1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës përçan G20

3 Mars 2023

Vendet më të rëndësishme të botës nuk arritën të bien dakord për një deklaratë për dënimin e luftës kundër Ukrainës. Rusia dhe Kina e bllokuan në Nju Delhi një deklaratë të tillë.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës përçan G20
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës përçan G20 Fotografi: Alet Pretorius/REUTERS

Takimi më interesant i ministrave të Jashtëm të G20 zgjati më pak se dhjetë minuta dhe u zhvillua "në ecje e sipër" diku në një korridor në qendrën e konferencave. Askush nuk e di se çfarë i thanë njëri-tjetrit ministri i Jashtëm i SHBA-së, Anthony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.Ata qëndruan me maturi larg kamerave dhe mikrofonave. Një punonjës i Blinken-it tha pas takimit se ministri i Jashtëm i SHBA-së i kishte bërë të qartë përfaqësuesit rus se SHBA-ja do ta mbështesë Ukrainën që po mbrohet ndaj Rusisë për aq kohë sa të ishte e nevojshme.

Në takimin e tyre të parë personal që nga pushtimi rus i Ukrainës, Anthony Blinken i kërkoi Sergei Lavrov që Rusia të mos pezullojë, siç ka paralajmëruar, traktatin e ri START për kufizimin e armëve bërthamore. "Ishte e rëndësishme që këto mesazhe të jepeshin personalisht," tha një diplomat amerikan në Nju-Delhi. Po negociata apo diçka të ngjashme nuk pati negociata. Çfarë u përgjigj ministri i Jashtëm i regjimit rus nuk dihet. Sergej Lavrov nuk e përmendi takimin e shkurtër me Blinken në konferencën e tij për shtyp në fund të takimit të ministrave të Jashtëm të G20.

Rusia kërkon heqjen e sanksioneve

Sergej Lavrov kishte folur më parë në seancën plenare zyrtare të G20. Ai e quajti "hipokrite" kritikën e Perëndimit ndaj luftës agresore ruse - apo si e quajti Lavrovi ndaj operacionit ushtarak. Perëndimi e ka mbushur Ukrainën plot me armë për vite me radhë.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e quajti Rusinë viktimëFotografi: ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Ministri i Jashtëm e portretizoi Rusinë si viktimë dhe bëri thirrje që të hiqen sanksionet e botës perëndimore ndaj vendit të tij, të cilat sipas tij ishin të paligjshme. "Çdo shkelje e tregtisë së lirë ndërkombëtare, ndërhyrjet në treg, kufizimet arbitrare të çmimeve dhe përpjekjet e tjera për të zhvlerësuar burimet e huaja minerale duhet të ndalen”, tha Lavrov, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Baerbock kërkon përfundimin e luftës

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock iu drejtua drejtpërdrejt Sergei Lavrovit: "Zoti Lavrov, ndaloje këtë luftë! Ndaloni shkeljen e rendit tonë ndërkombëtar! Ndaloni bombardimet e qyteteve dhe civilëve ukrainas!" Lavrovi dëgjoi pa shfaqur emocione të jashtme, ndërsa  Annalena Baerbock vazhdoi: "Rruga drejt paqes është e qartë: nëse Rusia tërheq trupat e saj sot, atëherë nuk do të ketë më luftë".

 

Rusia dhe Kina nuk ranë dakord për një deklaratë të përbashkët përfundimtare të G20 që do të përmbante edhe dënimin e luftës kundër Ukrainës. Ashtu si takimi i ministrave të Financave të G20 një javë më parë, takimi u mbyll pa ndonjë vendim të përbashkët. Sergei Lavrov nuk është plotësisht i izoluar brenda G20.

Ministri i Jashtem kinez Wang Yi dhe Sergei LawrowFotografi: Alexander Nemenov/AP/picture alliance

Përveç ministrit të Jashtëm kinez, ai u takua edhe me mikpritësin e takimit, MPJ të Indisë si dhe ministra të tjerë për bisedime dypalëshe. India, Afrika e Jugut dhe Brazili bënë thirrje që lufta në Evropë - të cilën ata e shohin vetëm si një "krizë në Ukrainë" - të mos lejohet të bllokojë plotësisht punën e G20.

Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE