Më shumë se 50 të vrarë në ofensivën e ushtrisë siriane
8 Gusht 2011"Nuk ekziston asnjë zot tjetër përveç Allahut! Këtu në Homs kemi një të vrarë. Data është 7 gusht. Arsyeja është bombardimi kuturu nga ushtria dhe forcat e sigurisë. Kjo është ushtria e Bashar Al Assadit. Prit një herë Erdogan, deri sa Assadi të bëjë reformat."
Ky njeri është duke folur me telefon nga Homsi. Kritika e tij i drejtohet Recep Tayyip Erdoganit. Kryeministri turk ka dërguar ditën e martë (9.8.) ministrin e tij të Jashtëm për në Siri, që t`i thotë ndal dhunës presidentit Assad.
Por jo vetëm në Homs, edhe në qytete të tjera të vendit ushtria ka vepruar me brutalitet kundër opozitës. Sidomos qyteti Deir al-Zur, kështjellë e protestës në lindje të vendit, ka qenë objektiv i ushtrisë. Këtë e njofton Mussab Asawi, një aktivist sirian i të drejtave të njeriut nga Londra, i cili mban kontakte me vendin e vet. Në orën tre e gjysëm të mëngjesit, tregon ai, rreth 250 tanke janë futur në Deir al Zur nga dy drejtime. Ato kanë qëlluar dy orë rresht. Pastaj forcat e sigurisë janë kthyer në qytet. Në Deir al-Zur njerëzit duhet të qëndronin në shtëpi nga frika e snajperistëve apo tankeve.
Këto njoftime nuk mund të konfirmohen. Por, në gjithë vendin ka patur shumë të vrarë. Edhe rrethimi i qytetit Hama në të cilin po zhvillohen prej javësh luftime, vazhdon pa ndërprerje.
Presidenti Assad, pranoi ndërkohë që telefonatë nga Ban Ki Moon. Sekretari i Përgjithshëm i KB, i kërkoi Assadit të heqë menjëherë dorë nga dhuna kundër civilëve, por deri tani thirrja e tij nuk ka patur sukses.
Siria ka njoftuar ndërkohë zhvillimin në fund të vitit të zgjedhjeve të reja parlamentare. Baza e tyre është një ligj për partitë, i cili ndryshoi para disa ditësh. Por, për opozitën ky është një mashtrim tjetër. Sepse kushtetuta i garanton partisë në pushtet, Baath të mbajë shumicën e parlamentit.
Autor: Jens Wiening/ Aida Cama
Redaktoi: Bahri Cani