Lufthansa në grevë - Anulohen qindra fluturime
10 Prill 2026
Në ditën e fundit të pushimeve të Pashkëve, stjuardët dhe stjuardesat eLufthansa-s janë thirrur në grevë. "Do të preken nga greva të gjitha nisjet e Deutsche Lufthansa AG nga aeroportet e Frankfurtit dhe Mynihut”, njoftoi sindikata e stjuardesëve UFO. Greva pritet të zhvillohet në periudhën nga ora 00:01 deri në orën 22:00.
Në të njëjtën periudhë do të preken nga greva edhe nisjet e degës rajonale Lufthansa Cityline nga gjithsej nëntë aeroporte: Frankfurt, Mynih, Hamburg, Bremen, Shtutgart, Këln, Dyseldorf, Berlin dhe Hanover.
Anulim i mbi 520 fluturimeve
Për pasagjerët e Lufthansa‑s kjo do të thotë me shumë gjasë anulime të shumta fluturimesh. Kompania nuk publikoi një shifër zyrtare. Shoqata e aeroporteve ADV parashikon se gjithsej do të anulohen mbi 520 fluturime.
Në qendrën kryesore të Frankfurtit, nga afro 350 nisje të planifikuara të Lufthansa‑s, 75 për qind janë anuluar, siç tregon plani i aeroportit. Edhe radiotelevizioni i landit Hesen (Hessischer Rundfunk) raportoi online për rreth 280 nisje dhe 270 ulje në Frankfurt që janë anuluar. Në aeroporte të mëdha si Hamburgu ose Berlini u anuluan gjithashtu dhjetëra fluturime.
Greva mund të ketë pasoja edhe për udhëtarët që kthehen nga pushimet e Pashkëve, pasi si pasojë mungojnë avionë në destinacione të huaja.
Si reagim ndaj grevës, Lufthansa njoftoi fluturime shtesë nga linjat e saj ajrore që nuk preken prej grevës. Sipas saj, Discover, Lufthansa City dhe Eurowings do të marrin përsipër fluturime shtesë, për aq sa është e mundur.
Edhe degët ndërkombëtare si Austrian Airlines, Swiss, Brussels Airlines, Air Dolomiti dhe ITA Airways do të përpiqen të ofrojnë frekuenca fluturimesh shtesë dhe të përdorin avionë më të mëdhenj në fluturimet e tyre nga dhe drejt Gjermanisë.
"Situata mund të ishte shmangur”
Anëtari i bordit të Lufthansa‑s përgjegjës për personelin, Michael Niggemann, kritikoi kohën e zgjedhur për grevën. Thirrja për grevë i godet veçanërisht rëndë pasagjerët që po kthehen pas pushimeve të Pashkëve. Për më tepër, me Lufthansa dhe Lufthansa Cityline do të preken njëkohësisht nga greva dy operatorë fluturimesh. Ky përshkallëzim është i papërgjegjshëm.
"Kjo situatë mund të ishte shmangur”, theksoi kryetari i UFO‑s, Joachim Vázquez Bürger. Përgjegjësia, sipas tij, qëndron te Lufthansa, e cila deri tani nuk ka arritur të paraqesë një ofertë të negociueshme. Grevës i kanë paraprirë fillimisht një grevë paralajmëruese dhe më pas një votim nga punonjësit, i cili rezultoi në mbështetje të lartë për grevën.
dpa/ard