1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demonstration Stuttgart 21

1 Tetor 2010

Në Shtutgart ka javë që zhvillohen protesta kundër një projekti të diskutueshëm hekurudhor. Natën duke u gdhirë e premtja rreth 2000 vetë demonstruan kundër punimeve. Më shumë se 100 vetë u plagosën.

Kundërshtarë të projektit "Shtutgart 21" mbrohen nga uji i policisë në park
Kundërshtarë të projektit "Shtutgart 21" mbrohen nga uji i policisë në parkFotografi: AP

Pak pas mesnate forcat policore u përforcuan edhe njëherë në parkun e kështjellës "Schlossgarten" dhe punëtorët filluan me prerjen e pemëve fillimisht të shoqëruara nga protestat e zëshme por paqësore të kundërshtarëve të projektit ""Stuttgart 21". 25 pemë duhet prerë për të hapur vend për kantierin e ndërtimit. Kundërshtarët e projektit reaguan me zemërim, tronditje dhe moskuptim:

Burri 1: "Katastrofë, poshtërsi! Thanë se po përpiqeshin të shpëtojnë pyllin. Ata janë thjesht gënjeshtarë, ata gënjejnë! Dhe unë shpresoj që do të vazhdojë të ketë qetësi këtu."

Gruaja 1:"Kjo është e tmerrshme. Për mua kjo nuk është në rregull dhe politika që po bëhet këtu është e padurueshme."

Burri 2: "Kjo është injoranca e pastër e politikanëve, të cilët realizojnë diçka kundër dëshirës të gjithë këtyre njerëzve, që demonstrojnë të qetë."

Punimet u zhvilluan në një zonë, e cila më parë u pastrua nga 1.000 policë, që përdorën edhe dhunën: u përdorën katër pompa uji dhe shkopinjtë e gomës.

"Ndërhyrja sipas përshtypjes ime ishte tejet brutale, e pamëshirshme. Njerëzit i larguan nga rruga me pompa uji."

Sipas të dhënave të kundërshtarëve të projektit "Stuttgart 21", mbi 300 protestues morën plagë me pasoja të ndryshme, si iritim e djegie të syve, hematoma dhe disa edhe brinjë të thyera. Fritz Milat një prej organizatorëve të demonstratës njofton:

"Policia i godet njerëzit mu në fytyrë. Një protestues ka pësuar tronditje në tru, ka shumë me plagë në qafë dhe natyrisht shumë te tjerë me probleme në sy, sepse policia ka përdorur gaz për acarimin e syve."

Policia mbron veprimet, politikanë kritikojnë ashpër

Sipas policisë, kundërshtarët e projektit kanë penguar punën e autoriteteve. Prandaj ka qenë e nevojshme ndërhyrja, sqaron zëdhënësi i policisë Stefan Keilbach.

"Natyrisht që zgjati tërë ditën deri sa vendosëm tërë brezin rrethues. Kjo po bëhej, më duhet ta them shumë ngadalë, metër për metër me përdorimin e sprucatorëve me piper dhe ujëhedhësve. Në situatën e krijuar nuk mund të veprohej ndryshe. Ishin shumë njerëz të cilët kishin bllokuar punën."

Ndërkaq politikanë të cilët i përkrahin kundërshtarët e projektit e kritikuan ndërhyrjen e policisë. Deputeti rajonal i të Gjelbërve, Werner Wölfle u shpreh i tronditur.

"Kjo është përvoja ime më e hidhur në shtetit tonë ligjor demokratik."


Autor: Michael Brand/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi