Më 1 Maj- Kosova e re dhe e varfër
1 Maj 2007
Në Kosovë dita e 1 Majit festohet, nuk protestohet edhe pse të drejtat e punëtorëve llogariten nën çdo nivel, sikundër papunësia çdo ditë shënon rritje. Në një raport të organizatës së kombeve të bashkuara për zhvillim, UNDP, konstatohet se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, ndërsa rradhitet ndër vendet më të varfra në rajon dhe Evropë. Autoritet kosovare thonë se, Kosova ka kapacitete prodhuese që mund të garantojnë siguri për punësim, mirëpo nuk ka pasur zhvillim të asaj shkalle. I gjithë faji, sipas tyre bie mbi çështjen e pa zgjidhur të statusit.
Qeveria e Kosovës nga ana e saj, është e vetëdijshme për numrin shumë të lartë të të papunëve. Kryeministri Agim Çeku, nuk dëshiron të spekulojë me shifra përderisa në Kosovë akoma nuk është zhvilluar regjistrimi i popullsisë proces ky që sipas tij, do të jepte shifra të sakta mbi strukturën e populllsisë rrjedhimisht do të saktësonte edhe numrin e të punësuarve dhe të papunësuarve.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka vendosur që për 1 Maj të mos organizojnë protesta për të kërkuar të drejtat e tyre sepse janë frikësuar se protestat e tyre mund të ndryshojnë linjë për shkak të fazës së ndjeshme në të cilën ndodhet Kosova.
Sindikalistët kosovarë ndërkaq, pas shumë protestash të zhvilluara vazhdimisht në vitet e pasluftës, kohë më parë kanë arritur të nënshkruajnë një marrëveshje me qeverinë, një "kontratë kolektive", e cila thuhet se garanton të drejtat e punëtorëve dhe rritë sigurinë e tyre në punë.
Implementimi i kësaj kontrate, kërkon miliona euro dhe pikërisht ky duket se është shkaku kryesor që kontrata kolektive vazhdon të mbetet vetëm e shkruar në letër dhe të mos implementohet. Vërejtje për nënshkrimin e kontratës kolektive janë shënuar edhe nga "Fondi Monetar Ndërkombëtar', mekanizëm ky që i ka rekomanduar qeverisë së Kosovës se implemenimi i kontratës kolektive do ta vë në kolaps buxhetin e varfër të Kosovës.