1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftime të ashpëra në kufirin turk-irakian

Ulrich Pick 22 Tetor 2007

Të paktën 44 të vdekur e ushtarë të humbur - ky është bilanci i luftimeve më të përgjakshme prej vitesh mes rebelëve kurdë dhe ushtarëve turq.

Ushtarë turq patrullojnë në kufirin me IrakunFotografi: AP
Të dielën në kufirin turk-irakian humbën jetën të paktën 44 njerëz. Sipas burimeve të ushtrisë turke, gjatë disa përleshjeve të përgjakshme kanë vdekur 12 ushtarë dhe mjaft luftëtarë të grupit të relebëve PKK. Sipas burimeve të PKK-së, disa ushtarë turq janë marrë peng. Pikërisht këtë informacion japin aktualisht edhe agjensitë turke të lajmeve, të cilat flasin për ushtarë të zhdukur.

Luftimet ndodhën në provincën Hakari në juglindje të vendit dhe në kufi me Irakun. Luftëtarët guerrilas të PKK-së kanë muaj tashmë që sulmojnë territorin turk nga Iraku verior. Qysh prej fillimit të këtij viti këtu kanë humbur jetën rreth 100 ushtarë. Ushtria turke e ka rritur prezencën e saj në rajonin kufitar në mënyrë masive - flitet se atje janë stacionuar rreth 60.000 ushtarë.

Luftimet e të dielës janë më të ashpërat prej javësh. Ato ndodhën pak ditë pasi parlamenti turk vendosi t´i lejojë kryeministrit, që në rast domosdoshmërie, mund të ndërhyjë në mënyrë ushtarake në shtetin fqinj. Qeveria turke e mori këtë vendim, pasi SHBA-s, të cilave u ish lutur prej muajsh për mbështetje, nuk e ndihmuan. Të dyja këto vende, ashtu si edhe BE-ja e vlerësojnë PKK-në si organizatë terroriste, por Uashingtoni u përpoq ta evitojë rrugën e armatosur, sepse mendon se luftimet në rajonin e kurdëve do të shkatërronin rajonin e vetëm paqësor në Irak, duke prishur kështu përfundimisht imazhin e SHBA-s në këtë vend. Përveç kësaj, SHBA në luftën e tyre kundër Iranit mbështesin grupin iranian-kurd, PJAK, i cili bashkëpunon me PKK-në. Turqia shfaqi zhgënjimin e saj të thellë mbi këtë sjellje dhe deklaroi se në luftën kundër terrorit, nuk mund të veprohet sipas dëshirës.

Ndërkohë parlamenti irakian i ka bërë thirrje luftëtarëve të PKK-së që të largohen nga vendi. Presidenti i parlamentit Mahmud al Mashahadani deklaroi se në rast nevoje, qeveria e Nuri al Malikut do t´i ndalojë vetë aktivitetet e PKK-së. ndërkohë guerrilasit e PKK_së kërcënuan se në rast të një invasioni turk, ata do të hedhin në erë puse të naftës në veri të Irakut. Eksporti i naftës, e cila nxirret në rajonet rreth Kirkukut, zhvillohet nëpërmjet portit turk Ceyhan.

Për shkak të marrëdhënieve të vështira aktuale, kryeministri turk Erdoan do të takohet më 5 nëntor me presidentin Bush për të zhvilluar bisedime të përbashkëta. Më parë në Irak do të zhvillohet një konferencë, në të cilën pritet të marrë pjesë ministrja e jashtme amerikane, Rajs (Condoleezza Rice) dhe kolegu i saj irakian Manuçer Motaki. Sipas gazetave turke të së dielës, në rast se bisedimet mes Erdoanit dhe Bushit nuk do të kenë sukses, atëherë qeveria turke do të dërgojë trupat e saj drejt Irakut, në rast se PKK-ja vazhdon të sulmojë që andej.