotografi: picture-alliance/dpa

DW: Shqipëria qe duke hedhur hapat e parë si shtet pas shpalljes së pavarësisë, kur ndodhi atentati i Sarajevës më 28 qershor 1914, që konsiderohet edhe si preteksti për shpërthimin e Luftës e Parë Botërore. Cilat ishin pasojat e këtyre ngjarjeve për Shqipërinë?

Schmidt-Neke: Lufta e Parë Botërore nisi nga Gadishulli i Ballkanit dhe jo vetëm për shkak të vrasjes së arkidukës Franz Ferdinand, trashëgimtar i fronit të Austro-Hungarisë, por për shkak se Luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913 ishin një lloj faze prove. Askund në Evropë gjashtë fuqitë e mëdha të asaj kohe, pra Rusia, Britania, Franca, Italia, Gjermania dhe Austro-Hungaria nuk ishin aq të përkushtuara për të realizuar interesat e tyre konkurruese në bashkëveprim me shtetet e reja kombëtare. Kjo ishte vënë tashmë re që në vitin 1878 në Kongresin e Berlinit, përfundimet e të cilit ishin të pafavorshme për shqiptarët dhe kjo gjë tani u ashpërsua më tej.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe njohja e saj ndërkombëtare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në korrik 1913 qe nga njëra anë rezultat i natyrshëm i lëvizjes kombëtare shqiptare, sepse në qoftë se askush nuk kërkon mëvetësinë si shtet, ndoshta një i tillë as nuk themelohet. Por nga ana tjetër shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912 nuk do të kishte pasur efekt, nëse do të kishin triumfuar pozicionet e Rusisë, apo Francës, të cilat nuk kishin asgjë kundër një zgjerimi të Greqisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi në gjithë Ballkanin Jugperëndimor.

Shqiptarët patën fat, sepse konjunktura politike po ndikonte në favor të një Shqipërie të pavarur dhe fat të keq, për shkak se ajo nuk punoi në favor të bashkimit të zonave të populluara me shumicë shqiptare. Kompromisi ishte njohja e Shqipërisë si një principatë prej gjashtë fuqive të mëdha, por vetëm brenda kufijve të ngushtë të saj, siç i kemi sot. Një kompromis tjetër qe emërimi i princit Wilhelm zu Wied si princ i Shqipërisë, sepse për shkak të origjinës, lidhjeve farefisnore dhe fesë, ai nuk ndeshi te asnjëra palë në kundërshtim të pakapërcyeshëm.

Por në qoftë se gjehet një zgjidhje përmes një kompromisi mes gjashtë palësh, kjo bëhet e pavlefshme, nëse palët papritmas fillojnë të qëllojnë mbi njëri-tjetrin. Me largimin e Princ Vidit Shqipëria u kthye në arenën ndërkombëtare sërish në atë pikë, ku kishte qenë para Konferencës së Ambasadorëve në një tokë, që sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk i takonte askujt.

Kjo përkeqësohej më tej edhe prej faktit, se në vend nuk kishte asnjë faktor qendror, që do të qe në gjendje ta mbante shtetin të bashkuar. Romani i Ismail kadaresë "Viti i mbrapshtë" e përshkruan këtë kaos shumë tragjikomik, në të cilin shpejt as shqiptarët dhe as të huajt nuk po e merrnin më vesh se cili qe aleat me kë dhe kush luftonte për çfarë. Si rezultat pavarësia pas më pak se dy vjetësh u pezullua për të filluar të funksiononte përsëri në janar të vitit 1920 në Lushnjë.


DW: Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore Shqipëria qeverisej nga princ Vidi. Ju keni shkruar në një studim: “Regjimi Vidi nuk ishte vetëm një pjesë e historisë shqiptare, por qe një gur i rëndësishëm mozaiku në panoramën e Evropës në kulmin e krizës së imperializmit, e cila shpërtheu në Luftën e Parë Botërore." Në ç'mase ishte periudha e qeverisjes së Vidit një pjesë e rëndësishme në kontekstin politik evropian dhe global?

Schmidt-Neke: Fan Noli, udhëheqësi i Kishës Ortodokse dhe kryeministri revolucionar i vitit 1924, ka thënë për princ Vidin: Atë mund ta fajësojmë vetëm për një gjë: që Vidi nuk mund të bënte mrekulli. Në periudhën komuniste flitej për ksenokraci, pra për sundimin e huaj, që do të thoshte se Vidi kishte shkuar në Shqipëri vetëm për të zbatuar interesat e huaja, por jo për t'i shërbyer vendit dhe popullit të saj.

Natyrisht që dështimi i Vidit qe i parashikueshëm, edhe për shkak se ai nuk sillte me vete asnjë lloj kualifikimi për këtë funksion.

Ndryshe nga princët dhe mbretërit gjermanë, që ishin vendosur në Greqi, Rumani dhe Bullgari, ai nuk kishte kohë për të mësuar nga gabimet e tij dhe për të përmirësuar mungesën e njohurive për vendin. Edhe vetëm vendimi i tij për të marrë pjesë si oficer gjerman në luftë, tregon se sa pak ishte adoptuar ai me rolin e tij si kreu i shtetit.

Çështja që është diskutuar me shumë forcë përsëri këtë vit është, në se Lufta e Parë Botërore qe e predestinuar të shpërthente, sepse konkurrenca e gjashtë fuqive imperialiste e kishte bërë të pashmangshme, apo nëse ishte e mundur një stabilizim i rendit të paqes. Kjo mospërputhje e politikës së atëheshme evropiane u bë e qartë në mënyrë mjaft shembullore në Shqipërinë e vogël. Nga njëra anë u bë e mundur të gjehej një konsensus në formën e një Shqipërie të pavarur me princin Wilhelm zu Wied në krye, nga ana tjetër më pas në qeveritë kombëtare fitoi përparësi politika për ndjekjen e interesave të veta me çdo kusht.

Jo Ballkani, por e gjithë Evropa ishte në atë kohë një fuçi e madhe baruti, në të cilën qenë futur shumë fitilë, një prej të cilëve ishte Shqipëria.


DW: Shqipëria nuk ka qenë pjesëmarëse aktive në Luftën e Parë Botërore dhe konsiderohet si top loje, apo plaçkë tregu e interesave të fuqive, që merrnin pjesë në luftë. Edith Durham ka thënë në këtë kontekst: "Shteti i sapokrijuar i Shqipërisë ju hodh përpara ujqve për të shpëtuar shtetet më të vjetër.” Sa qëndrojnë sipas mendimit tuaj këto pohime dhe pse?

Schmidt-Neke: Shqipëria nuk mund të ishte si shtet palë ndërluftuese, sepse nuk kishte shtet shqiptar. Shqipëria qe territor i pushtuar nga austriakët, serbët, malazezët, grekët, francezët, bullgarët, italianët, dhe secili prej tyre kishte aleatët e vet shqiptarë. Kushtet e vitit 1913 u rikthyen edhe më me forcë.

Ekzistonin ide krejtësisht të ndryshme, se si do të organizohej Ballkani pas luftës. Nëse do të kishin fituar Fuqitë e Treshes, Jugosllavia nuk do të kishte lindur, dhe ekzistencës së Serbisë dhe të Malit të Zi do t'i kishte ardhur fundi prej një zgjerimi të mëtejshëm të Austro-Hungarisë drejt Juglindjes dhe ekspansionit perëndimor të Bullgarisë. Rikrijimi i Shqipërisë si shtet i pavarur nuk kishte ndonjë prioritet veçanërisht të lartë për askënd.

Parrulla e "vetëvendosjes së popujve", që propagandonte presidenti amerikan Wilson drejtohej kryesisht kundër Austro-Hungarisë, dhe pas luftës u bë e qartë se në atë rast nuk bëhej aspak fjalë për një e drejtë universale të njeriut.
Kishte vetëm pak njerëz, që angazhoheshin për Shqipërinë, dhe për fat të keq ata nuk kishin shumë ndikim, si Edit Durham, Leo Freundlich, apo Aubrey Herbert.

DW: Sa dhe në ç'formë kanë ndikuar sipas mendimit tuaj ngjarjet e Luftës së Parë Botërore, krahas Luftërave Ballkanike, në krijimin e përfytyrimit të shqiptarëve për fqinjët?

Schmidt-Neke: Këto ngjarje kanë polarizuar sigurisht shumë dhe kanë përkeqësuar sidomos marrëdhëniet reciproke midis serbëve, shqiptarëve dhe grekëve.

Në politikën zyrtare Shqipëria u largua nga bashkëpunimi mbarëballkanik, për të cilin u tentua në Lidhjen Ballkanike, duke përjashtuar Bullgarinë dhe nën mbretin Zog Shqipëria u vu në varësi të përgjithshme ndaj Italisë, gjë e cila do t'i kushtonte Shqipërisë më vonë sërish pavarësinë e saj.

Historiani Michael Schmidt-Neke ka mbrojtur disertacionin me temën Lindja dhe zgjerimi i diktaturës mbretërore në Shqipëri (1912-1939). Ai është autor i shumë shkrimeve për historinë e Shqipërisë si dhe për sistemin politik dhe shoqëror të vendit.