1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më në fund flet Drejtësia dhe hesht politika

11 Shkurt 2011

Gjykata e Tiranës vendosi dje burgosjen pa afat të një oficeri të Gardës së Republikës. Për politologun Ermal Hasimja ky zhvillim flet për fillim të heqjes heqje dorë të politikës nga ndikimi i saj mbi drejtësinë

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Fotolia/liveostockimages

Vendimi i djeshëm (10.02.) i Gjykatës së Tiranës për burg pa afat ndaj Agim Llupos, shef i shtabit të njësisë speciale të Gardës së Republikës nën akuzën e vrasjes gjatë demostratës antiqeveritare të 21 janarit ë tregon qartë se më në fund po flet Drejtësia dhe po hesht politika. Ndërkohë që komandanti i kësaj njësie, Alfred Ahmetcenaj është i arrestuar dhe tanimë janë marrë në pyetje edhe oficerë të tjerë të Gardës së Republikës, që deri dje policia refuzonte t'i ndalonte për t' i hapur rrugë hetimeve. Këto zhvillime duket se shënojnë edhe fillimin e heqjes dorë të politikës nga ndikimi i saj mbi drejtësinë.

Zhvillime pozitive por të vonuara

Në foto, Ermal HasimjaFotografi: DW

Ermal Hasimja, politolog, pedadog në Universitetin e New Yorkut i vlerëson shumë pozitive këto zhvillime, por të vonuara dhe pasojë e presionit ndërkombëtar dhe jo e vullnetit politik të maxhorancës.

“Janë zhvillime pozitive të vonuara por të mirëpritura pa dyshim. Mendoj se janë pasojë e një arranzhimi politik sesa juridik , siç duhej të kishin qenë që në krye të herës. Mundësimi i punës së Prokurorisë vjen si pasojë e presionit ndërkombëtar dhe jo si një shenjë vullneti e palëve në konflikt- drejtësisë dhe pushtetit ekzekutiv- për t' u tërhequr dhe lënë vend drejtësisë”, thotë Z. Hasimja.

Kërkohen hetime të plota dhe të balancuara

Thomas Countryman gjatë takimit me kryeministrin Berisha (9.02.2011)Fotografi: dapd

Pohimi i politologut Ermal Asimja gjen argumenta të pakundëtrshtueshëm në mesazhet këmbëngulëse, konstante të politikanëvë të lartë të BE dhe të SHBA drejtuar vazhdimisht politikës së Tiranës për të mos i ndërhyrë Drejtësisë në punën e saj. Mesazhi më i freskët vjen nga Zv. Sekretari Amerikan i shtetit Thomas Countryman,( Tomas Kantrimen) i cili në një vizitë gjatë kësaj jave në Tiranë theksoi se Prokuroria duhet të bëjë “ një hetim të plotë dhe të balancuar”. Gjithsesi vendim i mbrëmshëm (10.02.) i Gjykatës së Tiranës dhe lejimi i hetimit te oficerëve të Gardës së Republikës për ngjarjet e 21 janarit nën ndikimin e presionit ndërkombëtar, për politologun Ermal Hasimja janë tregues i dobësisë së institucioneve, shoqërisë dhe medias në Shqipëri.

Kjo është një mangësi e madhe jo vetëm për politikën por edhe për shoqërinë civile, për çdo qytetar që është i përgjegjshëm pasi njërëzit qe na përfaqësojnë në institucione , njerëzit që i mbajnë gjallë këto konflikte janë aty sepse u kemi dhënë votën. Mos të harrojmë që jemi në vitin 2011 dhe mendoni.. dalja nga situatat e vështira në Shqipëri vjen nga presioni i faktorit ndërkombëtar.” thotë Z. Hasimja.

Çfarë është e rëndësishme për faktorin ndërkombëtar?

Zoti Hasimja vërën se faktori ndërkombëtar aplikon në Shqipëri parime kontekstuale dhe jo universale lidhur me demokracinë.

Pamje simbolikeFotografi: AP Graphics/DW

“Standartet e BE ose të SHBA janë në vartësi të kontekstit konkret të Shqipërisë. Pasi deri më sot nuk kam parë ndonjë rast kur një turmë e madhe të përpiqet të futet në Bundestag apo selinë e Kancelares gjermane duke rrahur policët. Për faktorin ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm stabiliteti politik i Shqipërisë. Në kontekstin aktual të Shqipërisë për faktorin ndërkombëtar është e rëndësishme që Shqipëria, si vend i NATO-s të jetë një vend pa trazira për arësyet gjeo-strategjike.”

Stabiliteti dhe situata politike

Megjithë këtë synim të faktorit ndërkombëtar situate politike në Shqipëri mbetet problematike dhe e paqëndrueshme. Mbrëmë (10.02.) deputetë të maxhorancës dhe opozitës përdorën dhunë fizike ndaj njëri tjetrit dhe opozita braktisi punimet e parlamentit. Opozita ka paralajmëruar zhvillimin e një demonstrate antiqeveritare më 18 shkurt me pjesëmarrje më të madhe se ajo e 21 janarit për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Degjenerimi në dhunë dhe vrasja e 4 dermostruesve në demostratën e 21 janarit shënoi dhunën politike më të madhe gjatë një dekade në një vend si Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe aplikante vitin e kaluar për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Pamje nga protestat e opozitës në TiranëFotografi: DW

Prandaj zëri i drejtësisë dhe heshtja e politikës në zbardhjen e ngjarjeve dramatike të 21 Janarit konsiderohet si një pikë kthese në rivendosjen e dhe funksionimin e demokracisë. Kodi penal i Shqipërisë parashikon për vrasje burgim më shumë se 20 vjet.

Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Esat Ahmeti