1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më pak ndihmë për zhvillim: "Më shumë uri dhe varfëri"

4 Maj 2026

Qeveria gjermane po shkurton fondet e ndihmës për zhvillim deri në vitin 2027, gjë që po shkakton zemërim midis organizatave humanitare: "Bota po digjet dhe Gjermania kursen te zjarrfikësit".

Gjermani Berlin 2026 | Përfaqësuesit e organizatave të ndihmave në Berlin
Organizatat humanitare paralajmërojnë ndaj shkurtimeve të fondeve... Fotografi: Christian Ditsch/epd-bild/picture alliance

Michael Herbst i Shoqatës për Politikat e Zhvillimit dhe Ndihmën Humanitare (VENRO) i bën thirrje qeverisë federale gjermane të ndryshojë kursin: "Gjermania duhet ta marrë përsëri seriozisht përgjegjësinë globale që ndan me vendet e tjera".

Arsyeja e apelit të tij janë shifrat që Ministri i Financave Lars Klingbeil (SPD) njoftoi në Berlin në fund të prillit - shifra që Herbst i konsideron shkatërruese.

Buxheti i Ministrisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) duhet të reduktohet më tej, sipas planeve për buxhetin e shtetit për vitin 2027. Kështu, vetëm pak më pak se 9.5 miliardë euro parashikohen për nevojat e asaj Ministrie që është një reduktim prej gati 600 milionë eurosh.

A po tërhiqet Gjermania nga përgjegjësia e saj ndërkombëtare?

VENRO beson se 11.2 miliardë euro është kufiri i poshtëm. "Nuk është një vlerë utopike, është niveli i vitit 2024", thekson Herbst. Përveç kësaj, ai kërkon që Ministria e Punëve të Jashtme të rrisë fondet për ndihmën humanitare, të cilat gjithashtu janë ulur ndjeshëm.

Ministrja Alabali Radovan në Sierra LeoneFotografi: Florian Gaertner/BMZ/IMAGO

Presidenti i organizatës gjermane për luftën kundër urisë (Welthungerhilfe), Marlehn Thieme, e konsideron tendencën e shkurtimit të fondeve dramatike: "Shkurtimi do të thotë edhe heqje dorë nga përgjegjësia ndërkombëtare."

670 milionë njerëz të uritur

E drejta ndërkombëtare është nën presion dhe po shkelet çdo ditë, thotë Thieme. Një luftë me Iranin kërcënon një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë, për shkak të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit.

"Çmimet e plehut për bujqësinë dhe të energjisë po rriten. Kjo po i godet shumë më rëndë vendet me të ardhura të ulëta sepse ato varen nga importet e plehrave dhe ushqimit", thotë ai.

Paralajmërimet për tronditje të rrezikshme të tregjeve dhe çmimeve po vijnë nga Bangladeshi, Etiopia dhe Kenia, raporton Thieme. "Kjo do të thotë më shumë uri dhe varfëri, të cilat nga ana tjetër mund të çojnë në trazira politike." Ndërkohë që edhe tani 670 milionë njerëz në botë vuajnë nga uria, dhe ky numër mund të rritet më tej.

A është qeveria federale në rrugën e gabuar?

Organizata e ndihmës për zhvillim ONE, e cila vepron kryesisht në Afrikë, beson se qeveria federale po shkon në drejtimin e gabuar për shkak të shkurtimeve shtesë të shpallura: "Bota po digjet ndërsa Gjermania po kursen për zjarrfikësit", tha drejtoresha e organizatës Lisa Ditlmann me indinjatë.

Edhe Charlotte Becker e Oxfam-it flet për skenarin më të keq. Ajo është veçanërisht e shqetësuar për gratë dhe vajzat të cilat, sipas saj, do të preken më shumë nga shkurtimet në ndihmën për zhvillim: "Kjo nuk ka të bëjë me varfërinë, ka të bëjë me jetën dhe vdekjen".

"Partnerët thellësisht të shqetësuar"

Besimi në politikën gjermane të zhvillimit është padyshim tashmë i dëmtuar vitet e fundit. "Partnerët tanë në Jugun Global janë thellësisht të shqetësuar. Këto shkurtime nënkuptojnë se investimet dhe stimujt e rëndësishëm do të zhduken në shumë rajone, veçanërisht për të rinjtë", paralajmëron Thieme nga organizata "".

Organizata "Welthungerhilfe" për luftën kundër urisë në botëFotografi: Lukas Schulze/dpa/picture alliance

Shqetësimi shkaktohet edhe nga ndryshimi programatik në drejtimin e Ministrisë së Zhvillimit. Plani i reformës i paraqitur nga Ministrja Reem Alabali Radovan në janar është ende shumë i përgjithshëm: "Nuk mund ta shohim ende se çfarë pasojash konkrete do të ketë për vitin 2026".

Përfaqësuesja e të Gjelbërve, Schahina Gambir, ka përvoja të ngjashme në Bundestag. Ajo e pyeti qeverinë se sa larg ka përparuar procesi i reformës dhe cilat masa do të reduktohen konkretisht. Ajo është shumë e pakënaqur me përgjigjet.

"Fakti që Bundestagu përfshihet vetëm aty ku është ligjërisht e nevojshme nuk është shenjë e hapjes dhe transparencës", kritikon Gambir. Shkurtimet shtesë të shpallura janë të vetëdijshme politikisht dhe të papërgjegjshme: "Ato kanë pasoja konkrete për miliona njerëz".

Kjo politikane gjermane, me origjinë nga Afganistani, është veçanërisht e shqetësuar për efektivitetin e programeve të ndihmës. "Pa partnerë të fortë lokalë dhe shoqëri civile, nuk ka politikë efektive zhvillimi. Kushdo që e redukton bashkëpunimin në interesat e veta minon këto struktura dhe kërcënon stabilitetin dhe demokracinë në planin afatgjatë", thotë ajo.

Kriza e borxhit po përkeqësohet

Ulja e përfshirjes gjermane vjen në një kohë kur edhe vendet e tjera donatore, si Shtetet e Bashkuara, po tërhiqen. Në të njëjtën kohë, ka gjithnjë e më shumë luftëra dhe kriza, të cilat po shkaktojnë rritjen e çmimeve të ushqimit dhe energjisë. Njerëzit në vendet me borxhe të larta të jugut global po vuajnë më shumë.

Shumë buxhete kombëtare janë tashmë në prag të kolapsit, dhe kriza mund të përkeqësohet më tej, paralajmërojnë organizata katolike Misereor dhe iniciativa erlassjahr.de në raportin e tyre për borxhet për vitin 2026. Aktualisht, 69 vende konsiderohen me borxhe të larta ose shumë të larta, duke përfshirë Pakistanin, Kenian, Libanin dhe Sri Lankën.

Vendet në zhvillim vuajnë nga interesat dhe borxhet e larta

Mesatarisht, këto vende duhet të ndajnë rreth 13% të të ardhurave të tyre për pagesat e interesave dhe borxhit ndaj kreditorëve të huaj. Në vendet e industrializuara kjo pjesë është më pak se 6%, thotë raporti, ndërkohë që nuk shihet ndonjë përmirësim në horizont. Arsyeja: "Ndarja publike e granteve dhe kredive për vendet në Jugun Global ka rënë ndjeshëm, ndër të tjera edhe për shkak të shkurtimeve në fondet e bashkëpunimit për zhvillim."

Drejtoresha e Programit të Zhvillimit të OKB-së në Gjermani, Melanie Hauenstein, paralajmëron: "Reduktimet në bashkëpunimin për zhvillim kërcënojnë sigurinë, prosperitetin dhe ndikimin ndërkombëtar të Gjermanisë në planin afatgjatë."

Ajo shton se, duke marrë parasysh situatën aktuale globale, veçanërisht kur bëhet fjalë për pasojat e luftës në Lindjen e Mesme, për Gjermaninë "tani nuk është koha për reduktime shtesë në bashkëpunimin ndërkombëtar".

 

Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW