Më shumë bashkëpunim në BE
8 Shtator 2007
Për gazetën italiane LA REPUBBLICA kapja e të dyshuarve është një shenjë e qartë për kërcënimin e vazhdueshëm të Gjermanisë nga sulmet terroriste.
"Tre terroristët islamistë, një turk dhe dy gjermanë të konvertuar,- u kapën me një aksion të rrufeshëm nga njësia speciale GSG 9. ... Një "jo" ndaj luftës së Irakut nuk të mbron më nga sulmet terroriste: Me pjesëmarrjen e saj në misionin paqeruajtës në Afganistan, Gjermania ndodhet në shënjestër të terroristëve."
Megjithë kërcënimin, TAGES-ANZEIGER, nga Cyrihu i Zvicrës, mendon se kërkesa e ministrit gjerman të punëve të brendshme, Volfgang Shojble (Wolfgang Schäuble), për masa më të forta kundër të dyshuarve për terrorizëm, si për shembull kontrollimit të kompjuterave përmes internetit, është e ekzagjeruar:
"Kur organet e sigurisë ishin në gjendje të vëzhgonin me qetësi për muaj të tërë një grup të dyshuarish për terrorizëm dhe të sabotonin planet e tyre, kjo do të thotë, që hetuesit i kanë instrumentat e nevojshëm për ta kontrolluar gjendjen. Ministri i brendshëm Shojble e di këtë. ... E megjithatë ai u nis që të gatuante një gjellë të rrezikshme me frikën nga sulmet terroriste. ... Ministrit të brendshëm gjerman i shkanë kriteret."
Një bashkëpunim më të madh me shtetet e BE-së në luftën kundër terrorit kërkon gazeta spanjolle ABC nga Madridi:
"Po dëshmohet që Evropa mbetet një cak prioritar i terrorizmit të Xhihadit dhe që siguria evropiane vuan nga mangësi strukturore. (...) Prandaj nevojitet me urgjencë që të përmirësohet bashkëpunimi dhe koordinimi në Bashkimin Evropian. (...) Aksioni policor në Gjermani ishte i suksesshëm, por terroristët kishin qenë në gjendje, që të organizoheshin dhe të prodhonin dhe depozitonin një sasi të madhe lënde shpërthyese."
Gazeta austriake që del në Vjenë, DIE PRESSE, paralajmëron që të mos dyshohet në përgjithësi për të gjithë njerëzit që bëhen myslimanë:
"Të konvertuarit janë rekrutët idealë për grupet terroriste: Ata njohin kulturën e vendit armik, janë në gjendje të përshtaten dhe të të mos diktohen. Por në një atmosferë të nxehur si tani, duhet të theksohet, që vetëm një pakicë nga të myslimanët e rinj janë vërtetë radikalë. (...) Në këto kohëra nevojitet një nuhatje e hollë për të bërë dallime. (...) Perëndimi ka të drejtë kur kërkon të mbrojë vlerat e tij, por në to bën pjesë edhe liria e fesë."